Emma Coronel Aispuro, bashkëshortja e bosit meksikan të drogës, “El Chapo” Guzman, është deklaruar fajtore të enjten në tri akuza ndaj saj lidhur me trafikimin e drogave, akuza këto të lidhura me perandorinë e narkotikëve të burrit të saj.
Emma, 31-vjeçare akuzohet se ka ndihmuar bashkëshortin e saj në veprimtaritë në kartelin e tij të drogës të njohur si Sinaloa, dhe po ashtu se ka ndihmuar “El Chapon” që të arratiset nga burgu në vitin 2015.
Ajo ka pranuar fajësinë në një gjykatë federale në Washington, afërsisht dy vjet pasi Guzmanit i ishte shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm për trafikim me drogë dhe shpëlarje të parave.
Autoritetet kanë deklaruar se karteli Sinaloa është shpërndarësi më i madh i drogave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aispuro, një ish-mbretëreshë e bukurisë, ishte arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles të Washingtonit, në muajin shkurt të këtij viti, me akuzat se ka komplotuar për të shpërndarë 5kg ose më shumë kokainë, 1kg ose më shumë heroinë, 500 gram ose më shumë metamfetaminë dhe 1,000 kg kanabis.
Prokurorët e kanë akuzuar Aispuron se ka ndihmuar bashkëshortin e saj që të trafikojë drogë ndërmjet viteve 2012 dhe 2014.