Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania nxit BE-në t’i përgatisë sanksione Rusisë shkaku i Navalnyt

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka nxitur të hënën homologët e tij në BE që t’ua japin dritën jeshile sanksioneve kundër zyrtarëve rusë, përgjegjës për burgosjen e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, dhe për shtypjen e aktivistëve pro-demokracisë.

Thirrja nga Berlini e hapë rrugën për vendosjen e sanksioneve qysh muajin e ardhshëm, në veprimin që blloku e cilëson si mesazh ndaj presidentit Vladimir Putin se debati dhe protestat duhet të lejohen në Rusi.

Maas ka thënë se sanksionet janë bërë të domosdoshme jo vetëm ngase Navalny është dënuar me burgim në fillim të muajit, por edhe për shkak se po e vuan dënimin në një kamp të punës.

Diplomatët presin që Bashkimi Evropian t’u zbatojë ndalesa udhëtimi dhe t’ua ngrijë pasuritë aleatëve të Putinit gjatë muajit të ardhshëm. Kjo pasi që ekspertët kanë mbledhur dëshmi të qëndrueshme që u rezistojnë përpjekjeve për ta sfiduar rastin. Autoritetet në Moskë tashmë janë vënë nën sanksionet ekonomike të Perëndimit shkaku i aneksimit të Krimesë nga Ukraina, në vitin 2014.

Lidhur me masën e re, diplomatët e bllokut do të diskutojnë edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, nëpërmjet videolidhjes.