Kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker theksoi sot në Shkup se Maqedonia është në rrugë të mbarë, ka arritur përparime dhe se nëse vazhdon në këtë drejtim, atëherë për disa muaj mund ta marrë rekomandimin për hapjen e negociatave, që nuk do të jetë i kushtëzuar.
“Nuk erdhëm t’ju kumtojmë një datë, por t’ju themi se jeni në rrugë të mbarë dhe nëse vazhdoni kështu, atëherë për disa muaj do t’i jepni mundësinë KE-së të rekomandojë fillimin e negociatave për anëtarësim”, tha Juncker, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.
Juncker, i cili shoqërohej nga komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, theksoi se Maqedonia ka arritur përparim të madh, por duhet të ndërmarrë akoma hapa në rrugën drejt BE-së dhe se vendimi për secilin vend do të merrej në bazë të arritjeve individuale.
Juncker u këshilloi autoriteteve maqedonase që të zgjidhnin çështjen e emrit me miqtë e tyre grekë.
Ndërkohë, Zaev theksoi se i ka thënë Junckerit se vendi i tij po investonte për marrëdhënie të mira me fqinjët.
Edhe
Juncker vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në rrugën drejt BE, por...
Zaev theksoi se për qeverinë është e pranueshme emër me përcaktim gjeografik, i cili do të bëjë dallim midis Maqedonisë dhe rajonit në Greqi, që e mban po këtë emër.
“Këmbëngulim për zgjidhje të përhershme, por edhe që të respektojë dinjitetin dhe do ta mbrojë identitetin e dy shteteve”, theksoi Zaev.