Është ky një alarm i lëshuar nëpërmjet raportit të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS), për të cilin ka raportuar të mërkurën rrjeti britanik BBC. Fjala është për fushën e dytë të raketave bërthamore që raportohet se është në ndërtim e sipër në Kinën Perëndimore. Kjo fushë mund të strehojë mbi 110 raketa bërthamore në uzinat nëntokësore për ruajtjen dhe lansimin e raketave
Pamjet satelitore nga krahina Xinjiang në veri të Kinës sugjerojnë se vendi është duke e ndërtuar një fushë raketash bërthamore. Është ky alarmi i lëshuar nga një raport i Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS) që flet për zgjerimin e kapaciteteve bërthamore të Kinës, për të cilin ka raportuar të mërkurën rrjeti britanik BBC.
Kjo është fusha e dytë e raketave bërthamore që raportohet se është në ndërtim e sipër në Kinën Perëndimore, gjatë dy muajve të fundit. Fusha, sipas BBC-së, mund të strehojë mbi 110 raketa bërthamore në uzinat nëntokësore për ruajtjen dhe lansimin e raketave. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë shprehur shqetësim të thellë për këtë fuqizim bërthamor të shtetit kinez.
Javën e shkuar, e përditshmja amerikane “Washington Post” ka raportuar evidentimin e 120 raketave në zonën përreth një shkretëtire në Yumen të krahinës Gansu.
“FAS-i ka bërë të ditur në raportin e tij se fusha e re në Hami, në veriperëndim të Yumenit, është në fazë shumë më të hershme të ndërtimit”, ka raportuar BBC.
Më 2020, Pentagoni amerikan ka bërë të ditur se Kina synon që t’i dyfishojë rezervat e kokave bërthamore.
Zhvillimi i ri lidhur me Kinën është raportuar në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia përgatiten për t’i nisur bisedimet rreth kontrollimit të armëve. Bisedimet, midis zëvendëssekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman, dhe zëvendësministrit të Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, shihen si hap i parë drejt ringjalljes së negociatave të ngecura për reduktimin e numrit të armëve bërthamore. Por, Kina deri më tani nuk ka marrë pjesë në bisedimet për këtë çështje.
BBC-ja ka raportuar se Komanda Strategjike amerikane, pjesë e Departamentit të Mbrojtjes, ka shprehur shqetësimin rreth raporteve nëpërmjet një postimi në Twitter.
“Kjo është hera e dytë gjatë dy muajve të fundit që publikisht zbulohet ajo që ne e kemi thënë tërë kohës lidhur me kërcënimin në rritje me të cilin bota përballet dhe rreth gjithë petkut të sekretit që e mbërthen këtë punë”, ka bërë të ditur Komanda.
Fusha e raketave në Xinjiang është detektuar nëpërmjet pamjeve komerciale satelitore, porse fotografi të rezolucionit më të lartë më vonë janë siguruar rreth çështjes nga “Planet”, një kompani kjo e imazheve satelitore, ka shkruar BBC.
Më 2020, Kina kishte në rezerva të saja më shumë se 200 koka bërthamore dhe po synonte që të paktën ta dyfishonte këtë shifër, ka bërë të ditur Pentagoni më herët. E, sipas analistëve amerikanë që kanë folur për BBC-në, Shtetet e Bashkuara posedojnë përafërsisht 3.800 koka bërthamore.