Botë

Ivanov: Nuk do të jap mandatin për formimin e qeverisë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ritheksoi të mërkurën se nuk do ta japë mandatin për formimin e Qeverisë së re deri në mënjanimin e plotë të të gjitha pengesave juridike dhe politike.

Përderisa këto pengesa ekzistojnë, Ivanov tha se dhënia e mandatit nga ana e tij do të mund të kontestohet nga gjithsecili.

“Ka pengesa juridike dhe politike për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë dhe deri sa këto pengesa nuk mënjanohen unë nuk mund të sjellë vendimi i cili mund të kontestohet nga cilido. Nëse një vendim i tillë kontestohet, atëherë do të vihet në pyetje përgjegjësia ime prandaj kërkoj dhe insistoj që pengesat juridike dhe politike të largohen”, tha Ivanov, raporton Alsat-M.

LSDM-ja nga ana tjetër fton Ivanovin, Veljanovskin dhe Gruevskin të veprojnë në pajtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe premtoi zgjedhjen e shpejtë të kreut të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar përsëriti edhe një herë porosinë e Brukselit për zhbllokim të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Zhbogar theksoi se koha e zgjedhjeve dhe debatit ka kaluar dhe kërkoi formim të institucioneve.

“Qëndrimi im është se tani vërtet është koha të ecet përpara, të formohen institucionet, të zgjidhet kryeparlamentari, të formohet qeveria; për pushtetin, opozitën dhe për qytetarët në përgjithësi të fillojnë ta dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të fillojnë rindërtimin e unitetit”, tha Zhbogar.

Ndryshe, që pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, Maqedonia ka hyrë në muajin e gjashtë pa konstituim të institucionit ligjvënës dhe pa qeveri të re.