Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ideologjia e Trumpit po kërcënon demokracinë

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një fjalim të enjten mbrëma ka thënë se ideologjia e Donald Trumpit “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë” është duke e kërcënuar demokracinë amerikane. Bideni, në javët e fundit, ka ashpërsuar retorikën e tij kundër Trumpit para zgjedhjeve të mesme që do të balancojnë pushtetin në Washington.

Përkrahësit e agjendës së Donald Trumpit janë kërcënim për demokracinë, ka porositur presidenti amerikan Joe Biden. Në një fjalim në Pennsylvania, presidenti demokrat tha se forcat e agjendës së Trumpit “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë” janë të vendosura për ta kthyer mbrapsht Amerikën.

“Shumëçka që po ndodh në vendin tonë sot nuk është normale. Donald Trumpi dhe republikanët e agjendës ‘MAGA’ përfaqësojnë ekstremizmin që kërcënon themelet e republikës sonë. Tani dua të jem shumë i qartë. Jo çdo republikan është republikan i agjendës MAGA. Jo çdo republikan përqafon këtë ideologji ekstreme. E di këtë, sepse kam punuar me republikanët e rryer. Por nuk ka dyshim se Partia Republikane është e dominuar dhe e poshtëruar nga Donald Trumpi dhe republikanët ‘MAGA. Dhe kjo është kërcënim për këtë shtet”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fjalimet e ashpra kanë nisur dy muaj para zgjedhjeve të mesme, të cilat do të vendosin për balancën e pushtetit në Washington.

Presidenti demokrat mbajti fjalimin në Sallën e Pavarësisë në Philadelphia, vendi ku është nënshkruar deklarata e pavarësisë amerikane.

“Forcat MAGA janë të vendosura ta kthejnë prapa këtë shtet. Prapa në Amerikën ku s’kishte të drejta për të vendosur, të drejta për privatësi, të drejta për kontraceptivë, të drejta për t’u martuar me atë që dashuronit. Ata promovojnë liderët autokratë dhe kanë ndezur flakët e dhunës politike që po kërcënojnë të drejtat tona personale, drejtësinë, sundimin e ligjit dhe krejt shpirtin e këtij shteti”, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan ka thënë se nuk është duke kritikuar 74 milionë amerikanët që votuan për Trumpin para dy vjetësh.

Ka folur edhe për trazirat e 6 janarit në Capitol të Washingtonit. Bideni ka thënë se përkrahësit e Trumpit i cilësuan si patriotë të gjithë ata që morën pjesë në ditën më të zezë të historisë moderne të SHBA-së.

“Jemi ende në këmbë si demokraci, mirëpo historia na tregon se besimi i verbër te një lider dhe dëshira për t’u përfshirë në dhunë politike është fatale për demokracinë. Për një kohë të gjatë i kemi thënë vetes se demokracia amerikane është e garantuar, por s’është e tillë. Duhet ta mbrojmë atë”, ka thënë presidenti demokrat, Joe Biden.

Presidenti Biden, që u bë zot i Shtëpisë së Bardhë me premtimet për bashkimin e Amerikës, së fundmi ka ashpërsuar retorikën e tij kundër përkrahësve të Trumpit.

Gjatë javës së kaluar, Bideni i barazoi ata që i quajti republikanë ekstremë me “gjysmë-fashizëm”.

Ndërkaq vëmendja vazhdon të mbetet te dokumentet e clasifikuara që u zbuluan në pronën e Trumpit në Florida. Të mërkurën, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur se dokumentet e klasifikuara me shumë gjasë janë fshehur dhe hequr nga dhoma e gjësendeve në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida, si pjesë e përpjekjeve për të penguar hetimin federal për zbulimin e të dhënave qeveritare. Ani pse Trumpi ka insistuar përsëri të mërkurën se mbante dokumente të deklasifikuara në Mar-a-Lago, avokatët e tij nuk kanë folur njëjtë gjatë vizitës dhe “ua kanë dorëzuar dokumente zyrtarëve duke besuar se dokumentet ishin të klasifikuara”./AP

Artikuj të ngjashëm