Presidenti i CNN-it, Jeff Zucker ka dhënë dorëheqjen nga rrjeti pasi nuk kishte zbuluar një marrëdhënie romantike me një drejtuese të lartë.
Zucker, 56-vjeçar ka thënë në një memo për kolegët se ai ishte "gabim" që nuk e raportoi marrëdhënien siç kërkohet.
“Si pjesë e hetimit për mandatin e Chris Cuomo në CNN, më pyetën për një marrëdhënie konsensuale me kolegen time më të ngushtë, dikë me të cilën kam punuar për më shumë se 20 vjet”, u ka thënë Zucker punonjësve në një memo.
"Unë e pranova se marrëdhënia evoluoi vitet e fundit. Më kërkuan ta zbuloja kur filloi, por nuk e bëra. E kisha gabim. Si rezultat, sot po jap dorëheqjen”, ka shtuar ai.
Zucker nuk e përmendi emrin e koleges së tij në memo, por fjala është për Allison Gollust, shefen e marketingut për CNN. Ndërkohë, Gollust po qëndron në CNN.
Në një memo të saj, Gollust tha, "Jeff dhe unë kemi qenë miq të ngushtë dhe partnerë profesionistë për më shumë se 20 vjet. Së fundmi, marrëdhënia jonë ndryshoi gjatë pandemisë me COVID-19. Më vjen keq që nuk e zbuluam atë në kohën e duhur. Unë jam tepër krenare për kohën time në CNN dhe mezi pres të vazhdoj punën e madhe që bëjmë çdo ditë”.
Lajmi për dorëheqjen e Zucker e la stafin brenda rrjetit të tronditur. Punonjësit në kompani mësuan për largimin e tij të papritur në memon që Zucker i dërgoi stafit pak pas orës 11:00, sipas kohës lokale.
Zucker është një nga drejtuesit më të fuqishëm dhe më me ndikim në industrinë e medias. Dorëheqja e tij e papritur vjen pasi WarnerMedia është në procesin e bashkimit me Discovery. Dorëheqja gjithashtu vjen pasi CNN-i planifikon të nisë një shërbim transmetimi, CNN+, në pranverë.
Zucker mori drejtimin e CNN-ut në vitin 2013, në një kohë kur vëzhguesit e industrisë thanë se rrjeti po përballej me një krizë identiteti.