Me qëllim të ndalimit të hyrjeve të emigrantëve në vend Hungaria do të elektrifikojë rrjetin e dytë të telave me gjemba të vendosura në kufirin me Serbinë.
Zëdhënësi i qeverisë së Hungarisë, Zoltan Kovacs, mbrojti qëndrimin se rrjeti i telave me gjemba që ndërtohet në kufirin hungaro-serb, nuk do të ndalojë hyrjen e emigrantëve vetëm në Hungari, por do të mbrojë edhe Bashkimin Evropian.
Kovacs bëri të ditur se ndërtimi i telave me gjemba në kufi me gjatësi 150km planifikohet të përfundoj deri më 1 maj, ndërsa do të jetë i pajisur me kamera termale dhe pajisje tjera teknologjike dhe vijoi me këto fjalë: “Kapaciteti teknik i këtyre telave të reja ‘inteligjente’ me gjemba në krahasim me ato të mëparshme është shumë më i lartë. Në saje të teknologjisë së avancuar telat me gjemba do të kenë elektrik që nuk do të rrezikoj jetën e njerëzve. Ky sistem do të dërgoj në qendër informata se në cilin vend emigrantët tentojnë të kalojnë kufirin”.
Në anën tjetër një numër i madh i organizatave të shoqërive civile pretendojnë se forcat hungareze të sigurisë ushtrojnë dhunë ndaj emigrantëve dhe i rikthejnë në Serbi.