Shoqata e Qendrave të Krizës së Përdhunimeve në Izrael ka thënë të mërkurën se ka gjetur prova të përdhunimeve dhe abuzimeve seksuale "sistematike dhe të qëllimshme" gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, që ndezi luftën në Gaza.
Raporti thotë se sulmet ishin më të përhapura sesa mendohej më parë, duke u zhvilluar në një sërë vendndodhjesh në jug të Izraelit, raportoi AP.
“Në disa raste, përdhunimi u krye para njerëzve të tjerë, të tillë si partnerët, familja ose miqtë, për të rritur dhimbjen dhe poshtërimin për të gjithë të pranishmit”, thotë raporti.
Orit Sulitzeanu, drejtor ekzekutiv i shoqatës, ka thënë se në shumë raste, trupat e viktimave meshkuj dhe femra, përfshirë organet e tyre gjenitale, ishin gjymtuar rëndë.
Raporti, i publikuar të mërkurën, nuk specifikonte numrin e rasteve që kishte dokumentuar apo identifikuar ndonjë viktimë, madje edhe në mënyrë anonime. Sulitzeanu ka thënë se identifikimi i viktimave ishte i vështirë sepse shumë prej tyre u vranë pasi u sulmuan.
Autorët e raportit kanë thënë se ata e bazuan hulumtimin e tyre në intervista konfidenciale dhe publike si dhe në raportet e mediave.
Edhe
Raporti i parë për sulmin e 7 tetorit: Ushtria e Izraelit dështoi t’i mbrojë civilët
Një hetim i Associated Press ka zbuluar gjithashtu se sulmi seksual ishte pjesë e sulmit nga grupi militant palestinez Hamas dhe të tjerëve që vranë rreth 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë, dhe morën rreth 250 pengje më 7 tetor. Hamasi ka hedhur poshtë akuzat se personat e saj të armatosur kanë kryer sulme seksuale.
Sipas raportit izraelit, i cili iu dorëzua Kombeve të Bashkuara dhe hetuesve të OKB-së që kryenin një hetim të ngjashëm, dhuna seksuale dhe me bazë gjinore ndodhi në katër vende kryesore - një festival muzikor ku u vranë mbi 360 njerëz, komunitete pranë kufirit të Gazës, bazat ushtarake izraelite që u pushtuan nga Hamasi dhe vendet ku mbaheshin pengjet në Gaza.