Pasi kalova javët e fundit duke vizituar tri pjesë të veçanta vijës së frontit dhe duke folur me një numër të madh njerëzish, jam tunduar t'i ndaj këto këndvështrime të ndryshme në tri grupe të gjera: ata që i shohin vijat mbrojtëse të Rusisë sikur të ishin prej kallaji, ata që i shohin si dru, dhe ata që i shohin si xham, shkruan reporteri i BBC-së që ka qëndruar në frontin e luftës.
(BBC) - Kur anesteziku nisi të mbaronte, ushtari ukrainas - 19-vjeçar i rraskapitur dhe krejt baltë – nga pjesa e pasme e ambulancës bërtiste. Më pas me maskën e oksigjenit në fytyrë teksa shante prerazi tha: “Më jepni automatikun tim”.
“Shpesh janë kështu. Kanë shumë trauma”, thotë doktoresha Inna Dymitr, e cila përkëdhelte fytyrën e zbehtë të ushtarit që ra pandjenja teksa ambulanca lëvizte me shpejtësi të madhe për t’u larguar nga vija e frontit në juglindje të Zaporizhzhias.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUshtari i ri quhej Oleh. Në një llogore atë mëngjes, copëzat nga mortaja ruse që shpërtheu e qëlluan në pjesën e poshtme të shpinë, me shumë mundësi duke ia prerë palcën kurrizore.
“Është stabil, por në gjendje të rëndë. Kemi shumë si ai”, thotë doktoresha Dymitr, teksa përmendte dhjetëra ushtarë të plagosur rëndë në ditët e fundit. Ajo punon për “MOAS”, grup privat i ndihmave që financohet nga Perëndimi.
Kur po ngrihet numri i të vrarëve nga kundërofensiva e Ukrainës, është e lehtë të kuptohet përse - në vizitën e rrallë në këtë pjesë të kontrolluar nga ukrainasit afër frontit jugor - disa ushtarë dhe vëzhgues kanë filluar të pyesin nëse avancimi i ushtrisë është i mundur, ose nëse vijat mbrojtëse të Rusisë , të ndërtuara dhe të përforcuara shumë gjatë muajve të dimrit, janë thjesht pengesë shumë e madhe.
“Pa më shumë ndihmë [Perëndimore], mendoj se mund ta humbim këtë lojë”, thotë Kyrylo Potras, marins ukrainas. Ai ka humbur pjesën e poshtme të këmbës së majtë nga mina ruse në vitin 2020, por tani është kthyer përsëri në vijën e frontit. Potras thotë se minat e shumta nëpër fushat e vijës së frontit, po rezultojnë në pengesë të madhe për avancimin e forcave ukrainase.
“Këta rusë...janë shumë [prej tyre]. Ata kanë shumë armë antitank dhe sisteme raketash”, thotë ai.
Megjithatë, një muaj pas kësaj kundërofensive të planifikuar prej kohësh nga Ukraina, ka shumë ushtarë dhe ekspertë që nuk pajtohen, duke gjykuar se faza e parë po shkon sipas planit dhe se vija aktive e frontit - e cila shtrihet në harkun prej më shumë se 1 mijë kilometrash, nga bregu i Detit të Zi deri në kufirin verilindor të Ukrainës me Rusinë - nuk do të thyhej kurrë me të njëjtën shpejtësi të madhe që forcat e Kievit e arritën vitin e kaluar.
Tri pikëpamje për luftën
Pasi kalova javët e fundit duke vizituar tri pjesë të veçanta vijës së frontit dhe duke folur me një numër të madh njerëzish, jam tunduar t'i ndaj këto këndvështrime të ndryshme në tre grupe të gjera: ata që i shohin vijat mbrojtëse të Rusisë sikur të ishin prej kallaji, ata që i shohin si dru, dhe ata që i shohin si xham.
Teoria e kallajit - e lakueshme por elastike - u skicua për herë të parë për mua, më shumë se dy javë më parë, nga një mjek i lodhur që takova në një spital fushor afër qytetit pothuajse të shkatërruar të Donbasit, Bakhmut.
Mes luftimeve dhe zhurmave nga artileritë, ai rrëfeu për numrin e madh të viktimave nga ana e Ukrainës, paralajmëroi se Rusia kishte pasur shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e saj dhe kishte shumë trupa ushtarësh dhe arriti në përfundimin se ndërkohë që Ukraina mund të ishte në gjendje të shtynte vijën e e frontit më përpara, ndoshta edhe me dhjetëra kilometra, do të kishte vështirësi të bënte më shumë sesa të dëmtonte kontrollin strategjik të përgjithshëm të Rusisë në Ukrainën lindore dhe juglindore.
“Mendoj se kjo luftë nuk do të ketë fund në fushën e betejës. Do të përfundojë me marrëveshje politike”, thotë ai.
Teoria e drurit - me të cilën nënkuptoj një vijë të frontit që ka më shumë gjasa të këputet dhe të copëtohet, por jo të shembet – më ra ndërmend pas gati tri orësh udhë me automjet në jugperëndim të Bakhmutit, pak më larg qytetit të vogël të Velyka Novosilka.
Në fushat dhe kodrat rrethuese që shtrihen drejt Detit të Zi, forcat ukrainase po shtynin përpara, duke gjetur rrugë përmes fushave të minuara dhe duke sulmuar pozicionet ruse nga këndvështrime të papritura, dhe - ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme - duke kontrolluar pjesë të konsiderueshme të territorit dhe disa fshatra dhe qytete të vogla.
“Unë jam një realist, megjithëse disa njerëz më quajnë pesimist”, thotë Artem, ushtar 36-vjeçar, teksa mbi kokën e tij aeroplani ukrainas gjëmonte fort. Pikëpamja e tij ishte se morali i trupave ruse është i ulët dhe se Ukraina ka gjasa që të bëjë disa përparime të rëndësishme në muajt e ardhshëm. Por nuk mundi ta shihte kundërofensivën të kthehej në shkatërrim, siç ndodhi shkurtimisht nëntorin e kaluar.
“Media dhe shoqëria janë me nxitim. [Por] opsioni më i keq është gjithmonë i mundur”, shton ai teksa pyet veten se çfarë lloj “çmimi” do të ishte e gatshme të bënte Ukraina për sa u përket viktimave të mundshme që mund të ketë kur do të bëjë përpjekje të thyejë vijën strategjike të frontit të Rusisë.
Është e dukshme që perspektivat më të zymta në lidhje me kundërofensivën e Ukrainës priren të vijnë nga ushtarët më të afërt me vijën e frontit dhe më të përfshirë në operacione luftarake.
Mund të argumentoni se ata kanë përvojën më të madhe dhe pikëpamjet më realiste. Por është gjithashtu e arsyeshme të theksohet se këta ushtarë janë më së paku në gjendje të shohin peizazhin më të gjerë, të fokusuar, siç janë, në seksione të vogla të një operacioni të madh ushtarak.
Kjo më çon në teorinë e xhamit: pikëpamja - e mbajtur gjerësisht nga analistë të shquar ushtarakë perëndimorë si Mick Ryan dhe gjeneralë si shefi i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar Sir Tony Radakin - se kundërofensiva është në rrjedhë dhe se në javë ose muaj, mbrojtja e Rusisë do të shkatërrohet, duke lejuar Ukrainën të pushtojë territor të rëndësishëm strategjik dhe të përparojë afër (nëse jo në) gadishullin e Krimesë.
Durimi ukrainas
Mbështetësit e kësaj teorie kërkojnë durim, jo pesimizëm, duke argumentuar se mungesa e forcës ajrore të Ukrainës do të thotë se nuk mund të bëjë punën e hershme jetike të shkatërrimit të “sistemit operacional” të Rusisë - që do të thotë linjat e furnizimit logjistik dhe qendrat e komandës - me shpejtësinë që do të donte.
Në vend të kësaj, forcat ukrainase po përdorin raketa me bazë tokësore për të kryer punën, dhe në të njëjtën kohë sulmojnë pozicionet ruse në sa më shumë vende të jetë e mundur, në mënyrë që të lidhin dhe shkatërrojnë sa më shumë fuqi ushtarake dhe pajisje armike që të jetë e mundur.
“Vriti urie, zgjerohu dhe goditi”, ishte mënyra se si Sir Tony, shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë, e përshkroi strategjinë në parlament këtë javë, duke arritur në përfundimin se Rusia tashmë “ka humbur gati gjysmën e efektivitetit luftarak të ushtrisë së saj”.
Në një spital tjetër fushor - ku Oleh, ushtari 19-vjeçar me plagë të rëndë në shpinë ishte kujdesur për pak kohë nga mjekët përpara se të shkonte me ambulancë për në Zaporizhzhia - një mjek ukrainas që kërkoi të përdornim vetëm emrin e tij të parë, Yevhen, përmblodhi atë që unë ende do ta përshkruaja si disponimin dominues dhe optimist të shumicës së ushtarëve dhe zyrtarëve ukrainas që kam takuar këtu.
“Të gjithë janë duke pritur për [avancimin]. Ne besojmë dhe presim. Ne e dimë se gjithçka do të jetë mirë. Ne vetëm duhet të jemi të durueshëm”, thotë ai me një buzëqeshje, i ulur nën rrezet e diellit jashtë spitalit fushor të mirorganizuar, teksa artileria jehonte në distancë.