Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koalicioni i brishtë qeverisës në Spanjë vihet në sprovë gjatë pandemisë

Foto: Reuters

Qeveria spanjolle, e udhëhequr prej socialistëve, i ka shënuar 100 ditët e saja në pushtet këtë javë duke e miratuar një dekret emergjent me ndihmën e rivalëve të tyre të përbetuar, Partisë konservatore Popullore (PP).

Por, ajo shpërfaqje e pazakontë e unitetit thjeshtë është maskë për problemet e thella, teksa kriza pandemike i ka dhënë fund “muajit të mjaltit” të koalicionit dhe ka nxitur një kundërshtim të prerë të planit të kryeministrit Pedro Sanchez për rimëkëmbjen e Spanjës.

“Synoni të qëndroni si Nero, derisa Roma digjet?”, e ka pyetur lideri i PP-së, Pablo Casado kryeministrin Sanchez, madje edhe pasi që ka përkrahur vazhdimin e gjendjes së emergjencës, raporton Reuters, transmeton KOHA.

“Mos u dorëzoni, z. Sanchez. Para se të flisni për rindërtimin, duhet t’i shmangemi shkatërrimit”, ka vazhduar ai, duke iu kundërvënë propozimeve të Sanchezit për një “pakt” shtetëror për rimëkëmbje ekonomike, të ngjashëm me atë kah fundi i viteve shtatëdhjetë, pas diktatorit Francisco Franco.

Pas katër palë zgjedhjeve pa fitues të qartë, Sanchezi në janar krijoi Qeverinë e koalicionit me partinë e së majtës ekstreme, “Unidas Podemos”, një ish-rival tjetër i socialistëve.

Ndonëse ka pasur solidaritet rreth mbylljes së Spanjës që nga 14 marsi, tani që piku ka kaluar, vëmendja po përqendrohet tek zbutja e kufizimeve dhe rimëkëmbja ekonomike. Por, Sanchezit po i mungon përkrahja e gjerë, e domosdoshme në këtë drejtim.

Edhe Kolumne Kosova si Spanja

Për shumë javë, ai ka bërë thirrje për unitet dhe rindërtim, si brenda Evropës, ashtu edhe Spanjës.

Por deri më tani, tek forcat konservatore opozitare, vetëm dhjetë ligjvënësit e partisë “Ciudadanos” kanë thënë se do ta mbështesin paktin e tij.