Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania forcon ushtrinë nga frika e një pushtimi rus

Gjermania ka nisur të forcojë ushtrinë e saj për shkak të frikës së një lufte me Rusinë. Kjo frikë tani është përzier me diskutimet se çfarë do të ndodhë me NATO-n nëse ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, rizgjidhet dhe ka shans të dytë për të vepruar sipas instinktit për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga aleanca

(NYT) - Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka filluar të paralajmërojë gjermanët se duhet të përgatiten për dekada për konfrontim me Rusinë – dhe se duhet të rindërtojnë shpejt ushtrinë e Gjermanisë në rast se Vladimir Putini, presidenti i Rusisë, nuk planifikon të ndalet në kufirin me Ukrainën, ka raportuar “The New York Times”.

Ushtria ruse, sipas Pistoriusit, është plotësisht e zënë me Ukrainën. Por nëse ka një armëpushim, Pistoriusi mendon se lideri rus do të shqyrtojë testimin e unitetit të NATO-s.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Askush nuk e di se si dhe nëse kjo luftë do të zgjasë", ka thënë Pistoriusi për luftën aktuale, duke argumentuar për një rritje të shpejtë të përmasave të ushtrisë gjermane dhe një rimbushje të arsenalit të saj.

Paralajmërimet publike të Pistoriusit pasqyrojnë ndryshim të rëndësishëm në nivelet e larta të udhëheqjes së një vendi që i është shmangur një ushtrie të fortë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Alarmi po bëhet gjithnjë e më i fortë, por publiku gjerman nuk është i bindur se siguria e Gjermanisë dhe Evropës është e kërcënuar nga Rusia e re agresive.

Posti i ministrit të Mbrojtjes në Gjermani është shpesh një qorrsokak politik. Por statusi i Pistoriusit, si një nga politikanët më të njohur të vendit i ka dhënë atij lirinë për të folur, gjë që të tjerët – përfshirë edhe shefin e tij, kancelarin Olaf Scholz – nuk e pëlqejnë.

Ndërsa Scholzi përgatitet të takohet me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten, shumë anëtarë të Qeverisë gjermane thonë se nuk mund t’i kthehen biznesit me Rusinë e Putinit, pasi që parashikojnë pak progres këtë vit në Ukrainë dhe se kanë frikë nga pasojat e mbizotërimit të Putinit atje.

Kjo frikë tani është përzier me diskutimet se çfarë do të ndodhë me NATO-n nëse ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, rizgjidhet dhe ka shans të dytë për të vepruar sipas instinktit për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga aleanca.

Mundësia e Trumpit për t’u rizgjedhur ka bërë që zyrtarët gjermanë dhe shumë nga homologët e NATO-s të diskutojnë zyrtarisht nëse struktura e aleancës gati 75-vjeçare që ata po planifikojnë të festojnë në Washington këtë vit mund të mbijetojë pa Shtetet e Bashkuara në qendër të saj. Shumë zyrtarë gjermanë thonë se shpresa më e mirë strategjike e Putinit është thyerja e aleancës së NATO-s.

Por tani, me një Amerikë të pasigurt, një Rusi agresive dhe një Kinë që orvatet, si dhe luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Gaza, zyrtarët gjermanë kanë filluar të flasin për shfaqjen e një bote të re, të ndërlikuar dhe shqetësuese, me pasoja të rënda për sigurinë evropiane dhe transatlantike.

Shqetësimi i tyre është rritja e pesimizmit se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë financimin e Ukrainës, ashtu si Gjermania, kontribuuesi i dytë më i madh, ka rënë dakord të dyfishojë kontributin e saj këtë vit, me rreth 8.5 miliardë dollarë.

Tani, disa nga kolegët e Pistoriusit paralajmërojnë se nëse fondet amerikane shterojnë dhe Rusia mbizotëron, objektivi i saj i ardhshëm do të jetë më afër Berlinit.

“Nëse Ukraina do të detyrohej të dorëzohej, kjo nuk do të kënaqte urinë e Rusisë për pushtet”, ka thënë shefi i shërbimit të inteligjencës gjermane, Bruno Kahli, javën e kaluar. "Nëse Perëndimi nuk demonstron gatishmëri të qartë për t'u mbrojtur, Putini nuk do të ketë arsye të mos sulmojë më NATO-n”, ka shtuar Kahli.

Por kur u bëhet presion sa i përket një konflikti të mundshëm me Rusinë, apo për të ardhmen e NATO-s, politikanët gjermanë flasin me kujdes.

Në dekadat që pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shumica e gjermanëve janë mësuar me nocionet se siguria e vendit do të ishte e garantuar nëse do të punonte me Rusinë, jo kundër saj dhe se Kina është partner i domosdoshëm tregtar.

Edhe sot, Scholzi, socialdemokrat, partia e të cilit tradicionalisht kërkonte lidhje të mira me Moskën, duket se ngurron të diskutojë për të ardhmen me Rusinë ose Kinën.

Me përjashtim të Pistoriusit, pak politikanë e trajtojnë këtë temë në publik. Scholzi është veçanërisht i kujdesshëm, duke u kujdesur për marrëdhëniet e Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara dhe i kujdesshëm që të mos e shtyjë Rusinë dhe presidentin e saj të paparashikueshëm.

Dy vjet më parë, Scholzi shpalli një epokë të re për Gjermaninë - një “Zeitenwende”, ose një pikë kthese historike, në politikën e sigurisë gjermane, epokë që tha se do të shënohej nga një ndryshim i rëndësishëm në shpenzime dhe të menduar strategjik. Ai premtoi ndarjen e 100 miliardë eurove shtesë për shpenzimet ushtarake gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Këtë vit, për herë të parë, Gjermania do të shpenzojë 2 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto për ushtrinë, duke arritur qëllimin për të cilin të gjitha vendet e NATO-s ranë dakord në vitin 2014, pas aneksimit rus të Krimesë, por që shumica e ekspertëve paralajmërojnë se tani është shumë i ulët.

Megjithatë, në aspekte të tjera, Scholzi ka lëvizur me shumë kujdes. Ai ka kundërshtuar – së bashku me presidentin e SHBA-së, Bidenin – vendosjen e një afati kohor për hyrjen përfundimtare të Ukrainës në aleancë.

Shembulli i kujdesit të tij është refuzimi i vazhdueshëm për t'i ofruar Ukrainës një raketë me rreze të gjatë, të quajtur “Taurus”.

Vitin e kaluar, Britania dhe Franca i dhanë Ukrainës ekuivalentin e tyre më të afërt, “Storm Shadow/SCALP”, raketë me rreze të gjatë, e cila është përdorur për të shkatërruar anijet ruse në portet e Krimesë – dhe për të detyruar Rusinë të tërheqë flotën e saj. Bideni pranoi pa dëshirë t'i jepte Ukrainës në vjeshtë “ATACMS”, raketë e ngjashme edhe pse me rreze të kufizuar në rreth 100 milje.

Raketa “Taurus” ka një distancë prej më shumë se 300 milje, që do të thotë se Ukraina do të mund ta përdorte atë për të goditur thellë në Rusi. Scholzi nuk është i gatshëm ta shfrytëzojë këtë shans – as Bundestagu, i cili votoi kundër një rezolute që kërkonte këtë transferim. Ndërsa vendimi duket se i përshtatet opinionit gjerman, Scholzi dëshiron ta shmangë këtë temë.

Sondazhet tregojnë se gjermanët duan të shohin një ushtri gjermane më të aftë. Por vetëm 38 për qind e të anketuarve thanë se dëshironin që vendi i tyre të përfshihej më shumë në krizat ndërkombëtare, shifra më e ulët qëkur filloi të bëhej kjo pyetje në vitin 2017, sipas Fondacionit Körber, i cili kreu sondazhin. Nga ai grup, 76 për qind thanë se angazhimi duhej të ishte kryesisht diplomatik dhe 71 për qind ishin kundër rolit udhëheqës ushtarak të Gjermanisë në Evropë.

Zyrtarët ushtarakë gjermanë mbajtën së fundmi një protestë të vogël kur sugjeruan se vendi duhet të jetë "gati për luftë".

Norbert Röttgen, opozitar dhe ekspert i politikës së jashtme, ka thënë se: “Scholzi ka thënë gjithmonë se ‘Ukraina nuk duhet të humbasë, por Rusia nuk duhet të fitojë’ dhe se ai e mendon Rusinë si më të rëndësishmen nga të gjitha vendet mes nesh dhe tyre dhe i mungojnë sensi evropian dhe roli i tij i mundshëm si lider evropian”.

Röttgeni dhe kritikë të tjerë të Scholzit mendojnë se ai po humb një mundësi historike për të udhëhequr krijimin e aftësisë mbrojtëse evropiane, e cila është më pak e varur nga parandalimi ushtarak dhe bërthamor amerikan.

Por Scholzi duket qartë se ndihet më rehat duke u mbështetur në Washingtonin. Zyrtarët e lartë gjermanë thonë se ai nuk i beson veçanërisht Emmanuel Macronit, president i Francës, i cili ka argumentuar për “autonominë strategjike” evropiane. Macroni ka gjetur pak ndjekës në Evropë.

Edhe nisma kryesore e mbrojtjes evropiane e Scholzit, mbrojtje ajrore e koordinuar me bazë tokësore kundër raketave balistike të njohura si “Sky Shield”, varet nga një përzierje e sistemeve të raketave amerikane, amerikano-izraelite dhe gjermane. Kjo ka zemëruar francezët, italianët, spanjollët dhe polakët, të cilët nuk janë bashkuar, duke argumentuar se duhej të ishte përdorur një sistem italo-francez.

Ambiciet e Scholzit pengohen gjithashtu nga ekonomia e tij gjithnjë e më e dobët. Ekonomia u tkurr 0.3 për qind vitin e kaluar dhe afërsisht e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në vitin 2024. Kostoja e luftës në Ukrainë dhe problemet ekonomike të Kinës – të cilat kanë goditur më shumë sektorin e automjeteve dhe prodhimit – e kanë përkeqësuar problemin.

Ndërsa Scholzi pranon se bota ka ndryshuar, “nuk thotë se ne duhet të ndryshojmë me të”, ka thënë Ulrich Specku, një analist gjerman.

“Scholzi thotë se bota ka ndryshuar dhe se ne do t'ju mbrojmë”, ka shtuar Specku.

Por kjo mund të kërkojë shumë më tepër shpenzime ushtarake – mbi 3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të Gjermanisë. Tani për tani, pak anëtarë të partisë së Scholzit guxojnë të sugjerojnë këtë.

Përgatiti: Latra Gashi