Ndërmjetësuesit dhe përfaqësuesit e Hamasit kanë arritur në kryeqendrën e Egjiptit, Kajro, për bisedime për një armëpushim të ri, por Izraeli është duke kërkuar garanci për fatin e pengjeve para se të marrë pjesë, raporton “BBC”.
Një zyrtar amerikan ka thënë se Izraeli “parimisht” ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit.
Por, mediat izraelite raportojnë se Hamasi po refuzon të japë emrat e pengjeve që janë ende gjallë, kështu që Izraeli nuk do të marrë pjesë në bisedime.
SHBA-ja ka thënë se gjatë armëpushimit gjashtëjavor do të duhej të liroheshin më tepër pengje izraelite dhe të burgosur palestinezë.
Presioni për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi në Gaza është rritur pas incidentit në qytetin e Gazas të enjten ku të paktën 112 persona humbën jetën derisa turma e palestinezëve kishte nxituar për te konvoji i ndihmave.
Edhe
Shpresat rriten për një armëpushim të ri të përkohshëm në Gaza
Hamasi ka akuzuar Izraelin se i ka qëlluar civilët që po tentonin të merrnin ushqim. Izraeli e mohoi këtë.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, ka thënë se pas rishikimit fillestar është konstatuar se ushtarët izraelitë nuk kanë sulmuar në drejtim të turmës, porse disa “plaçkitës u ishin afruar forcave dhe po kërcënonin”.
Ai ka thënë se hetimi i plotë do të kryhet, por ka shtuar se ishte “incident fatkeq ku civilët e Gazës u shtypën për vdekje dhe u lënduan”.
Zyrtarët e Egjiptit që po ndërmjetësojnë bisedimet për armëpushim së bashku me Katarin, kanë thënë se delegacionet nga Hamasi e Izraeli pritet të marrin pjesë në negociata.
Hamasi raportohet të ketë thënë se një marrëveshje armëpushimi pritet të arrihet brenda 24 apo 48 orëve të ardhshme.
Ushtria e Izraelit nisi ofensivën në Gaza me synim shkatërrimin e Hamasit, pasi militantët e këtij grupi ishin futur në jug të Izraelit më 7 tetor dhe vranë 1200 persona e morën 253 pengje.
Edhe
Izraeli kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve
Ministria e Shëndetësisë e Gazas ka thënë se që nga 7 tetori në këtë vend janë vrarë 30,410 persona, përfshirë 21 mijë fëmijë e gra.
Afro 7 mijë persona rezultojnë të zhdukur dhe 71,700 janë të lënduar.