Gjermania do të varfërohet si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, ka thënë të mërkurën ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, raporton CNN-i.
Habeck ka deklaruar se rritja e çmimeve të naftës ka nxitur inflacion rekord dhe po kërcënon të çojë ekonominë më të madhe të Evropës në recesion.
“Nuk është e mundur që kjo të përfundojë pa kosto për shoqërinë gjermane, është e paimagjinueshme. Unë besoj se ne jemi gati të paguajmë këtë çmim që është mjaft i vogël në krahasim me vuajtjet në Ukrainë”, ka thënë Robert Habeck për transmetuesin publik ZDF të mërkurën.
Shifrat paraprake tregojnë se inflacioni në Gjermani ka arritur në 7.3% në mars, sipas Zyrës Federale të Statistikave të vendit. Ky është niveli më i lartë në më shumë se 40 vjet.
Rritja e çmimeve të energjisë kishte qenë problem disa muaj para se Rusia ta pushtonte Ukrainën, por lufta dhe frika se do të çojë në një krizë furnizimi në Evropë, i kanë shtyrë çmimet edhe më tej. Ky është një shqetësim i veçantë për Gjermaninë, klientin më të madh të Rusisë sa i përket energjisë.
Qeveria gjermane tregoi të mërkurën se një mosmarrëveshje me Rusinë, e cila ka kërkuar që kombet "jomiqësore" të paguajnë në rubla për gazin e tyre natyror dhe jo në euro ose dollarë amerikanë, siç është në kontrata, mund të çojë në mungesa të tjera.
Edhe
Ekonomia e Gjermanisë është në “ujëra të trazuara”, thotë ministri gjerman
"Gjermania duhet të bëjë menjëherë gjithçka që është e mundur për të marrë masa paraprake kundër një pezullimi të furnizimeve ruse të energjisë dhe të përfundojë shpejt varësinë e saj nga burimet ruse të energjisë”, ka thënë Këshilli Gjerman i Ekspertëve Ekonomikë në një deklaratë të mërkurën.
Banka Qendrore e Evropës deri më tani ka frenuar rritjen e normave të interesit ndryshe nga bankat në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kanë vepruar për të zbutur inflacionin në javët e fundit.