Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Italia zbut masat e izolimit në mes të frikës për një shpërthim të dytë të virusit

Foto: Reuters

Italia, si shumë vende të tjera të botës, sot ka nisur me lehtësimin e masave të izolimit në përpjekje për të ringjallur ekonominë, megjithëse zyrtarët paralajmëruan që të mos shpejtohet në këtë aspekt, marrë parasysh numrin e të infektuarve - 3.5 milionë në nivel global dhe mbi një çerek milioni të vdekur, raporton Reuters.

Italia që është një nga vendet më të goditura në botë nga pandemia, ka filluar t’i relaksojë masat duke lejuar rreth 4.5 milionë njerëz të kthehen në punë pas gati dy muajsh të bllokuar në shtëpi.

Vende të tjera të cilat i liruan masat janë Spanja, Nigeria, Azerbajxhani, Malajzia, Izraeli, Tunizia dhe Libani. Ato nisën t’i rihapin fabrikat, parqet, sallonet e floktarëve dhe bibliotekat. Në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e shteteve rihapën pjesërisht ekonomitë e tyre gjatë fundjavës së kaluar.

Lehtësimi i masave vjen pasi shkalla ditore e rasteve të reja me COVID-19 në të gjithë botën ka rënë për 2 deri në 3 për qind gjatë javës së kaluar.

Sipas Reuters, bazuar në të dhënat e Qeverisë, rastet e të infektuarve në nivel global kanë arritur rreth 3.52 milionë. Megjithatë, numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë, pasi që shumica e vendeve regjistrojnë vetëm vdekjet në spital.

"Ende duhet të jemi skeptikë për numrat që marrim", tha Peter Collignon, një mjek i sëmundjeve infektive dhe mikrobiolog në Spitalin Canberra të Australisë.