Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irma nuk i tremb, shqiptarët nuk largohen nga Florida

Në shtetin amerikan të Floridës, të kërcënuar nga furia e uraganit më të fuqishëm të shekullit në Atlantik, ka një komunitet të madh shqiptarësh.

Por pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve mbi seriozitetin e situatës dhe apeleve për evakuimin e 5,6 milionë personave, një pjesë e mirë e tyre kanë vendosur të qëndrojnë, të bindur se mund ta përballojnë tërbimin e motit.

Pas mesazhit të saj në vazhdën e uraganit Harvey, që gjunjëzoi Teksasin, ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Floreta Faber ka përcjellë përmes Facebook-ut shqetësimin e radhës për bashkëkombasit tanë në Amerikë, raporton TopChannel.

Këtë herë, vëmendja është spostuar në pjesën jugore të Floridës, ku autoritetet amerikane, siç sqaron diplomatja, po i qëndrojnë shumë afër popullsisë së zonave që parashikohet të preken nga Irma.

“Gjatë këtyre ditëve jam munduar të qëndroj në lidhje për informacione, me përfaqësuesit e organizatave shqiptare në shtetin e Floridës. Ka pak shqiptarë që duket se kanë lëvizur nga banesat e tyre, pjesa me e madhe besojnë se mund t’i bëjnë ballë situatës aty ku janë”, u shpreh Faber.

Fatmir Cuka është një prej tyre. Në profilin e tij në Facebook, ai shkruan se i ka marrë masat, duke siguruar ushqime e gjeneratorë dhe shton se nuk ka frikë nga uragani.

Edhe Rikthehet energjia në pjesën më të madhe të Floridës Botë Rikthehet energjia në pjesën më të madhe të Floridës

Faber bën thirrje në mesazhin e saj, që të ndiqen udhëzimet e autoriteteve lokale dhe njoftimet e rifreskuara, të cilat dalin nga ora në orë bashkë me parashikimet e lëvizjes së stuhisë.

Banorët e Floridës ende nuk e kanë harruar uraganin Andrew dhe valën e shkatërrimeve që ai shkaktoi në 1992-shin. Irma mund të jetë edhe më e dhunshme, sepse është dy herë më e madhe se ai dhe tregoi fuqinë e vet me rrënimin që la pas në Karaibe.

Niveli i ujit në zonë është rritur krahasuar me dy dekada më parë dhe kjo të paktën për Miamin do thotë dallgë më të larta e rrezik më të madh përmbytjesh.