Majori Hennadiy Chastyakov, 39 vjeç, ndihmës i afërt i liderit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny, ka mbetur i vdekur pas shpërthimit të një granate që i ishte dhënë si dhuratë për ditëlindjen e tij.
Chastyakov ishte në banesë me djalin e tij, kur hapi dhuratat. Brenda njërës ishte edhe granata që shpërtheu. Majori Chastyakov vdiq ndërsa djali i tij 13-vjeçar u plagos rëndë.
Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, bëri të ditur se djali kishte filluar ta rrotullonte unazën e granatës, dhe më pas ushtaraku i ka marrë granatën fëmijës e gjatë lëvizjes shkaktoi shpërthimin tragjik.
Shpërthimi është cilësuar si “aksident tragjik” dhe ministri i ka bërë thirrje publikut që ta presë rezultatin e hetimit zyrtar. Policia ka njoftuar se shpërthimi në banesën e familjes, në Chaiky, në periferi të Kievit, ka qenë “si rezultat i trajtimit të pakujdesshëm të municioneve”.
Por shpejt u kuptua se në banesë ishin gjetur edhe pesë granata të tjera.
Ministri Klymenko tha se ato ishin dhuratë nga një koleg i ushtrisë për majorin Chastyakov. Dy granata të ngjashme u gjetën më vonë gjatë kontrollit të ushtarakut që i kishte dhënë granatën si dhuratë majorit.
Gjenerali Zaluzhny ka folur për dhimbjen e papërshkrueshme dhe humbjen e rëndë për ushtrinë ukrainase dhe për të personalisht, duke e përshkruar majorin Chastyakov si “krah të besueshëm” që nga fillimi i luftës në shkurt të 2022-ës.
Edhe
Tre të vdekur dhe 16 të plagosur nga një shpërthim municionesh në Rusi
Deputetja Maryana Bezulha ka thënë se vdekja e majorit Chastyakov ndodhi për shkak të neglizhencës.
“Nuk do ta kisha menduar kurrë se Hennadiy do të vdiste si rezultat i pakujdesisë në ditëlindjen e tij. Granatat lëshohen, nuk jepen si dhurata”, ka thënë ajo.
Megjithatë, shumë ukrainas po dyshojnë për shkakun e vërtetë të shpërthimit me spekulimet se ishte një sulm që synonte vetë gjeneralin Zaluzhny, me supozimin se ai mund të kishte marrë pjesë në ditëlindjen e ndihmësit të tij.