Botë

Haxhi në vështirësi nga ndryshimet klimatike

Aktivistët myslimanë kanë nisur iniciativa bazë që synojnë një “Haxh të gjelbër”, duke inkurajuar pelegrinët që ta bëjnë udhëtimin vetëm një herë, të shmangin plastikën dhe të kompensojnë emetimet e karbonit duke mbjellë pemë. Haxhi “mund të jetë i gjelbër dhe i qëndrueshëm nëse ka politika dhe teknologji të zgjuara për ta ulur gjurmën ekologjike”, ka treguar Odeh Jayyousi, profesor në Universitetin e Gjirit Arabik në Bahrejn, që hulumton qëndrueshmërinë dhe inovacionin.

Arabia Saudite ka plane ambicioze për të mirëpritur miliona pelegrinë të tjerë në vendet më të shenjta të Islamit. Mirëpo, teksa ndryshimet klimatike nxehin rajonin tashmë përvëlues, pelegrinazhi vjetor i Haxhit – shumica e të cilit zhvillohet jashtë në shkretëtirë – mund të jetë edhe më i frikshëm.

Rritja e numrit të pelegrinëve, me rritjen e lidhur me udhëtimet ajrore ndërkombëtare dhe zgjerimin e infrastrukturës, ngre gjithashtu shqetësime për qëndrueshmërinë, edhe pse gjigandi i naftës ndjek qëllimin për të marrë gjysmën e energjisë së tij nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.

Javën e ardhshme, Arabia Saudite pret pelegrinazhin e parë të Haxhit pa kufizimet e vendosura gjatë pandemisë së koronavirusit. Rreth 2.5 milionë njerëz morën pjesë në pelegrinazh në vitin 2019 dhe këtë vit priten rreth 2 milionë.

Nën planin e gjerë të Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, për të riparuar ekonominë e mbretërisë, i njohur si Vizioni 2030, 30 milionë pelegrinë do të merrnin pjesë në Haxh dhe Umra - një pelegrinazh më i vogël gjatë gjithë vitit. Kjo do të ishte një rritje prej më shumë se 10 milionë nga nivelet para pandemisë.

Image

Ajo do të kërkojë një zgjerim të madh të hoteleve dhe infrastrukturës tjetër në Mekë dhe Medinë, qytete të lashta tashmë të shkatërruara kryesisht nga ndërtesat e larta dhe qendrat tregtare. Pelegrinët shtesë do të kërkojnë më shumë fluturime në distanca të gjata, më shumë autobusë dhe makina, më shumë ujë dhe energji elektrike.

Associated Press kontaktoi me disa zyrtarë sauditë me pyetje të hollësishme, por nuk mori asnjë përgjigje. Është e paqartë se çfarë, nëse ka, studime ka bërë qeveria mbi ndikimin mjedisor të pelegrinazhit ose nëse kjo figuron në planet e saj. Dhe masat me qëllime të mira, si një rrjet hekurudhor me shpejtësi të lartë, nuk janë të mjaftueshme për të hequr trafikun ndotës brenda dhe përreth qytetit të shenjtë.

Ndryshimet klimatike

Trenat kalojnë nëpër peizazhin e thatë me shpejtësi maksimale prej 300 km/h (186 mph), duke transportuar pelegrinët në rehati me ajër të kondicionuar nga Jeddah në Mekë. Por ata ndalojnë disa kilometra larg Xhamisë së Madhe, që do të thotë se pelegrinët duhet ose të ecin të paktën një orë ose të marrin autobus ose makinë për në vendin e shenjtë. Çmimi i njëanshëm prej 19 dollarësh nga aeroporti i Jeddah në Mekë mund të jetë gjithashtu i paarritshëm për pelegrinët me të ardhura më të ulëta.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe nga të gjithë myslimanët që janë në gjendje, kërkohet që ta bëjnë atë të paktën një herë në jetën e tyre. Për pelegrinët, përcjellja e gjurmëve të Profetit Muhamed është një përvojë e thellë fetare që fshin mëkatet, thellon besimin e dikujt dhe bashkon myslimanët në mbarë botën.

Legjitimiteti i familjes mbretërore saudite është i rrënjosur kryesisht në kujdestarinë e saj ndaj vendeve më të shenjta të Islamit dhe aftësinë e saj për të pritur një nga tubimet më të mëdha fetare vjetore në planet.

Ekspertët kanë zbuluar se Haxhi kontribuon në ndryshimet klimatike dhe do të ndikohet prej tij në dekadat e ardhshme, pasi një nga vendet më të nxehta në Tokë bëhet edhe më i ngrohtë.

Një studim i Haxhit 2018 nga ekspertë të Universitetit Victoria në Melburn vlerësoi se pelegrinazhi pesëditor prodhoi mbi 1.8 milionë tonë gazra serë, afërsisht sasia që new York lëshon çdo dy javë. Kontribuuesi më i madh ishte aviacioni, duke përbërë 87% të emetimeve.

Abdullah Abonomi, studiues saudit dhe një nga autorët e studimit, ka treguar se autoritetet saudite kanë përqafuar qëndrueshmërinë si pjesë e Vizionit 2030, i cili kërkon ruajtjen e burimeve natyrore në mënyrë që të tërheqë pelegrinët, turistët dhe bizneset.

“Gjithçka ka ndryshuar”, ka thënë ai, duke vënë në dukje ngritjen e qendrave kombëtare për koordinimin e politikave të qëndrueshme, krijimin e një force policore mjedisore për të goditur shkeljet dhe integrimin e qëndrueshmërisë në kurset universitare për turizmin.

“Nëse pyet katër vjet më parë për qëndrueshmërinë... askush nuk e kupton se çfarë është qëndrueshmëria”, ka sqaruar ai. “Por sot, gjithçka do të jetë më mirë. Dhe e di që jemi vonë, por më mirë vonë se kurrë”.

Në të kaluarën, thotë ai, makinat dhe autobusët e mbushur me pelegrinët mbushnin rrugët përreth Mekës, duke lëshuar gaz në ajër, por zgjerimi i Xhamisë së Madhe ka çuar në oborre më të mëdha dhe rritje të këmbësorëve në shumicën e rrugëve që çojnë në vendin e shenjtë.

Megjithatë, pengesat njerëzore kanë zëvendësuar trafikun dhe mbeturinat rrotullohen në retë e nxehtësisë. Për udhëtimin rreth Minas dhe Arafatit, dy vende të rëndësishme të Haxhit, makinat dhe autobusët mbeten dy format më të përhapura të transportit. Udhëtimi në këmbë, në temperatura të larta, është i mundimshëm, por mund të jetë më i shpejtë se katër rrota.

Në ambiciet e saj për Haxhin, Arabia Saudite përballet me menaxhimin e një numri të madh pelegrinësh në një botë që po ngrohet me shpejtësi.

Image

Temperaturat e larta

Gjatë ritualeve, pelegrinët shpesh ecin për orë të tëra jashtë, ngjiten në një kodër të shkretëtirës të njohur si Mali i Mëshirës, ku profeti thuhet se ka mbajtur predikimin e tij të fundit dhe hedhin gurë në shtyllat që përfaqësojnë djallin në një fushë të shkretë. Ata grumbullohen në Xhaminë e Madhe në Mekë për ta rrethuar Qaben. Krahas përpjekjeve, popullata e Haxhit anon te të moshuarit, të cilët janë më të rrezikuar nga nxehtësia.

Në një mbrëmje të kësaj jave rreth perëndimit të diellit në Mekë, temperaturat lëviznin rreth 37 gradë Celsius. Turmat e bënë atë të ndihej më e nxehtë, duke larguar çdo fluks ajri. Në një supermarket të zhurmshëm në bodrum pranë Xhamisë së Madhe, pelegrinët blenë ventilatorë dore që spërkasin ujë në fytyrë dhe çdo lloj ombrelle.

Një studim i vitit 2019 nga ekspertë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts , ka zbuluar se edhe nëse bota arrin t’i zbutë efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike, Haxhi do të mbahet në temperatura që tejkalojnë një “prag rreziku ekstrem” nga viti 2047 në 2052 dhe nga 2079 në 2086.

Islami ndjek një kalendar hënor, kështu që Haxhi bie rreth 11 ditë më herët çdo vit. Në vitin 2030, Haxhi do të ndodhë në prill, dhe gjatë disa vjetëve të ardhshëm do të bjerë në dimër, kur temperaturat janë më të buta.

Vitet e fundit, autoritetet saudite kanë instaluar tenda dhe streha të mëdha rreth vendeve të shenjta për t’i freskuar pelegrinët. Teksa temperaturat rriten, autoritetet ka të ngjarë të kenë nevojë të rrisin masa të tilla ose të prezantojnë strategji të reja si kufizimi i numrit të pelegrinëve në vitet me vapë më të lartë, përfundoi studimi.

“Njerëzit që duan të bëjnë haxhin duhet të kenë mundësinë për ta bërë atë”, ka theksuar Elfatih Eltahir, një nga autorët e studimit. “Ngrohja globale do ta bëjë atë pak më të vështirë - për disa vite, për disa individë”.

Aktivistët myslimanë kanë nisur iniciativa bazë që synojnë një “Haxh të gjelbër”, duke inkurajuar pelegrinët që ta bëjnë udhëtimin vetëm një herë, të shmangin plastikën e një përdorimi dhe të kompensojnë emetimet e karbonit duke mbjellë pemë.

Haxhi “mund të jetë i gjelbër dhe i qëndrueshëm nëse ka politika dhe teknologji të zgjuara për ta ulur gjurmën ekologjike”, ka treguar Odeh Jayyousi, profesor në Universitetin e Gjirit Arabik në Bahrein që hulumton qëndrueshmërinë dhe inovacionin.

Përdorimi i plastikës së biodegradueshme, tendave të ripërdorshme dhe energjisë së rinovueshme do të reduktonte gazrat serrë, ka sqaruar ai. Inteligjenca artificiale mund të përdoret për logjistikën, duke thjeshtuar udhëtimin dhe duke siguruar që avionët dhe autobusët të jenë plot dhe të mos kalojnë shumë kohë në punë.

“Brezi i ri është i ndërgjegjshëm për kompromiset dhe nevojën për të ndryshuar modelet e konsumit”, ka thënë Jayousi. “Haxhi mund të ofrojë një platformë për shfaqjen e praktikave më të mira të gjelbra për audiencën globale”.

Përktheu: Blerta Haxhiu