Liderja skoceze Nicola Sturgeon ka thënë të premten se një referendum i ri i pavarësisë, që do ta shkëpuste vendin nga Mbretëria e Bashkuar pas Brexitit, duhet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Po qe se ky referendum i ri mbahet dhe skocezët votojnë për shkëputje, atëherë kjo do të ishte goditja më e rëndë për Mbretërinë e Bashkuar që nga pavarësimi i Irlandës një shekull më parë. Liderja e partisë Kombëtare Skoceze me qëndrime pro pavarësisë ka parashikuar mbajtjen e votimit në fillim të mandatit të Parlamentit të ri skocez, vitin e ardhshëm, transmeton KOHA.
Në referendumin e vitit 2014, skocezët kishin votuar për mbetjen brenda Mbretërisë, por Brexiti dhe menaxhimi i krizës me COVID-19 kanë fuqizuar mbështetjen për pavarësi në Skoci. 14 sondazhet e fundit kanë treguar se skocezët e mbështesin pavarësimin.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se referendumi i gjashtë vjetëve më parë ishte bindës dhe një ngjarje që ndodh një herë në gjeneratë, andaj duhet respektuar.
Qeveria e tij ka përjashtuar mbajtjen e një tjetër referendumi brenda një të ardhmeje të afërt. Por nëse Sturgeon fiton në zgjedhjet skoceze të 6 majit, atëherë Johnsoni do të përballet me një vendim të vështirë – ta refuzojë referendumin dhe të nxisë pakënaqësinë e skocezëve apo ta lejojë votimin që do të shkaktonte çarje përbrenda unionit.