Laureatja e çmimit “Nobel” të Paqes, Leymah Gbowee, e cila ndihmoi që t’i jepej fund luftës civile, dhe Etweda “Sugars” Cooper, e cila siguroi vendin e Gbowees në krye të lëvizjes së grave, ende janë kampione të njëra-tjetrës
Zyra e Leymah Gbowees është çerdhe e aktivitetit. Gjatë së njëjtës kohë, në zyrë punojnë disa gra. Ulur prapa tavolinës së punës, Gbowee komandon, duke u përgjigjur me “Hyr” sa herë që dikush troket në derë.
Por, burrat dhe gratë që hyjnë ngadalë, tregojnë nderim të dukshëm për punën që bëhet këtu. Derisa fituesja e çmimit “Nobel” të Paqes po drekon ngutshëm, merr përqafime e puthje nga miqtë. Dhje kjo ndodh disa herë, duke u detyruar që shpesh të lëshojë pirunin në pjatën të mbushur me patate.
Në anën tjetër të tavolinës së Gbowees është një grua që duket më e brishtë fizikisht. Derisa Gbowee, 49 vjeçe, mban syze me korniza të trasha, Etweda “Sugars” Cooper duket më pak e pranishme fizikisht. Por, edhe pse 74 vjeçe, ajo rrezaton energjinë e madhe, duke nisur herë pas here biseda me stafin në anën tjetër të zyrës.
Muri memorial
Është fundi i mëngjesit të vonshëm e të ngarkuar me punë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në selinë e Fondacionit të Paqes të Gbowees afër kryeqytetit liberian, Monrovia. Një ceremoni me pjesëmarrje të zyrtarëve, diplomatësh dhe aktivistësh të të drejtave të njeriut dhe të paqes kulmoi me shpalosjen e murit memorial ku janë të shkruar emrat e 300 grave, prirë prej Gbowees, në kuadër të fushatës Gratë e Aksionit Masiv Liberian për Paqe. Gratë konsiderohen vendimtare për dhënien fund të luftës së dytë civile pas pothuajse njëzet vjetësh me radhë.
Dhe prania e grave ishte fort e dukshme në ceremoni, me disa prej tyre që po këndonin e luteshin për paqe. Nëpër shiun e pareshtur, ato kanë shprehur zotimin se edhe do të përfshihen në grevë seksuale nëse burrat nuk e mbajnë fjalën për t’iu kthyer luftimeve. Dhe numri i grave që i janë bashkuar këtij aksioni të madh shumë shpejt do të kthehej në një turmë të madhe me pjesëmarrje prej mijëra grave të feve të ndryshme të vendit. Në qershorin e vitit 2003, Gbowee dhe luftëtaret e saj gra shoqëruan presidentin e atëhershëm, Charles Taylor, dhe liderët rebelë në bisedimet me Ganën; kur përparimi kishte hasur në gozhdë. Ato bllokuan hyrje-daljet e sallës së negociatave dhe nuk u tërhoqën deri sa u arrit konsensusi.
Luftërat e herëpashershme civile të Liberisë nga viti 1989 deri më 1997 deri më 1999 apo më 2003, ua morën jetën më shumë se 250 mijë qytetarëve dhe lanë më shumë se një milion persona të zhvendosur. Luftimet e para kishin shpërthyer në natën e Krishtlindjeve të vitit 1989, kur Taylori i priu një grupi kryengritësish në Liberi nga Bregu i Fildishtë fqinj me qëllim që ta rrëzonin presidentin e atëhershëm, Samuel Doe. Doe u vra më 1999, por u desh të kalonin edhe trembëdhjetë vjet me shumë grupe që krijoheshin e shkatërroheshin derisa të përfundonte lufta e dytë me nënshkrimin e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse paqësore të Akras. Taylor do të përfundonte në ekzil dhe një qeveri e përkohshme i priu vendit derisa vendi nuk e zgjodhi Ellen Johnson Sirleafin presidente më 2005.
Fillimi i mbarë i partneritetit
Gbowee dhe Sugars – nofkë që ia kishin lënë në fëmijëri motrat e saj – do të takoheshin për herë të parë tre vjet para nënshkrimit të marrëveshjes së Akrës. 28-vjeçare atëherë, me pak përvojë në krye të fushatave të udhëhequra nga gratë, Gbowee iu afrua një grupi grash me idenë e themelimit të degës liberiane të Rrjetit të Grave për Ndërtimin e Paqes (WIPNET), prej të cilit më vonë do të niste fushata Aksioni Masiv për Paqe.
Sugars ishte anëtare themeluese e Nismës të Grave Liberiane, bashkë me grupe të tjera, që do të bënin fushatë për të drejta të grave dhe kërkonin të krijohej më shumë hapësirë për gratë në përpjekjet e paqes prej mesviteve nëntëdhjetë. Nëna e saj kishte ndikim kyç në shtegtimin e saj drejt aktivizmit, megjithëse ajo vazhdimisht ka ngulmuar se gratë duhet të njihen si individë e jo për faktin se janë të bija ose gra të dikujt. Ajo përherë e kujton se si ishte edukuar nga nëna, e cila i kishte edukuar të bijat para kohe krahasuar me gjendjen në vend për të drejtat e tyre në shoqëri. Në familjen e saj ishin lexuar kaherë revistat e njohura amerikane, “National Geographic”, “Time” dhe “Newsweek”.
Rrënjët e konfliktit

Me shpërthimin e luftës, Sugars kishte çuar këtë bindje edhe një hap më larg. “Ndjeva se Liberia ishte shtëpia ime dhe ne gratë duhej të ndërmerrnin diçka për të”. Dhe kur fëmijët e saj ishin dërguar jashtë vendit, agjenda e Sugarsit ishte ofrimi i ndihmës për jetësimin e paqes “për t’ua mundësuar fëmijëve të ktheheshin në vendlindje dhe që të ishin liberianë”. Ajo ia doli. E bija e saj Jeanine tani është ministre e Bujqësisë.
“Sugarsi ishte e pakompromis në aktivizmin e saj”, kujton Gbowee, derisa Sugarsi lëviz kokën në shenjë pohimi. “Presidenti Taylor tha se ajo ishte gruaja e vetme që i besonte përnjëmend. Nëse ajo ju thotë se ju urren si politikan, ajo ju urren dhe asnjëherë nuk do të fshihej që të kërkonte ndonjë favor. Të tjerët do të mund të bënin kompromise, por jo edhe ajo”.
“Ajo ishte orakulli që duhej të respektohej nëse dëshironi të krijoni një rrjet të ndërtuesve të paqes së grave”, vazhdoi Gbowee, “kështu që unë e ndoqa”.
Dhe do të shkonte gjithçka sikurse kishte besuar. Gbowee ishte mësuar më shumë që të punonte me burra në rolin e saj si punëtore e komunitetit social, duke ofruar këshilla për fëmijët e dikurshëm ushtarë, që po shëroheshin nga traumat.
Pos që ishte bërë pjesë e një entiteti jo fort të njohur, angazhimi i saj lidhej nyjshëm me çështjet shoqërore që njihte mirë. Shumë prej grave të njohura aktiviste – përfshirë edhe Sugarsin – i përkisnin elitës liberiano-amerikane; pasardhës të skllevërve të çliruar që ishin vendosur në Liberi në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Minoriteti i tyre i vogël historikisht kishte dominuar politikën liberiane, duke mbjellë dhe nxitur zemërim në mesin e popullsisë shumicë, që në fakt ishin edhe shkaqe të konfliktit civil në vend.
Zbehja e kauzës
Përkundrazi, Gbowee, si anëtare e grupit etnik indigjen kpelle, ishte konsideruar prej shumë grave si një njeri i pashkolluar dhe i padobishëm për rol udhëheqës. Por, Sugarsi kishte vërejtur cilësitë që gratë e tjera s’ia kishin spikatur. “Nuk e njihja fare, por i njihja gratë e tjera dhe instinkti im më tregoi se ajo do të bënte alamet pune”, thekson ajo.
Duke parë se nuk po ndihej rehat, Sugars e ndau Gboween dhe e instruktoi të mblidhte veten para se të kthehej në takimin ku do të përfaqësohej si liderë e re e WIPNET-it.
“Ra heshtja, askush nuk e nxori asnjë fjalë prej goje dhe u bëra lidere”, kujton Gbowee.
Prej atëherë, dy gratë punuar ngushtë bashkë, duke kultivuar raportin e ngjashëm me atë të nënës dhe të bijës. Kjo ishte një dinamikë që do të shquante raportin e grave. Ishte një çast kur do të merrte vrull edhe lëvizja për paqe e Gbowees. “Më erdhi një ide e re dhe ajo e kuptonte mirë krejt konceptin”, thekson Gbowee. “Ajo ishte për ne urë lidhëse për organizatat e kamotshme të grave”.
Ngulmi i tyre e lehtësoi goxha shumë punën. Përballë armiqësisë dhe thashethemeve që po vazhdonin edhe në kohë paqe, Sugarsi shpesh shtrëngohej ta mbronte veten dhe Gboweenin para kritikuesve të shumtë. Gbowee kujton se si e kishte gjetur në gjendje të thyer Sugarsin gjatë bisedimet për marrëveshjen paqësore të Akras, për shkak se disa gra e kishin sulmuar dhe akuzuar për sjellje të ngjashme me ato të një “kauboje” vetëm pse po shoqërohej me Gboween. Por ato nuk ishin dorëzuar asnjëherë pavarësisht kritikave e thashethemeve. Këto janë hollësi që i kujtojnë derisa po bëheshin gati për aktivitetet e Ditës së gruas. Gbowee ndërkohë thotë se po mendon se kush mund të jetë gruaja që mund ta pasojë në krye të detyrës. Megjithatë mendon se gratë e tanishme aktiviste kanë një dozë të rënies në sy më shumë se kërkohet.
“Kur ne po bënim fushatë për paqe në Liberi, nuk e kishim hallin e spikatjes së vetes ose të shtyheshim se kush po pëlqehej më shumë. Krejt thelbi ishte puna jonë: ne thjesht e donim paqen. Por sot ka shumë gjëra që po lidhen me kauzën: një grant, një çmim, një udhëtim jashtë vendit. Nuk ka shumë përulësi në mesin e gjeneratës së aktivisteve të tanishme”.