Botë

Irani rrit rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të afërt me atë që nevojitet për armë bërthamore

Iran

Irani ka rritur më tej rezervat e tij të uraniumit të pasuruar deri në nivele shumë afër atyre që nevojiten për prodhimin e armëve bërthamore, sipas një raporti konfidencial të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), të publikuar të shtunën. Agjencia ka kërkuar me urgjencë nga Teherani që të ndryshojë kurs dhe të bashkëpunojë me hetimet ndërkombëtare, raporton Associated Press. 

Raporti vjen në një moment delikat, ndërsa Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar disa runde bisedimesh javët e fundit për një marrëveshje të mundshme bërthamore, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, është përpjekur ta arrijë.

Sipas raportit të agjencisë me qendër në Vjenë, i cili është parë nga Associated Press, deri më 17 maj, Irani kishte grumbulluar 408.6 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%. Kjo përfaqëson një rritje prej 133.8 kilogramësh — afro 50% më shumë krahasuar me raportin e fundit të IAEA-së në muajin shkurt, kur sasia ishte 274.8 kilogramë.

Kjo sasi është vetëm një hap teknik larg pasurimit në nivelin 90%, që konsiderohet mjaftueshëm për armë bërthamore. 

Në raport theksohet se Irani është aktualisht i vetmi shtet jo-bërthamor që ka prodhuar një material të tillë, duke e cilësuar këtë zhvillim si shqetësim serioz.

Teherani nuk ka dhënë ende ndonjë koment lidhur me raportin e ri të IAEA-së.

Zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur se programi bërthamor ka qëllime vetëm paqësore, por drejtori i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi, ka paralajmëruar më herët se Irani ka mjaftueshëm uranium të pasuruar në nivele pranë atij për armë bërthamore për të ndërtuar “disa” bomba nëse vendos të ndjekë atë rrugë.

Ndërkohë, shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Irani ende nuk ka nisur zyrtarisht një program armësh bërthamore, por ka ndërmarrë disa veprime që e pozicionojnë më mirë për të prodhuar një pajisje bërthamore, nëse vendos ta bëjë këtë.