Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli është gati për një pauzë të dytë humanitare në Gaza

Izraeli është gati për një pauzë të dytë humanitare në Rripin e Gazës për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, ka thënë të martën presidenti izraelit Isaac Herzog.

“Mund të them se Izraeli është gati për një tjetër pauzë humanitare dhe ndihmë humanitare shtesë për të mundësuar lirimin e pengjeve”, ka thënë Herzog gjatë një takimi me ambasadorët e 80 vendeve.

“Përgjegjësia i takon tërësisht liderit të Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, dhe udhëheqjes së Hamasit”, ka shtuar ai.

Në pauzën humanitare të mëparshme muajin e kaluar, e cila zgjati shtatë ditë, Hamasi liroi 84 izraelitë dhe 24 shtetas të huaj në këmbim të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

Herzog ka thënë se Izraeli “nuk është në luftë me popullin palestinez, por po lufton armikun e tij Hamas”.

Hamasi nuk ka reaguar ende për deklaratat e presidentit izraelit.

Edhe Hamasi dorëzon edhe 13 pengje të tjera izraelite Botë Hamasi dorëzon edhe 13 pengje të tjera izraelite

Izraeli filloi bombardimin ajror dhe tokësor të Rripit të Gazës, vendosi rrethim dhe filloi ofensivë tokësore në hakmarrje për një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Që atëherë, të paktën 19.667 palestinezë janë vrarë dhe 52.586 janë plagosur në sulmet izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Rreth 1200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa më shumë se 130 pengje janë ende të mbajtur rob.