Rasti i Bethit dhe Laurës, një çift britanik, ka ngritur alarmin për gabime serioze në klinikat e fertilitetit në Qipron Veriore. Testet e ADN-së zbuluan se fëmijët e tyre nuk janë të donatorit të zgjedhur dhe as të lidhur biologjikisht mes vete. Historia e tyre ka nxitur shqetësime për mungesë transparence dhe kontrolli në këto trajtime jashtë vendit
“Ishte pak kohë pasi lindi James që e kuptova se diçka nuk ishte në rregull”, thotë Laura.
Ajo dhe partnerja e saj, Beth, kanë dy fëmijë - James dhe vajzën e tyre të madhe, Kate - të dy të konceptuar përmes trajtimit IVF në një klinikë në Qipron Veriore të pushtuar nga Turqia.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë dyja gratë përdorën vezët e tyre dhe zgjodhën me kujdes një donator anonim dhe të shëndetshëm të spermës. Ato i thanë klinikës, e cila porositi spermën për to, se ishte shumë e rëndësishme që për të dy fëmijët të përdorej i njëjti donator - në mënyrë që fëmijët të kishin lidhje biologjike mes tyre.
Por kur lindi James, të dyja vunë re se sytë e tij “të bukur” kafe ishin shumë të ndryshëm nga ata të nënës së tij biologjike, Beth, dhe nga profili i donatorit që familja kishte zgjedhur. Kjo ndezi një dyshim tek prindërit: “A kishte bërë gabim klinika?”
Pas gati një dekade shqetësimi, Beth dhe Laura vendosën që fëmijët e tyre të bënin një test ADN-je. Rezultatet treguan se asnjëri prej fëmijëve nuk kishte lidhje me donatorin e spermës që prindërit kishin përzgjedhur. Madje, provat sugjeronin se fëmijët nuk kishin lidhje biologjike as me njëri-tjetrin.
“Ndjenja e ankthit ishte nga ideja se diçka kishte shkuar shumë keq dhe çfarë do të thoshte kjo për fëmijët?” thotë Beth.
BBC News ka folur me familjet e gjithsej shtatë fëmijëve që besojnë se gjatë trajtimit IVF është përdorur sperma ose veza e gabuar. Shumica e këtyre familjeve kanë bërë teste të ADN-së, të cilat duket se konfirmojnë dyshimet e tyre.
Të gjitha rastet lidhen me klinika në Qipron Veriore – një territor ku ligjet e Bashkimit Evropian nuk zbatohen dhe që njihet ligjërisht vetëm nga Turqia.
Qiproja Veriore është bërë një nga destinacionet më të njohura për britanikët që kërkojnë trajtime fertiliteti jashtë vendit, thonë ekspertët. Klinikat atje janë të rregulluara në mënyrë të dobët dhe premtojnë çmime të ulëta dhe norma të larta suksesi.
Ato ofrojnë një gamë të gjerë donatorësh anonimë të vezëve dhe spermës nga e gjithë bota, duke i bërë veçanërisht tërheqëse për persona me probleme fertiliteti, për komunitetin LGBT apo për individë beqarë që mund të mos kenë qasje në këto mundësi në vendet e tyre.
Në rrjetet sociale ka shumë video dhe foto të prindërve që ndajnë përvojat e tyre pozitive dhe shpresëdhënëse.
Klinikat në Qipron Veriore ofrojnë gjithashtu procedura që janë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, si përzgjedhja e gjinisë për arsye jo-mjekësore. Ministria e Shëndetësisë së këtij territori mbikëqyr klinikat e fertilitetit, por nuk ka reaguar ndaj gjetjeve të BBC-së, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
“Menduam se kishim porositur spermë nga Danimarka”
Ndërtimi i besimit me familjet e përfshira në këtë hulumtim mori shumë muaj. BBC punoi ngushtë me Beth, Laura, Kate dhe James për t’u siguruar që ishin gati të ndanin historinë e tyre.
Beth dhe Laura tregojnë se kishin vendosur të krijonin familje në vitin 2011.
Ato zgjodhën Dogus IVF Centre në Qipron Veriore. Koordinatorja e pacientëve në atë kohë, Julie Hodson, u tha se klinika mund të importonte spermë të ngrirë nga banka më e madhe e spermës në botë, Cryos International në Danimarkë.
Çifti u impresionua, sipas tyre, nga shumëllojshmëria e donatorëve anonimë që kishin kaluar “kontrolle të plota shëndetësore” dhe vlerësime psikologjike.
Ato u tërhoqën nga profili i një donatori të quajtur “Finn” - një danez që e përshkruante veten si një person në formë të mirë fizike, që pinte rrallë dhe nuk pinte kurrë duhan.
Në një shënim të shkruar me dorë që ato panë, Finn shpjegonte se motivimi i tij për të dhuruar spermë ishte “të sjellë jetë dhe lumturi për të tjerët”.
Beth dhe Laura shpresonin që ky profil i detajuar do t’u jepte fëmijëve të tyre një ndjenjë lidhjeje me origjinën e tyre kur të rriteshin. “E ndienim shumë të rëndësishme që fëmijët tanë të kishin një ide se kush ishte donatori, sepse kjo është gjysma e asaj që janë ata”, thotë Beth.
Finn dhe të afërmit e tij danezë kishin karakteristika fizike të ngjashme me çiftin britanik - sy të çelët dhe flokë kafe, sipas një peme familjare të zgjeruar.
“Ne e pyetëm koordinatoren tonë, Julie, çfarë duhej të bënim për të porositur spermën e Finn”, kujton Laura. “Dhe ajo tha: ‘Dr. Firdevs do ta porosisë për ju’. Kaq ishte”.
Çifti thotë se trajtimi i tyre IVF në Dogus u krye nga Dr. Firdevs Uguz Tip – të cilën e përshkruajnë si të sjellshme dhe profesionale, së bashku me ekipin e saj.
Nëntë muaj më vonë, Laura solli në jetë fëmijën e tyre të parë, Kate.
Kur çifti dëshironte një fëmijë të dytë, u kthyen te i njëjti ekip IVF dhe kërkuan që të përdorej përsëri donatori Finn. Hodson konfirmoi me email se Firdevs do ta riporosiste spermën.
Këtë herë, Beth solli në jetë James.
Trajtimi i fertilitetit i çiftit në Qipron Veriore, përfshirë medikamentet, hotelet dhe fluturimet, u kushtoi rreth 16,000 funte në total – ndërsa sperma e Finnit kushtoi rreth 2.000 funte.
Beth dhe Laura thonë se që në moshë të vogël, kanë qenë të hapura me fëmijët e tyre për burrin që besonin se ishte donatori. “Të dy e përshkruanin veten si ‘gjysmë danezë’”, thotë Laura.
Por sytë e errët, flokët e zinj dhe lëkura ulliri e Jamesit i bënë të dyshonin se donatori i tij nuk ishte Finn. Pas shumë vitesh mendimi, Beth dhe Laura vendosën që të dy fëmijët të bënin një test ADN-je.
Rezultatet sugjeruan se asnjëri prej fëmijëve nuk ishte konceptuar me spermën e Finnit. Ato gjithashtu treguan se fëmijët vinin nga donatorë të ndryshëm dhe nuk kishin lidhje biologjike me njëri-tjetrin.
Rezultatet i lanë “jashtëzakonisht të zemëruara” dhe me shumë pyetje pa përgjigje. Kush ishin donatorët dhe çfarë kontrollesh shëndetësore ishin bërë, nëse ishin bërë fare?
“Kaluan nga ideja se kishim një profil të bukur të donatorit Finn dhe ndiheshim sikur njihnim historinë e tij familjare dhe shëndetësore, në asgjë”, thotë Beth.
Beth dhe Laura u përpoqën të kontaktonin Firdevs dhe Hodson, por asnjëra nuk u përgjigj.
BBC kaloi muaj të tërë duke u përpjekur të zbulojë se çfarë kishte ndodhur me rastin e Bethit dhe Laurës.
Gjatë hulumtimit, u gjetën edhe dy familje të tjera britanike që ishin trajtuar nga Firdevs dhe që gjithashtu dyshonin se gjatë trajtimit IVF ishte përdorur donatori i gabuar. Edhe ato kanë kryer teste ADN-je, të cilat tregojnë se dyshimet e tyre mund të jenë të sakta.
Beth dhe Laura pyesin nëse klinika e tyre e kishte porositur ndonjëherë spermën e donatorit Finn.
Kur u kontaktua, Firdevs tha se nuk kishte qenë përgjegjëse për porositjen e spermës në klinikën Dogus dhe se nuk i ishte përcjellë asnjë informacion lidhur me kërkesën për donatorin Finn.
Ajo gjithashtu vuri në dyshim besueshmërinë e testeve të ADN-së të bëra nga Beth dhe Laura, duke thënë se nuk është e mundur të arrihet “me siguri të plotë” në përfundimin se është përdorur donatori i gabuar.
Firdevs i tha gjithashtu BBC-së se “nuk ka kryer trajtime IVF” midis viteve 2011 dhe 2014, periudhë gjatë së cilës Beth dhe Laura ishin paciente - megjithëse në faqen zyrtare të klinikës Dogus kishte përshkrime të detajuara të procedurave që ajo ofronte në atë kohë.
Klinika Dogus, që sipas Firdevs ishte përgjegjëse për trajtimin e Bethit dhe Laurës, nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.
Deri në vitin 2015, Firdevs dhe Hodson ishin larguar nga Dogus dhe punonin së bashku në një tjetër klinikë në Qipron Veriore.
Hodson, e cila nuk punon më në këtë territor, nuk iu përgjigj pyetjeve të BBC-së nëse ajo e kishte përcjellë kërkesën për spermë te Firdevs.
Beth, Laura dhe fëmijët kanë kryer tashmë teste të tjera ADN-je të certifikuara, të cilat mund të përdoren në gjykatat britanike. Këto kanë konfirmuar se James dhe Kate nuk kanë lidhje biologjike dhe nuk janë konceptuar nga i njëjti donator.
Një ekspert i njohur i gjenetikës forenzike, i cili ka analizuar të gjitha testet e familjes, tha se është e pamundur që ndonjëri prej fëmijëve të ketë lidhje biologjike me donatorin Finn.
BBC foli edhe me Cryos International, banka e spermës në Danimarkë nga e cila Beth dhe Laura - si dhe një familje tjetër në këtë investigim - besonin se ishte porositur sperma.
“Kemi shumë procese sigurie, por asnjëherë nuk mund të garantohet 100%. Në fund të fundit, jemi njerëz,” thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ole Schou. Megjithatë, ai shton se një gabim i tillë nuk është regjistruar asnjëherë në historinë 45-vjeçare të Cryos.
Një sërë specialistësh të fertilitetit nga e gjithë Evropa i thanë BBC-së se mundësia që të përdoret gabimisht një donator gjatë një procedure IVF është shumë e rrallë.
Megjithatë, fakti që një gabim i kësaj përmase mund të ketë ndodhur më shumë se një herë, duke përfshirë të njëjtin ekip mjekësor, mund të tregojë “neglizhencë” apo edhe “mashtrim”, përfunduan ekspertët.
“Është një situatë absolutisht e tmerrshme për pacientët”, thotë Dr. Ippokratis Sarris nga Shoqata Britanike e Fertilitetit, pasi pa gjetjet. “Nuk kam dëgjuar kurrë për një rast të tillë në Mbretërinë e Bashkuar. Është frika më e madhe e çdo njësie IVF që të ngatërrojë vezët, spermën apo embrionet”.
Qiproja Veriore ka ligjet e veta për fertilitetin, por ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, nuk ka një rregullator të pavarur për të monitoruar klinikat, për të garantuar standardet dhe, nëse është e nevojshme, për t’u hequr licencat.
Avokatja dhe aktivistja Mine Atli, që jeton atje, thotë se “klinikat që zbatojnë ligjin e bëjnë këtë sepse pronarët kanë ndërgjegje të mirë. Nuk është diçka që u imponohet nga shteti”.
Rregullimi është i kushtueshëm, gjë që e bën trajtimin më të shtrenjtë në vende si Mbretëria e Bashkuar. Sarris nga Shoqata Britanike e Fertilitetit thotë se kjo është një nga arsyet pse ai mendon se Qiproja Veriore është bërë një destinacion kaq popullor për trajtime fertiliteti.
U ngritën gjithashtu shqetësime për shëndetin mendor të personave që mund të zbulojnë se donatorët e tyre nuk janë ata që besonin se ishin.
Një zbulim i tillë mund të ketë një “ndikim të madh” tek ta, thotë Nina Barnsley nga organizata britanike Donor Conception Network.
“Nuk dua ta gënjej fëmijën tim”
BBC ka folur edhe me dy familje të tjera britanike që janë trajtuar nga Firdevs më vonë se Beth dhe Laura, dhe që besojnë se edhe atyre u janë dhënë donatorët e gabuar.
Ato nuk kanë dashur të identifikohen, por kanë qenë paciente në Miracle IVF Centre, të cilën Firdevs e themeloi në vitin 2019.
Të dyja familjet kishin nevojë për donatore vezësh për të pasur fëmijë dhe dyshuan se vezët që morën nuk ishin ato që kishin zgjedhur. Testet e ADN-së të kryera më pas duket se i konfirmojnë këto dyshime.
“Nuk dua që njerëzit të mendojnë se unë dua një fëmijë që të duket si unë – kjo nuk është çështja”, thotë njëra prej grave, të cilës BBC-ja i referohet si Kathryn. “Unë nuk dua t’i gënjej për origjinën e tyre”.
Kur BBC i tha Firdevs se këto dy familje ndiheshin të mashtruara, ajo u përgjigj se përzgjedhja e donatoreve të vezëve ishte bërë “ekskluzivisht” nga Miracle IVF Centre.
Ajo shtoi gjithashtu se klinika e saj nuk u ofron pacientëve profile donatorësh që përshkruajnë një “person specifik” dhe se nuk jep asnjë garanci për përkatësinë etnike të donatorit.
Sipas Firdevsit, këto informacione ishin të përfshira në formularët e pëlqimit që të gjithë pacientët nënshkruanin para trajtimit dhe ishin “komunikuar hapur”.
Megjithatë, dy familjet me të cilat ka folur BBC-ja thonë se mendonin se kishin zgjedhur një donator të caktuar dhe se nuk u ishte bërë e qartë që zgjedhja përfundimtare do të bëhej nga klinika.
BBC ka parë profile të donatoreve të vezëve që i ishin dhënë Kathryn dhe një familjeje tjetër nga Miracle IVF Centre, të cilat duket se paraqesin gra individuale.
Kathryn thotë se, megjithëse e do pa kushte fëmijën e saj, nuk do të kishte vazhduar me trajtimin IVF nëse do të ishte informuar plotësisht se donatorja që kishte zgjedhur mund të mos përdorej.
Firdevs tha se të gjitha trajtimet e kryera në Miracle IVF ishin në përputhje me legjislacionin dhe se nuk mund t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve për shkak të konfidencialitetit ndaj pacientëve.
“Jemi ende një familje”
Kanë kaluar dy vjet që kur Beth dhe Laura u treguan fëmijëve të tyre se Finn mund të mos ketë qenë donatori i tyre.
James ende po përpiqet ta përpunojë atë që ka zbuluar familja e tij.
“Nuk mund t’i thuash dikujt se është diçka dhe pastaj të rezultojë se nuk është. Kjo është e keq”, thotë ai. “Identiteti është gjëja kryesore. Është ajo që je si person”.
Fëmijët tani e dinë se nuk kanë lidhje biologjike mes tyre, por kjo nuk e ka ndryshuar dashurinë që kanë për njëri-tjetrin.
“Ne jemi rritur bashkë dhe mamatë tona na kanë rritur”, thotë Kate. “Ne jemi ende një familje, edhe nëse nuk na lidh gjaku”.
“Kemi dy fëmijë të mrekullueshëm”, thonë Beth dhe Laura. “Në fund të fundit, gjithçka do të jetë mirë”.