Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ju tregoj bash sa e pafuqishme është Evropa?

“Sa për Shtetet e Bashkuara, përpjekjet e tyre për të kufizuar fuqinë dhe ndikimin e Kinës do të rriten nëse Evropa është me to, madje gjithnjë e më e bashkuar. Krijimi i një partneriteti të ri dhe të qëndrueshëm trans-atlantik fillon duke e pranuar se Evropa veç e pafuqishme nuk është dhe se mund të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur veten në dekadat e ardhshme”, e mbyll analizën Stephen M. Walt, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit

Një nga diskutimet më të qëndrueshme në komunitetet e politikës së jashtme në të dy brigjet e Atlantikut është se Evropa nuk mund t’i trajtojë problemet e saj të sigurisë dhe për këtë arsye duhet të mbështetet te Shtetet e Bashkuara për mbrojtje, shkruan ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Stephen M. Walt, në analizën autoriale në një shkrim të revistës amerikane të politikës së jashtme.

Nën ombrellën amerikane të sigurisë

Megjithëse udhëheqësit evropianë dhe ekspertët e mbrojtjes kanë folur për dëshirën e një autonomie më të madhe strategjike dhe herë pas here sugjerojnë se është koha për të marrë fatin e tyre në duart e tyre (siç e tha kancelarja gjermane Angela Merkel më 2017), besimi se siguria në Evropë varet përfundimisht nga ombrella amerikane e sigurisë është ajo që dominon në mesin e establishmentit, por edhe të shumë analistëve e ekspertëve të sigurisë në kontinentin e vjetër.

“Ky përfundim duhet të merret me mëdyshje. Megjithëse shtetet e Evropës përballen me disa probleme të sigurisë, i vetmi kërcënim për kontinentin për të cilin fuqia ushtarake e SHBA-së mund të jetë e rëndësishme, është përplasja e drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë. Megjithatë, të paktën në letër, Evropa ka më shumë se fuqi të fshehtë për ta trajtuar atë problem”, shkruan Walt.

Ai kujton se si anëtarët evropianë të NATO-s, bashkërisht, kanë më shumë se 500 milionë banorë, derisa popullsia e Rusisë është vetëm 145 milionë. Evropianët janë gjithashtu shumë më të shëndetshëm: Jetëgjatësia mesatare në Evropë është afërsisht 82 vjet, ndërsa në Rusi është vetëm 72 (dhe madje edhe më e ulët për burrat). Prodhimi vendor bruto i kombinuar i NATO-s në Evropë është më shumë se 15 trilionë dollarë; ndërkaq i Rusisë është vetëm 1.7 trilionë dollarë, e që është më e vogël se vetëm e Italisë. Edhe më e jashtëzakonshme akoma, është e dhëna se anëtarët evropianë të NATO-s shpenzojnë tre deri në katër herë më shumë për mbrojtje në vit se Rusia. Në të vërtetë, Gjermania dhe Franca së bashku shpenzojnë më shumë se Rusia, radhit eksperti amerikan i politikës së jashtme të dhënat krahasimtare ndërmjet shteteve evropiane dhe shtetit rus.

Edhe Vetëm një në 10 evropianë e konsideron aleate SHBA-në Botë 1 muaj më parë Vetëm një në 10 evropianë e konsideron aleate SHBA-në

NATO-ja mund ta frenojë edhe mësymjen ruse në Evropën Lindore

“Edhe nëse dikush lejon dyfishimin e përpjekjeve të mbrojtjes dhe joefikasiteteve të tjera (të cilat mund të zvogëlohen në mënyra të ndryshme), Evropa duket se ka kapacitetin themelor për të parandaluar dhe mundur përfundimisht një ofensivë ruse në Evropën Lindore”, shkruan Walt në “Foreign Policy”. “Edhe sot, Britania dhe Franca kanë barrierat e tyre bërthamore, dhe industritë e mbrojtjes së Evropës prodhojnë disa nga armët më të mira konvencionale në botë, përfshirë tanket dhe artilerinë e klasit të parë, raketat e shkëlqyera ajër-ajër, anije dhe nëndetëse të përparuara sipërfaqësore dhe avionë të sofistikuar luftarakë. Përgatitjet e mbrojtjes së Evropës sigurisht që kanë disa mangësi, por ideja se i mungon potenciali i parë për të mbrojtur veten dhe kështu kërkon që Shtetet e Bashkuara të bëjnë punën në vazhdimësi, duket qartazi”,

Por ndryshe mendojnë Hugo Meijer dhe Stephen G. Brooks në një artikull të fundit në revistën akademike “International Security”. Përkundër se shumëkush beson se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen në përparësitë e tjera dhe gradualisht të lënë evropianët të marrin përsipër përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre, ata argumentojnë se Evropa është e paaftë për të ngritur vetë kapacitete të besueshme të mbrojtjes. “Nëse Shtetet e Bashkuara duan një Evropë të qëndrueshme, duhet të vazhdojnë politikën e tyre të ‘angazhimit të thellë’ dhe të mbeten garantuesi kryesor i sigurisë së Evropës. Nga ana e tyre, evropianët duhet të braktisin qëllimin e autonomisë strategjike, të adoptojnë ambicie më modeste të mbrojtjes dhe të vazhdojnë të mbështeten te xha Sam”, shkruan Walt.

Ai thotë se artikulli i Meijerit dhe Brooksit është përpjekje serioze për të analizuar disa nga pengesat e mundshme për autonomi më të madhe strategjike evropiane. “Por përfundimi - se autonomia është e pamundur dhe se stabiliteti në Evropë kërkon një angazhim thelbësor të SHBA-së për dekadat që vijnë - është i gabuar”, vlerëson Walt, duke i radhitur pastaj edhe tri argumentet kryesore të Meijerit dhe Brooksit.

Më pak Amerikë në Evropë!

Së pari, ata pretendojnë se aftësitë ekzistuese të Evropës janë aq të mangëta sa që do të duhej një përpjekje masive dhe kohë e gjatë për t’i jetësuar. Së dyti, vazhdon akademiku amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, ata argumentojnë se Rusia sot është shumë më e aftë sesa sugjerojnë krahasimet e bruto prodhimit vendor, popullsisë ose shpenzimeve të mbrojtjes, kryesisht sepse forcat e saj të armatosura mbështeten te rekrutët e paguar dobët dhe prodhuesit e armëve shkaktojnë shumë telashe për rublën ruse. Në veçanti, shton Walt, ata argumentojnë se krahasimi i shpenzimeve të mbrojtjes duke përdorur barazinë e fuqisë blerëse në vend të kurseve të këmbimit të tregut, i sjell shpenzimet e mbrojtjes së Rusisë më afër numrave të Evropës së NATO-s (megjithëse është akoma më e ulët).

“Në rastin tim, për shembull, unë kam argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet gradualisht të zvogëlojnë praninë e tyre ushtarake për t'i dhënë kohë Evropës të përmirësojë forcat e saj. Edhe përkrahësi entuziast i përmbajtjes së SHBA-së, Barry Posen, i cili kohët e fundit botoi një analizë të rëndësishme që tregon se si Evropa mund ta mbrojë veten kundër një sulmi rus, e pranon se arritja e këtij qëllimi do të kërkojë që disa vende evropiane të planifikojnë me mençuri dhe të zhvillojnë disa aftësi që u mungojnë aktualisht. Të përsëris: Asnjë analist serioz nuk po thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të largohen nga NATO-ja javën e ardhshme”, shkruan Walt, duke shtuar se nuk do të duhej një dekadë ose më shumë që vendet evropiane të zhvillonin forca konvencionale që mund të mbroheshin kundër një sulmi rus, veçanërisht “kur mendohet se forcat ruse kanë aftësi të kufizuara sulmuese dhe mbeten një hije e zbehtë e ndarjeve sovjetike të vendosura në Evropën Lindore gjatë Ftohtë Luftë. Evropianët gjithashtu do të kishin avantazhin e luftës në mbrojtje”.

Bashkë përballë Kinës

Edhe Opinion 2 muaj më parë Buxhetet më të mëdha të mbrojtjes s’mjaftojnë për ta bërë Evropën më të sigurt

Ekziston një formulë potencialisht tërheqëse për bashkëpunimin e sigurisë trans-atlantike, por kërkon një rimendim më të plotë të çështjes sesa sigurojnë Meijer dhe Brooks. Ligjëruesi i Harvardit thotë se kjo formulë mbështetet në një përgjigje të koordinuar ndaj Kinës dhe një ndarje të re të detyrave midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

“Ndërsa konkurrenca me Kinën nxehet, Shtetet e Bashkuara do të duan që partnerët e traktatit evropian të rreshtohen së bashku me të. Në fund të fundit, vështirë se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të mbrojnë Evropën nëse aleatët e tyre qëndrojnë neutralë ndaj rivalit të tyre kryesor global”, paralajmëron Walt.

“Uashingtoni do të ketë nevojë që Evropa të marrë më shumë barrën e mbrojtjes së saj në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të përqendrojnë më shumë burime në Azi. Ai gjithashtu dëshiron të sigurohet që marrëdhëniet ekonomike të Evropës me Pekinin nuk ndihmojnë dukshëm përpjekjet e Kinës në fusha të ndjeshme të teknologjisë së përparuar dhe veçanërisht ato me aplikime ushtarake. Nga ana e saj, Evropa do të dëshirojë që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë të përkushtuara në mbrojtjen e tyre dhe të koordinojnë për çështje të tilla si qeverisja digjitale dhe ndryshimi i klimës”.

Walt thotë se pikërisht këtu qëndron baza për një pazar të ri dhe të përmirësuar transatlantik. Nëse Evropa bie dakord të rreshtohet me Shtetet e Bashkuara në konkurrencën e sigurisë kino-amerikane, atëherë Washingtoni mund të bjerë dakord të lërë disa trupa amerikane në Evropë dhe të mbetet një anëtar aktiv i NATO-s, thekson ai.

Mst: Partneri i ri i aleatëve të vjetër

Në këtë ujdi, sipas tij, do të duhej të përfshihej edhe Nenit 5 për mbrojtjen kolektive. Me kalimin e kohës, megjithatë, anëtarët evropianë të NATO-s pritet të mbajnë barrën kryesore të ruajtjes së ekuilibrit rajonal të fuqive, duke zvogëluar, por jo eliminuar rolin e Amerikës në mbrojtjen e Evropës. Me kalimin e kohës, një evropian do të merrte rolin e komandantit suprem aleat të NATO-s dhe ushtria amerikane nuk do të luante rol më udhëheqës në mbrojtjen e Evropës. Do të mbetej një partner i rëndësishëm strategjik.

“Amerikanët duhet ta mirëpresin këtë formulë sepse Shtetet e Bashkuara përballen me kërkesa të shtrenjta brenda dhe jashtë vendit. Në vend të një Evrope të varur që bërtet për mbrojtje sa herë që një komandant rus ndez motorin e tankut të tij, amerikanët duan një grup të aftë shtetesh evropiane që mund të bëjnë shumë më tepër për të trajtuar problemet e tyre të sigurisë”, spikat Walt, duke vlerësuar se edhe evropianët duhet të mirëpresin një partneritet më të barabartë me Shtetet e Bashkuara: “Nuk mund të jetë komode të jesh kaq e varur nga një superfuqi kapricioze gjykimi i së cilës shpesh lë shumë për të dëshiruar”.

Edhe Kolumne 3 muaj më parë SHBA-ja nuk do të largohet nga NATO-ja, por kjo aleancë po dobësohet

“Shqetësimet evropiane në lidhje me Kinën po rriten vazhdimisht dhe ata janë të etur për të parandaluar një tërheqje të plotë të SHBA-së, kështu që ka të ngjarë ta shohin këtë marrëveshje si opsionin më të mirë në dispozicion. Sa për Shtetet e Bashkuara, përpjekjet e tyre për të kufizuar fuqinë dhe ndikimin e Kinës do të rriten nëse Evropa është me to, madje gjithnjë e më e bashkuar. Krijimi i një partneriteti të ri dhe të qëndrueshëm transatlantik fillon duke e pranuar se Evropa veç e pafuqishme nuk është dhe se mund të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur veten në dekadat e ardhshme”, e mbyll analizën Stephen M. Walt, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit.

Përgatiti: Rexhep Maloku