Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kirgistani ndryshon flamurin për një arsye të çuditshme

Presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov, ka nënshkruar ligjin për ndryshimin e flamurit kombëtar dy ditë pasi deputetët e miratuan në leximin përfundimtar.

Deputetët kanë thënë se rrezet e verdha të diellit në fushën e kuqe të flamurit kirgistanez i ngjanin një luledielli. Fjala në gjuhën e Kirgistanit për lulediellin është “kunkarama”, por gjithashtu do të thotë “i varur”. Për këtë arsye, është menduar ndryshimi.

Sipas Kuvendit, ligji lejon “korrigjimin” e rrezeve të diellit për ta bërë të duket më shumë si diell. Disa protesta kundër ndryshimit janë zhvilluar në Kirgistan që kur u propozua në tetor të këtij viti.

Vetë presidenti Sadyr Japarov ka thënë në Kongresin Kombëtar se ideja e ndryshimit të flamurit i përket atij.

Aktivisti Aftandil Zhorobekov, i cili kundërshtoi ndryshimin e flamurit dhe planifikoi të mbante protestë, u arrestua me akuzën e trazirave masive dhe u ndalua nga gjykata për dy muaj.

Flamuri kombëtar i Kirgistanit u miratua me një rezolutë parlamentare më 3 mars 1992, një vit pasi vendi fitoi pavarësinë.