Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Infermierët gjejnë “shpëtimin” në Britani duke i lënë pacientët në Ganë në rrezik

Gana është në listën e 55 vendeve më të prekshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat kanë numër të ulët të infermierëve për kokë banori. E quajtur nga disa si “lista e kuqe”, ajo është krijuar për të dekurajuar rekrutimin sistematik në këto vende

Rekrutimi i infermierëve nga vendet me të ardhura të larta prej vendeve më të varfra është “jashtë kontrollit”, sipas kreut të një prej grupeve më të mëdha të infermierisë në botë.

Komentet vijnë pasi BBC-ja gjeti prova se si sistemi shëndetësor i Ganës po lufton për shkak të “ikjes së trurit” jashtë vendit.

Shumë infermierë specialistë janë larguar nga vendi i Afrikës Perëndimore për punën më të paguara jashtë shtetit.

Në vitin 2022, më shumë se 1200 infermierë ganezë iu bashkuan regjistrit të infermierisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kërkesa u rrit pasi Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Britani mbështetet gjithnjë e më shumë te stafi nga vendet joanëtare të BE-së për t’i plotësuar vendet vakante.

Edhe Greva e infermierëve paralizon shëndetësinë britanike Botë Greva e infermierëve paralizon shëndetësinë britanike

Megjithëse Mbretëria e Bashkuar thotë se rekrutimi aktiv në Ganë nuk lejohet, në mediat sociale infermierët mund të shohin lehtësisht vendet e lira të disponueshme në trustet e NHS-së. Më pas ata mund të aplikojnë për ato punë drejtpërdrejt. Situata e rëndë ekonomike e Ganës vepron si faktor i madh shtytës.

Howard Catton nga Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (ICN) është i shqetësuar për shkallën e lartë të atyre që po largohen nga vendet si Gana.

“Ndjej se situata aktualisht është jashtë kontrollit”, ka thënë ai.

“Ne kemi rekrutime intensive që zhvillohen kryesisht nga gjashtë ose shtatë vende me të ardhura të larta, por jo nga vendet që janë disa nga më të dobëtat dhe më të cenueshmet, të cilat nuk mund të përballojnë mirë humbjen e infermiereve të tyre”, ka thënë ai.

Kreu i infermierisë në Spitalin Rajonal të Greater Accra, Gifty Aryee, ka thënë se njësia e saj e kujdesit intensiv ka humbur 20 infermierë që kanë ikur në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA në gjashtë muajt e fundit.

“Kujdesi shëndetësor ndikohet pasi nuk jemi në gjendje të marrim më pacientë. Ka vonesa dhe kushton më shumë në vdekshmëri - pacientët vdesin”, ka theksuar ajo.

Aryee ka shtuar se pacientët e sëmurë rëndë shpesh duhej të mbaheshin më gjatë në departamentin e urgjencës për shkak të mungesës së infermierisë.

Një infermiere në spital vlerësoi se gjysma e atyre me të cilët ajo ishte diplomuar janë larguar nga vendi - dhe ajo dëshiron të bashkohet me ta.

Largimi i infermierëve me përvojë

BBC-ja ka zbuluar një situatë të ngjashme në Spitalin Komunal, Cape Coast.

Zëvendësshefja e shërbimeve të infermierisë së spitalit, Caroline Agbodza, ka bërë të ditur se ka parë 22 infermierë të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar vitin e fundit.

“Të gjithë infermierët tanë të kujdesit kritik, infermierët tanë me përvojë kanë shkuar. Kështu që ne përfundojmë duke mos pasur asgjë - nuk ka staf me përvojë për të punuar. Edhe nëse Qeveria rekruton, ne duhet të kalojmë përsëri nëpër procesin e trajnimit të infermierëve”.

Klinikat më të vogla janë gjithashtu të prekura nga migrimi i stafit, sepse edhe një infermiere që largohet nga një qendër e vogël shëndetësore mund të ketë efekt të madh.

Në Klinikën Shëndetësore Ewim në Cape Coast, një infermiere ka lënë departamentin e vogël të urgjencës dhe një tjetër është larguar nga njësia e pacientëve ambulatorë. Të dyja infermieret kanë përvojë dhe kanë gjetur punë në Mbretërinë e Bashkuar.

Mjeku kryesor atje, dr. Justice Arthur, ka thënë se efektet janë të mëdha.

“Le të marrim shembull shërbimet si imunizimi i fëmijëve. Nëse humbasim infermierët e shëndetit publik, atëherë foshnjat që duhet të imunizohen nuk do të marrin imunizimin e tyre dhe mund të ndodhë që foshnjat të vdesin”, ka thënë ai. Ai ka bërë të ditur se pacientët e rritur gjithashtu do të vdisnin nëse nuk do të ketë mjaft infermierë për t'u kujdesur për ta pas operacionit.

Edhe Mbi 400 infermierë për 7 muaj u larguan nga Kosova, kërkohet reagimi i institucioneve Arbëri Mbi 400 infermierë për 7 muaj u larguan nga Kosova, kërkohet reagimi i institucioneve

Shumica e infermierëve me të cilët bisedoi ekipi i BBC-së donin të largoheshin nga Gana me idenë se mund të fitojnë më shumë diku tjetër.

Në qendrën e kujdesit shëndetësor Kwaso pranë qytetit të Kumasit, Mercy Asare Afriyie shpjegoi se ajo shpreson të gjejë një punë në Britani së shpejti.

“Eksodi i infermierëve nuk do të ndalet për shkak të kushteve tona të këqija të shërbimit. Paga jonë është aq e pamjaftueshme sa në dy javë e shpenzohet”.

Infermieret ganeze i thanë BBC-së se në Mbretërinë e Bashkuar mund të marrin më shumë se shtatë herë pagë më të lartë sesa në Ganë.

Perpetual Ofori-Ampofo nga Shoqata e Infermierëve dhe Mamive të Ganës ka thënë se sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit të saj ka nevojë për më shumë ndihmë.

“Nëse shikoni numrat, atëherë nuk është etike që Mbretëria e Bashkuar të rekrutojë nga Gana, sepse numri i infermierëve profesionistë në krahasim me infermierët praktikantë ose ndihmës është një problem për ne” , ka thënë ajo.

Gana, në “listën e kuqe”

Por ajo shtoi se nuk ishte e mundur të ndaloheshin infermierët të largoheshin pasi migrimi është një e drejtë dhe se Qeveria ganeze duhet të bëjë më shumë për t’i bindur të qëndrojnë. Ministria e Shëndetësisë në kryeqytet, Akra, nuk pranoi të komentojë.

Gana është në listën e 55 vendeve më të prekshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat kanë numër të ulët të infermierëve për kokë banori. E quajtur nga disa si “lista e kuqe”, ajo është krijuar për të dekurajuar rekrutimin sistematik në këto vende.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kohët e fundit dha 18.6 milionë dollarë për Ganën, Nigerin dhe Kenian për të ndihmuar në rritjen e fuqisë punëtore të kujdesit shëndetësor.

Por vendi po kërkon të ndërmjetësojë një marrëveshje formale me Ganën, ku mund të jetë në gjendje të rekrutojë në mënyrë më proaktive në këmbim të dhënies për Qeverinë atje një shumë parash.

Ajo tashmë ka një marrëveshje të ngjashme me Nepalin.

Mirëpo, Catton, nga ICN-ja vuri në dyshim nëse ishte e mjaftueshme.

Ai ka thënë për BBC-së se beson se marrëveshje të tilla “janë përpjekje të krijojnë një rimeso të respektit etik dhe jo një pasqyrim të duhur të kostove të vërteta për vendet që po humbasin infermierët e tyre”.

Drejtori i Forcës Punëtore të Shëndetit të OBSH-së, Jim Campbell, shpjegoi se Brexit është faktor në kthimin e Mbretërisë së Bashkuar te vendet afrikane për infermierët për të plotësuar vendet e lira të NHS-së.

Edhe Largimi i mjekëve po e lë shëndetësinë e Jemenit në kolaps, miliona pacientë pa ndihmë Botë Largimi i mjekëve po e lë shëndetësinë e Jemenit në kolaps, miliona pacientë pa ndihmë

“Tregu i punës është jashtëzakonisht konkurrues në mbarë botën dhe, duke e mbyllur tregun e mundshëm të punës nga liria evropiane e lëvizjes, ajo që ne po shohim janë pasojat e kësaj në drejtim të tërheqjes së njerëzve nga Comonwealthi dhe juridiksione të tjera”, ka thënë Campbell.

Përktheu: Blerta Haxhiu