Me nderime të larta është varrosur ushtarja ruse, e cila luftoi përkrah ukrainasve kundër Rusisë. Në një rrëfim para se të niste pushtimi, ajo kishte thënë se nuk mund të duronte veprimet agresive të vendit të saj
(AP) - Garda e nderit shtiu në qiell teksa miqtë dhe bashkëluftëtarët u tubuan në Kiev për t’i dhënë lamtumirën ruses, e cila u vra derisa po luftonte krah për krah me ukrainasit kundër shtetit të saj.
Olga Simonova, 34-vjeçare, është përkujtuar për guximin dhe mirësinë në funeralin e mbajtur të premten në kryeqytetin ukrainas.
Arkivoli i Simonovas ishte mbuluar me flamurin verdhekaltër të Ukrainës. Mbi të është vendosur një lodër. Emrin e luftës e kishte “Simba”, si personazhi kryesor i filmit vizatimor “Mbreti Luan”.
Pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Simonova ndodhej në istikamet e rajonit të Donbasit. Ajo në vitet e fundit kishte luftuar përkrah ukrainasve kundër separatistëve të përkrahur nga Rusia.
E lindur në qytetin rus, Chelyabinsk, Simonovas i pëlqente sporti. Shkëlqente në alpinizëm dhe karate. Thoshte se ishte gjithmonë krenare sa herë që garonte për Rusinë.
Edhe
Zelensky shkarkon ministrin e Mbrojtjes, shpërthejnë protestat në Ukrainë
"E pranoj se atdheu im është atje (në Rusi), nuk po heq dorë prej tij. Por njeriu nuk është pemë dhe ai zgjedh se ku të jetojë. Unë kam bërë zgjedhjen time”, deklaronte ajo.
Mirëpo kishte filluar të ndihej keq për shtetin e saj pasi lexoi për luftën e Rusisë në Çeçeni dhe aksionet ushtarake në rajonin e Donbasit dhe Krime, të cilat Rusia i aneksoi gjatë vitit 2014.
E mbushur me dyshime se “më kurrë nuk do të mund ta mbante në duar flamurin e vendit të vet, Simonova mori një vendim që ia ndryshoi jetën.
Udhëtoi në Ukrainë për t’iu bashkuar ukrainasve në konfliktin e Donbasit, fillimisht si vullnetare, pastaj infermiere dhe krejt në fund u bë anëtare e Forcave të Armatosura.
Kishte ndjenjën se nuk mund të mbyllte sytë para veprimeve që po bënte Rusia në lindje të Ukrainës. Për këtë shkak preu biletën njëdrejtimshe dhe u largua.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë
Simonova nuk mërzitej se ishte në mesin e të pakta grave në frontin e luftës, ani pse e ndjente se ushtria ukrainase kishte kohë të gjatë që po punonte në barazinë gjinore.
“Kam kryer shumë stërvitje atletike, shumë stërvitje malore, kam shumë përvojë, si të thuash, ecja në teh. Këtu kisha këtë ndjenjë të brendshme që mund ta përballoja dhe se çfarë unë po bëja ishte e drejtë dhe e nevojshme, sepse nuk mund të mbyll një sy ndaj situatë”, deklaronte ajo. “Nuk mund të mbyll sytë para këtij konflikti. Nuk mund të ndihmoja nga shtëpia, nuk mund të bëja asgjë. Gjithçka funksionoi kështu që më duhej të prisja një biletë me një drejtim. E preva dhe u largova”.
Në rrëfimin e saj për “Associated Press” para se të niste pushtimi rus në Ukrainë, ajo kishte thënë se kurrë nuk e kishte fshehur prejardhjen e saj ruse para kolegëve dhe fitoi besimin e tyre me angazhimin në frontin e luftës. Në vitin 2017, u bë shtetase ukrainase.
"Unë isha krenare për flamurin tim ndërsa qëndroja në podium. Kjo ishte e rëndësishme për mua. Dhe kur pashë dhe mësova të vërtetën për atë që po ndodhte, mësova të vërtetën për luftërat çeçene, mësova të vërtetën për luftën në Ukrainë”, kishte theksuar Simonova. “Kisha dyshime se do të mund ta ngrija ndonjëherë flamurin e vendit tim, të atdheut tim, ta ngrija ndonjëherë nga lart. Dhe ishte një dëshirë e madhe për t'i ndihmuar miqtë e mi këtu. Unë u besoj atyre më shumë se televizionit”.
Edhe
Në mbrojtje të ushtarëve: misioni i vështirë i Olha Reshetylovës
Miqtë dhe kolegët thonë se Simonova, e cila nuk ishte e martuar dhe nuk kishte fëmijë, së fundmi ishte angazhuar në jug të rajonit Kherson, në të cilin Ukraina me sukses kreu kundërofensivën ndaj forcave ruse.
Ata thonë se Simonova vdiq më 13 shtator pasi automjeti i saj shkeli në minë tokësore.
