Një gjykatë suedeze e ka gjetur një ish-zyrtar iranian fajtor për krime lufte në lidhje me ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në Iran më 1988.
61-vjeçari Hamid Nouri u dënua me burgim të përjetshëm për atë që thanë prokurorët se kishte rol udhëheqës në vrasjen e një numri të madh të mbështetësve të opozitës, raportoi BBC-ja të enjten.
Ai i ka mohuar akuzat, kurse Irani e ka denoncuar gjyqin për “ilegal”.
Nouri u arrestua pasi shkoi në Suedi më 2019.
Ai ishte personi i parë që u përball me ndjekje penale për pjesëmarrje në ekzekutimet, gjë që Irani asnjëherë nuk e ka pranuar zyrtarisht.
Prokurorët suedezë akuzuan Hamid Nourin për kryerje të krimeve të luftës dhe vrasjeve mes korrikut dhe shtatorit të 1988-s, kur ata thanë se ai ndihmoi zëvendësprokurorin e burgut Gohardasht në Karaj.
Edhe
Suedia liron iranianin e dënuar për krime lufte, në një shkëmbim të burgosurish
Pas një sulmi gjatë Luftës Iran-Irak nga anëtarët e Mujahedin-e Khalq (MEK), e njohur si Organizata e Muxhahedine e Popullit të Iranit, atëherë lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, urdhëroi ekzekutimin e të gjithë të burgosurve të cilët ishin besnikë ose simpatizonin grupin opozitar majtist.
Tribunale sekrete që u bënë të njohura si “Komitete të Vdekjes” morën në pyetje dhe dënuan me vdekje mijëra të burgosur. Presidenti aktual i Iranit, Ebrahim Raisi, ishte një nga katër gjyqtarët i cili u ul në tribunal, edhe pse tash mohon përfshirjen në vrasjet.
Numri ekzakt i të ekzekutuarve nuk dihet, por grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se mes 2800 dhe 5000 burra e gra janë varur dhe më pas janë varrosur në varre masive të pashënuara që vlerësohet si krim kundër njerëzimit.