Botë

Joe Biden, presidenti i parë amerikan që i bashkohet një proteste

Joe Biden iu bashkua protestave të punëtorëve të veturave në Michigan, duke u bërë presidenti i parë në detyrë në historinë e SHBA-së që e bën këtë.

“Armiku sot nuk është ndonjë vend i huaj me kilometra larg, është pikërisht këtu në zonën tonë. Është lakmi e korporatës”, ka thënë kryetari i sindikatës së punëtorëve, Shawn Fain.

Në një deklaratë të martën, kompania e veturave nuk kritikoi mbështetjen që Bideni ia dha sindikatës.

Presidenti Joe Biden u tha anëtarëve të sindikatës se ata meritojnë “rritje të konsiderueshme” të pagave. Duke iu drejtuar turmës, Bideni ka thënë se punëtorët shpëtuan industrinë e veturave në vitin 2008 dhe bënë shumë sakrifica kur kompanitë ishin në telashe, sipas CNN.

Biden ka theksuar se ka thënë shumë herë se klasa e mesme ndërtoi SHBA-në dhe deklaroi se “sindikatat ndërtojnë klasën e mesme - ky është një fakt”.

“Ju e meritoni atë që keni fituar dhe keni fituar shumë më tepër sesa po paguheni tani”, ka thënë ai.

Sindikata e punëtorëve ka zgjatur grevë ndaj GM dhe Stellantis, por ka ndërprerë grevën te Fordi, kompania e tretë në “Big Three”, pasi ka rritur pagat e punëtorëve.