Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Japonia në bisedime për hapjen e zyrës ndërlidhëse të NATO-s

Japonia është në bisedime për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s, e cila do të ishte e para e këtij lloji në Azi, raportoi të mërkurën CNN-i.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi, i cili tha se pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë botën më pak të qëndrueshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Ne jemi tashmë në diskutime, por asnjë detaj ende nuk është finalizuar," ka thënë Hayashi, duke folur një javë përpara samitit të G7-ës, të organizuar këtë vit nga Japonia në Hiroshima.

Hayashi përmendi në mënyrë specifike pushtimin rus të Ukrainës vitin e kaluar si ngjarje me pasoja shumë përtej kufijve të Evropës që e detyruan Japoninë të rimendonte sigurinë rajonale.

“Arsyeja pse po diskutojmë për këtë është se që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, bota është bërë më e paqëndrueshme. Diçka që ndodh në Evropën Lindore nuk kufizohet vetëm në çështjet në Evropën Lindore dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në situatën këtu në Paqësor. Kjo është arsyeja pse një bashkëpunim mes nesh në Azinë Lindore dhe NATO-s bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm”, ka thënë ai.

NATO ka zyra të ngjashme ndërlidhëse në vende të tjera, duke përfshirë Ukrainën dhe Vjenën. Zyra ndërlidhëse në Japoni do të mundësonte diskutime me partnerët e sigurisë të NATO-s, si Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, mbi sfidat gjeopolitike, teknologjitë e reja dhe kërcënimet kibernetike.

"Sa i përket planeve për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Japoni, ne nuk do të hyjmë në detajet e diskutimeve të vazhdueshme midis aleatëve të NATO-s. NATO dhe Japonia kanë një bashkëpunim afatgjatë”, ka thënë javën e kaluar për CNN-in një zëdhënës i NATO-s.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është ftuar të marrë pjesë në samitin e G7-s javën e ardhshme, së bashku me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Kina është deklaruar më parë kundër zgjerimit të shtrirjes së NATO-s në Azi dhe nuk iu përgjigj pozitivisht raporteve mbi zyrën e mundshme të Japonisë.

“Azia është një tokë premtuese për bashkëpunim dhe një vatër për zhvillim paqësor. Nuk duhet të jetë një platformë për ata që kërkojnë luftime gjeopolitike. Shtytja e NATO-s drejt lindjes dhe ndërhyrja në çështjet e Azisë Paqësorit do të dëmtojë patjetër paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning në një konferencë javën e kaluar.