Militantët palestinezë të “Hamasit” kanë njoftuar se kanë hedhur të paktën 130 raketa në drejtim të qytetit izraelit Tel-Aviv, pasi që një sulm ajror izraelit ka rrëzuar një ndërtesë banimi 13-katëshe në Rripin e Gazës. Ndërtesa është sulmuar një orë e gjysmë pasi banorët dhe popullata lokale ishin paralajmëruar që të evakuoheshin, ka raportuar Agjencia britanike e lajmeve BBC. Sulmet e ndërsjella kanë nisur qysh të hënën mbrëma, kur pas disa javësh të dhunës intensive në Jerusalem, grupi islamik “Hamas” që e kontrollon Gazën ka shkrepur raketa në drejtim të qytetit të shenjtë, në atë që besohet të jetë hera e parë që ky grup ka vënë në shënjestër Jerusalemin pas më shumë se shtatë vjetësh
(AP-Guardian) – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të martën për rritjen e intensitetit të sulmeve në Gazë, pas një dite të konfrontimeve të ashpërsuara që kanë lënë të vdekur së paku 30 persona teksa aeroplanët izraelitë dhe militantët palestinezë kanë drejtuar raketa dhe kanë ndërmarrë sulme ajrore kundër caqeve të njëra-tjetrës.
Teksa ekspertët shëndetësorë nga të dyja palët kanë raportuar për vrasjen e të paktën 28 palestinezëve, mes të cilëve dhjetë fëmijë, dhe dy izraelitëve, shefi i Qeverisë izraelite ka theksuar se “pauzë nuk do të ketë”.
“Është vendosur se si fuqia e sulmeve ashtu edhe shpeshtësia e tyre do të rriten”, ka bërë të ditur ai, pas një takimi me zyrtarë të lartë të mbrojtjes.
Pak orë pas kësaj, militantët palestinezë kanë njoftuar se kanë hedhur të paktën 130 raketa në drejtim të qytetit izraelit Tel-Aviv, pasi që një sulm ajror izraelit ka rrëzuar një ndërtesë banimi 13-katëshe në Rripin e Gazës. Ndërtesa është sulmuar një orë e gjysmë pasi banorët dhe popullata lokale ishin paralajmëruar që të evakuoheshin, ka raportuar Agjencia britanike e lajmeve BBC.
Sulmet e ndërsjella kanë nisur qysh të hënën mbrëma, kur pas disa javësh të dhunës intensive në Jerusalem, grupi islamik “Hamas” që e kontrollon Gazën ka shkrepur raketa në drejtim të qytetit të shenjtë, në atë që besohet të jetë hera e parë që ky grup ka vënë në shënjestër Jerusalemin pas më shumë se shtatë vjetësh.
Nëpërmjet një njoftimi të lëshuar të martën në mëngjes, lideri i “Hamasit”, Ismail Haniyeh, ka thënë se sulmet me raketa do të vazhdojnë përderisa Izraeli nuk u jep fund “të gjitha skenave të terrorizmit dhe agresionit në Jerusalem dhe në xhaminë ‘Al-Aqsa’”.

Duke komentuar rreth sulmeve të së martës, ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka vrarë 15 “operues të ‘Hamasit’” dhe një komandant të batalionit. Ndërsa zyrtarët shëndetësorë në Gazë kanë thënë se shtatë pjesëtarë të një familjeje, përfshirë tre fëmijë, kanë mbetur të vdekur nga një eksplodim. Megjithëkëtë, nuk është specifikuar nëse shpërthimi ishte shkaktuar nga sulmet ajrore izraelite apo raketat palestineze. Mjekët në Izrael kanë thënë se më se 25 civilë kanë marrë trajtim mjekësor pas sulmeve me raketa.
Grupi palestinez “Hamas” raportohet se që nga e hëna ka shkrepur të paktën 500 raketa drejt Izraelit, pjesa më e madhe e të cilave është pritur nga sistemet izraelite të mbrojtjes kundërraketore, por disa kanë goditur ndërtesat e banimit. Shërbimi kombëtar ambulator në Izrael ka konfirmuar se sulmet kanë lënë të vdekur dy gra në qytetin jugor izraelit Ashkelon, gjatë së martës.
Në një tjetër sinjal të tensionimit dhe konfrontimeve më të gjera, Izraeli ka njoftuar se është duke dërguar përforcime në kufirin me Gazën dhe se po mobilizon 5.000 ushtarë rezervistë.
Ditët e fundit kanë qenë më të dhunshmet në Jerusalem qysh nga viti 2017. Krejt kjo pas grumbullimit të zemërimit të palestinezëve shkaku i vendimit të Izraelit për t’i dëbuar familjet palestineze nga shtëpitë e tyre në Jerusalemin Lindor për t’iu bërë konak kolonëve izraelitë.
Si pasojë e konfrontimeve, më herët gjatë së martës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë adresuar thirrje për qetësimin e tensioneve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se “Hamasi” duhet t’u japë fund “menjëherë” sulmeve raketore, duke shtuar se “të gjitha palët duhet t’i ndalin tensionimet”.
Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, është i shqetësuar “seriozisht” shkaku i dhunës. Ndërkaq ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka shkruar në Twitter se dhuna në Jerusalem dhe në Gazë “duhet të ndalojë” dhe ka bërë thirrje për “uljen e menjëhershme të tensioneve nga të dyja anët, si dhe për përfundimin e vënies në shënjestër të popullatave civile”.
Një zëdhënës i shefit të Bashkimit Evropian për politika të Jashtme, Josep Borrell, ka theksuar se shkalla e dhunës “duhet të ndalojë menjëherë” dhe ka paralajmëruar se raketat që marrin në shënjestër civilët izraelitë janë “plotësisht të papranueshme dhe e ushqejnë dinamikën përshkallëzuese”.
Zyra për të drejtat e njeriut në OKB ka shprehur “shqetësimin e thellë” për tensionet dhe ka dënuar “të gjitha rastet e nxitjes së dhunës, ndasive etnike dhe provokimeve”. Ndërkaq një zyrtar palestinez ka thënë për Reutersin se OKB-ja, Egjipti dhe Katari janë duke bërë përpjekje për negocimin e përfundimit të luftimeve.
Izraeli dhe “Hamasi” kanë zhvilluar deri më tani tri luftëra, të cilat kryesisht janë cilësuar si dështime të të dyja palëve. Pavarësisht kësaj, “Hamasi” është ende në pushtet dhe Izraeli vazhdon që t’i zgjerojë kolonitë hebraike dhe t’i shtypë të drejtat e palestinezëve me bllokada.
Jerusalemi ka qenë prej kohësh epiqendër e krizës izraelito-palestineze, pasi që zonat e saj fetare kanë rëndësi të madhe për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë bashkërisht. Xhamia “Al-Aqsa” është ndërtuar në kompleksin që ngërthen vendin më të shenjtë në judaizëm, njohur për hebrenjtë si Tempulli Mount.