Vendet arabe po konkurrojnë përherë e më shumë për thellimin e marrëdhënieve me armikun e tyre të dikurshëm
Shmuel Bar, zyrtar i dikurshëm i Inteligjencës izraelite, u befasua këndshëm kur e pranoi një thirrje në “WhatsApp” nga Arabia Saudite. Ishte krejtësisht si prej qielli, ka thënë ai, dhe gjithashtu një afirmim i përparimit të jashtëzakonshëm që Izraeli po arrinte në ndërtimin e marrëdhënieve me vendet historikisht armike të Gjirit.
Bar kishte shërbyer në Inteligjencën izraelite për 30 vjet dhe më vonë e kishte themeluar “IntuView”, një kompani që i analizon mediat sociale për përmbajtje të kërcënimeve terroriste. Sipas një analize të revistës amerikane “Foreign Policy”, agjencitë e Inteligjencës dhe trupat e zbatimit të ligjit në Evropë, Shtete të Bashkuara dhe Indi ishin vetëm disa prej klientëve të tij. Tani, edhe sauditët janë të interesuar që ta punësojnë ekspertin izraelit të të dhënave, për të ndihmuar në politikat e kundërterrorizmit dhe më tepër.
Ujditë historike
Zyrtarisht, Qeveria saudite mohon se është duke kryer ndonjë biznes me Izraelin. Insiston se normalizimi varet prej pajtimit të Izraelit për zbatimin e iniciativës paqësore arabe, e cila i hap rrugën një shteti të veçantë palestinez. Mirëpo, prapa dyerve të mbyllura, bashkëpunimi midis izraelitëve dhe disa shteteve të Gjirit është në lulëzim.
“Marrëdhëniet kanë pësuar ndryshim rrënjësor pasi që presidenti i atëhershëm, Barack Obama, e nënshkroi marrëveshjen bërthamore me Iranin më 2015 dhe ia hoqi sanksionet Teheranit më 2016. Irani krejt papritur kishte më shumë para dhe e rriti financimin për militantët e saj në Liban, Siri dhe Irak, ku është duke e zgjeruar ndikimin rajonal. E kjo gjë paraqiti një kërcënim të qartë për Izraelin dhe rivalët rajonalë sunitë të Iranit, veçanërisht Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin, i cili është me shumicë shiite, por që qeveriset nga një mbret sunit”, ka shkruar revista amerikane.
Një vit më vonë, sipas “Foreign Policy”, Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe u dëshmua të jetë një i dërguar i zotit për aleatët tradicionalë të vendit. Me trimërimin e tij, Izraeli ia doli t’i nënshkruante Marrëveshjet Abraham, një ujdi të normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet dhe Bahrejnin. Dhe ani pse sauditët ende nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, ata janë vendosmërisht në bordin e vagonit anti-Iran.
“Tani, teksa presidenti Joe Biden flet për rikthimin në marrëveshjen bërthamore me Iranin, Izraeli po e fuqizon aleancën dikur të paimagjinueshme me partnerët arabë nëpërmjet bashkëpunimit strategjik, teknologjik dhe afarist”, ka shkruar gazeta. Vetëm gjatë muajit të shkuar, Izraeli ka bërë thirrje për formimin e një aleance të mbrojtjes me Arabinë Saudite, Emiratet dhe Bahrejnin, me sytë e kthyer kah Irani. Ka nënshkruar ujdi të ndryshme me Emiratet, ekonominë e dytë më të madhe në Lindje të Mesme, pas Arabisë Saudite, në turizëm, shëndetësi, bujqësi dhe në sektorin e ujit. Sipas një përllogaritjeje fillestare, tregtia bilaterale midis Izraelit dhe Emirateve pritet që të rritet nga 300.000 dollarë në 500 milionë dollarë brenda një viti. Izraeli është pajtuar gjithashtu që t’i përmirësojë marrëdhëniet me Egjiptin, me të cilin ka arritur traktat të paqes më 1979 dhe që atëherë ka bashkëpunuar në mënyrë sporadike në rrafshin e sigurisë.
Me këto dhe shumëçka tjetër, Izraeli është duke u përpjekur që t’i zbusë qëndrimet e vendeve që janë ende armiqësore ndaj tij. Ka blerë vaksinën kundër koronavirusit të Rusisë, gjoja nën një ujdi të shkëmbimit të të burgosurve, për Sirinë, një aleate iraniane dhe anëtare e të ashtuquajturit “bosht i së keqes” për Izraelin.
Përveç të tjerash, arsye shtesë për bashkëpunim është lodhja e përgjithshme në vendet arabe nga kauza palestineze dhe rreshtimi i identiteteve kombëtare përreth një të vetmes arabe.
“Izraeli është tani në Gji”

Neomi, një qytet futuristik prej 500 miliardë dollarësh që është në epiqendër të planit ekonomik për vitin 2030 të princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, është duke u ndërtuar afër qytetit turistik izraelit Eilat, përskaj Detit të Kuq dhe Gjirit të Aqabas. Në nëntorin e 2020-s, Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu i rrodhi raportet mbi një takim sekret me princin saudit dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, afër Neomit. Kjo gjë, sipas FP-së, ka nxitur spekulimet lidhur me atë se jo vetëm se si synojnë që të bashkëpunojnë kundruall Iranit, por edhe se që të dyja kompanitë izraelite mund të luajnë nga një rol në ndërtimin e qytetit.
Aziz Alghashian, një analist rreth marrëdhënieve të Arabisë Saudite me Izraelin, ka thënë se Neomi konsiderohet si arenë e re, ku që të dy vendet mund ta kenë bashkëpunimin e radhës.
“Në përgjithësi, sauditët po ecin drejt transformimit të ekonomisë së tyre dhe janë duke u bërë më të varur nga teknologjia sesa nga nafta, dhe këtu mund të ndihmojë Izraeli”, ka thënë ai për “Foreign Policy”. “Çfarë Neomi përfaqëson është se shtysa për bashkëpunim të hapur midis Arabisë Saudite dhe Izraelit është duke u rritur. Kjo lë të kuptohet gjithashtu se sikur Arabia Saudite dhe Izraeli të kishin marrëdhënie normale apo relacione të hapura të çfarëdo forme, atëherë do të motivohej nga pasuria e sauditëve më përpara se luftimi i Iranit”.
Ndërkaq Yoel Guzansky, hulumtues i lartë në Institutin e Izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare, ka thënë se “Izraeli është tani në Gji dhe më nuk duhet që të fshihet”.
Për më tepër, armiqësia e Bidenit kundruall Mohammed bin Salmanit lidhur me vrasjen e disidentit dhe gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, dhe përgjithësisht shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut në mbretëri, por edhe në Emirate dhe Egjipt, është duke i betonuar marrëdhëniet.
“Marrëdhëniet e tensionuara midis Washingtonit dhe Riadit po shpinë drejt një kuarteti të ri – Izrael, Arabi Saudite, Emirate të Bashkuara dhe Bahrejn.
Lindja e Mesme është aktualisht e ndarë midis bllokut saudit, Iranit dhe Turqisë. Izraeli, sipas FP-së, nuk është në ndonjë farë përplasjeje me Turqinë, por është e acaruar me të shkaku i mbështetjes për Hamasin, lëvizjen palestineze dhe grupet militante. Blloku saudit është i trazuar nga mbështetja turke për islamikët politikë në Vëllazërinë Myslimane, që ka degë lokale në Gji.
“Politikat e Izraelit përqendrohen në degradimin e kapaciteteve të forcave radikale armiqësore – duke nisur prej Izraelit te Hezbollahu, Hamasi dhe më shumë”, ka thënë për “Foreign Policy”, Koby Huberman, bashkëthemeluesi i një qendre izraelite të opinionit publik që punon për bashkëpunimin rajonal. “Pos kësaj, Izraeli, bashkë me vendet e tjera arabe, synon ta bllokojë ndikimin negativ të lëvizjeve dhe forcave të Vëllazërisë Myslimane, të mbështetur dhe financiar nga Turqia dhe Katari”.
Mirëpo disa analistë izraelitë kanë shprehur drojën se Izraeli mund ta humbasë ndikimin në Gji nën presidencën e Joe Bidenit. Pavarësisht të gjithat, Izraeli shpreson që ta përfaqësojë veten si një fuqi e butë në rajon, një synim ky i vlefshëm por i paarritshëm për aq kohë sa vazhdon që t’i aneksojë tokat palestineze.
Elizabeth Tsurkov, një anëtare e Institutit “Newlines” për Strategji dhe Politika, ka thënë se kompanitë arabe do të hezitojnë t’i blejnë produktet izraelite kryesisht shkaku se nuk do të duan që t’i “armiqësojnë myshterinjtë”.
“Kjo gjë do t’i rriste edhe më tepët kapacitetet represive të vendeve të Gjirit, si dhe aftësinë e tyre për t’i gjurmuar disidentët dhe mbikëqyrur komunikimet e tyre private. Kësisoj, bashkëpunimi Izrael-Gji do të jetë mbase përcaktues për liritë politike”.
Bar ka thënë se është i sigurt që shërbimet e kompanisë së tij nuk janë keqpërdorur për shtypjen e disidencës në Arabinë Saudite. Megjithëkëtë, ai ka thënë se do të ishte më i lehtësuar po të kishte punë me një vend si Suedia.
Me gjithë sfidat, marrëdhënia e Izraelit me bllokun saudit dhe të Emirateve duket të jetë lart e më lartë. Dhe derisa e paraqesin një front të përbashkët kundër Iranit, përpjekja e Bidenit për t’iu rikthyer ujdisë bërthamore vetëm sa do të bëhet më e vështirë.
Analizë e “Foreign Policy”