Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Katër skitarë humbin jetën në Alpet zvicerane

Paraditen e sotme, rreth orës 06.30 kujdestari i rajonit në “Cabanne des Vignettes”, ka informuar se disa persona natën e kanë kaluar nën qiellin e hapur.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekipet e shpëtimit, shtatë helikopterë të “Air Zermatt” si dhe REGA, me disa mjekë dhe specialistë malorë. Aty hasën në 14 persona me ngrirje të rëndë, thuhet në një komunikatën e policisë zvicerane, përcjell Albinfo.ch.

Një person tashmë kishte ndërruar jetë në vendngjarje pas një rrëzimi. Me ndihmën e helikopterëve, ata janë dërguar nëpër spitalet e Valisit dhe jashtë këtij kantoni. Në ndërkohë, nëpër spitale jetën e kanë humbur edhe tre persona të tjerë, ndërsa pesë të tjerë janë edhe më tej në gjendje kritike.

Skitarët e tjerë kanë pësuar ngrirje më të lehtë dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Sipas hetimeve fillestare, më 29 prill, një grup prej dhjetë personash së bashku me ciceronin e kanë lëshuar rajonin “Cabanne des Dix” (2.928 metra lartësi mbidetare) për të pushtuar majën “Haute Route Chamonix – Zermatt”.

Mirëpo, në një lartësi detare prej 3.200 metrash ata bllokohen nga moti i lig dhe kanë qenë të detyruar natën ta kalojnë nën qiellin e hapur. Bëhet fjalë për skitarë italianë, gjermanë dhe francezë. Viktimat për momentin ende nuk janë identifikuar dhe hetimet do të vazhdojnë edhe më tej.