Votuesit në Gjermani dhe Evropë janë duke fuqizuar partitë nacionale të djathta, të cilët premtojnë të kufizojnë emigracionin dhe në disa raste liritë demokratike të fesë, të shprehjes, të së drejtës për të protestuar
Kur Sabine Thonke u është bashkuar demonstratave të fundit në Berlin kundër partisë së djathtë të Gjermanisë, ishte hera e parë pas shumë vjetësh që ajo ka shpresuar se fuqia në rritje e ekstremistëve në vendin e saj do të ndalonte.
Thonke, 59-vjeçare, ka qenë duke ndjekur me shqetësim rritjen e partisë “Alternativa për Gjermaninë” apo AfD. Por, kur ajo ka dëgjuar lajmin për dëbimin e miliona njerëzve, ajo u ndje e thirrur për të vepruar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kurrë nuk kam menduar se ide të tilla johumane do të bëheshin përsëri të famshme në Gjermani. Unë kam menduar se kemi mësuar diçka nga e kaluara jonë”, ka thënë Thonke.
Shumë gjermanë kanë besuar se vendi i tyre kishte zhvilluar imunitet ndaj nacionalizmit dhe ndasive racore pas makthit të së kaluarës naziste, përmes edukimit dhe ligjeve kundër persekutimit.
Ata e kishin gabim.
Nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot, AfD-ja do të ishte partia e dytë fituese, sipas sondazheve.
Por sondazhet kombëtare fshehin një ndarje të rëndësishme: AfD-ja ka mbështetje joproporcionale nga shtetet lindore ish-komuniste të Gjermanisë.
Pas rënies së komunizmit në vitin 1989 dhe bashkimit të Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore një vit më vonë, shumë njerëz nga pesë shtetet lindore humbën jo vetëm punën, por edhe të kaluarën kolektive, duke i lënë të çorientuar dhe të pafuqishëm në sistemin kapitalist.
AfD-ja është nxitur nga zemërimi për inflacionin dhe mbi të gjitha, rritja e emigracionit. Bashkimi Evropian ka marrë 1.1 milionë kërkesa për azil në vitin 2023, numri më i lartë që nga viti 2015. Gjermania ka marrë numrin më të madh të kërkesave – më shumë se 300,000 – kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Turqia. Vendi gjithashtu ka mirëpritur më shumë se një milion refugjatë ukrainas të zhvendosur nga pushtimi i Rusisë.
Votuesit në Gjermani dhe Evropë janë duke fuqizuar partitë nacionale të djathta, të cilët premtojë të kufizojnë emigracionin dhe, në disa raste, të kufizojnë liritë demokratike të fesë, të shprehjes, të së drejtës për të protestuar. Kjo po ndodh kryesisht në Francë, Itali, Holandë dhe Austri.

Mësimet nga Lufta e Dytë Botërore
Pas vitit 1945, gjermanët perëndimorë janë rritur me principin se nuk duhet të ketë më “kurrë” diktaturë në Gjermani. Liderët e Gjermanisë Perëndimore kanë bërë vizita në Izrael dhe u kanë kërkuar falje vendeve të pushtuara nga nazistët, teksa nxënësit janë dërguar për t’i parë kampet e përqendrimit ose memorialët e Holokaustit.
Në Lindje, ku kryeson një shoqëri e vetëshpallur antifashiste, të rinjtë u çuan gjithashtu në kampe përqendrimi, por mësimet nuk u fokusuan te fajësia. Në vend të kësaj, mësimet theksuan se ata ishin pasardhës të viktimave të nazistëve.
Thonke, që punon në ujësjellësin e Berlinit, është rritur në Bavari, qytet i cili ka qenë në pjesën e Gjermanisë Perëndimore para ribashkimit në vitin 1990. Ajo ka thënë se nuk flet shumë me gjyshërit e saj – gjeneratë e nazistëve – për atë që ka ndodhur gjatë Rajhut të Tretë (Third Reich), por ka mësuar në shkollë për rritjen e Adolf Hitlerit dhe Holokaustin.
Sot partia e djathtë është duke përdorur taktika të ngjashme, ka thënë ajo, duke shfrytëzuar frikën e njerëzve për të fituar besimin dhe votat e tyre.
“Unë e kuptoj se njerëzit janë të lodhur nga të gjitha krizat që kanë ndodhur – pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë, emigrantët e shumtë, inflacioni – dhe se frikësohen se gjërat vetëm do të përkeqësohen”, ka thënë Thonke. “Por zgjidhjet që ofron AfD-ja nuk do të zgjidhin asnjë nga këto probleme”.
Sondazhet kanë treguar AfD-në si parti kryesore e shteteve lindore të Saksonisë dhe Thuringenit, me rreth 35% mbështetje në secilën. Të dyja do të mbajnë zgjedhjet këtë vjeshtë, se bashku me shtetin lindor të Brandenburgut, ku AfD-ja pritet gjithashtu të arrijë rezultate të larta.
Thirrja e AfD-së duket të jetë më me ndikim për meshkujt – ku rreth dy e treta e votuesve janë meshkuj – dhe për votuesit e rinj, të cilët janë në rritje. Në zgjedhjet e fundit shtetërore në Hesse dhe Bavaria në tetor, AfD-ja ka pasur rritje të konsiderueshme nga votuesit 24-vjeçar dhe ata më të rinj në moshë.
Partia është duke përdorur internetin më shumë sesa rivalët e saj për të shpërndarë mesazhet e veta te rinia. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e AfD-së shpesh shmangin fjalimet para mediave kryesore dhe ndonjëherë nuk i akreditojnë për konventat e tyre, gazetarët për që i konsiderojnë si kritikë.
Partia ka përfituar nga zhgënjimi i thellë i votuesve me kancelarin Olaf Scholz. Qeveria e tij ka ardhur në pushtet dy vjet më parë me agjendë moderne dhe progresive, por që tani shumë e shohin si jofunksionale dhe të paaftë.
Dega e AfD-së në Thuringen është veçanërisht radikale dhe është vendosur nën mbikëqyrje zyrtare nga shërbimi i brendshëm i inteligjencës para katër vjetëve, si grup “i dëshmuar ekstremist i djathtë”.
Lideri i AfD-së në Thuringen, Bjoern Hoecke, në periudha të ndryshme ka përkrahur pikëpamjet revizioniste nga e kaluara naziste e Gjermanisë. Në vitin 2018, ai e ka quajtur një memorial të Holokaustit në Berlin “monument të turpit” dhe ka bërë thirrje që Gjermania të bëjë “kthesë prej 180 shkallësh” në mënyrën se si e mban mend të kaluarën.
“Partia nacionaliste e AfD-së dhe nacionalistët kanë dëshirë të jenë krenarë me veten e tyre, dhe kushdo që dëshiron të jetë krenar për historinë gjermane, sigurisht që duhet të minimizojë, të nënvlerësojë apo edhe të mohojë turpin e krimeve naziste në mënyrë që të jetë në gjendje të tregojë historinë e madhështisë kombëtare”, ka thënë Jens-Christian Wagner, historian dhe drejtori i memorialit “Buchenwald”, ish-kamp përqendrimi në Thuringia, ku nazistët kanë vrarë më shumë se 56,000 njerëz.
Sulmet ndaj ish-kampeve të përqendrimit janë bërë më të shpeshta muajve të fundit: Wagneri ka thënë se kjo po ndodh nga “sloganet raciste, revizioniste dhe antisemitike” të promovuara nga AfD-ja.
Thirrje për zgjim
Që nga janari, një valë e protestave kundër partisë së djathtë ka kapluar Gjermaninë, të cilat janë nxitur për shkak të një raporti se ekstremistët e djathtë janë takuar për të diskutuar dëbimin e miliona emigrantëve, duke përfshirë edhe disa me shtetësi gjermane.
Anëtarët e AfD-së ishin prezent në takim së bashku me Martin Sellner, një i ri austriak me lidhje neonaziste dhe dënime për ekstremizëm të dhunshëm.
Takimi, i mbajtur në nëntor, kishte ngjashmëri të frikshme me Konferencën e Wannsees, kur nazistët kanë pranuar të ashtuquajturën “zgjidhje përfundimtare” – grumbullim sistematik që ka çuar në vrasjen e 6 milionë hebrenjve.
Sikurse në dhjetor të vitit 1942, kur zyrtarët e lartë nazistë janë takuar në një vilë pranë liqenit jashtë Berlinit, takimi i fundit është mbajtur në mënyrë sekrete në një vilë jo larg kryeqytetit gjerman.
Liderët e partisë AfD janë përpjekur të distancojnë veten e tyre nga takimi, duke thënë se partia nuk kishte lidhje organizative ose financiare me rastin, që nuk ishte përgjegjëse për çfarë ishte diskutuar atje dhe se anëtarët, që ishin pjesë e takimit, kishin marrë pjesë nga vullneti personal.
Shefi i AfD-së në parlament, Bernd Baumann, është ankuar se partia e tij është duke u përballur me një “fushatë dredharake nga politikanët dhe gazetarët nga klasa e majtë”.
“Klubet e vogla private të debatit janë duke u kthyer në takime sekrete që janë të rrezikshme për publikun”, ka thënë ai.
Prapëseprapë, javë pas jave, miliona gjermanë kanë dalë për të protestuar, duke marrë pjesë në ngjarje me slogane të tilla si ““Kundër urrejtjes” dhe “Mbroni demokracinë”.
Demonstratat në qytetet si Berlini, Munihu, Hamburgu ose Dyseldorfi, kanë tërhequr mijëra pjesëmarrës – aq shumë saqë autoriteteve u është dashur të ndërpresin marshin herët, për shkak të rrugëve të stërmbushura.
Njerëzit gjithashtu kanë dalë në protestë në qytete më të vogla dhe madje kanë mbajtur mbledhje javore në lagjet e tyre për të shprehur zhgënjimin e tyre për rritjen e mbështetjes ndaj ekstremit të djathtë.
Më shumë se 2.4 milionë njerëz deri më tash u janë bashkuar protestave anti-AfD që filluan në mes të janarit, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane. Organizatorët e protestave kanë vlerësuar se kanë marrë pjesë më shumë se 3.6 milionë njerëz.
Në mesin e tyre ishte edhe Thonke, e cila ka shkuar në dy mitingje pro-demokracisë në Berlin, duke thënë se është qetësuar pasi ka parë që vendi është “duke u zgjuar”.
“Unë nuk e kam më ndjenjën e pafuqisë që kisha vitin e kaluar teksa shihja rritjen dhe suksesin e AfD-së”, ka thënë ajo, duke shtuar se qeveria duhet të bëjë më shumë.
“Qeveria duhet të gjejë zgjidhje për krizat e emigrimit, përndryshe AfD-ja do të vazhdojë të shfrytëzojë këtë temë për qëllimet e saj dhe do të bëhet akoma më e fuqishme”, ka thënë Thonke.
Valët e mëhershme të protestave kundër lëvizjes antiislamike dhe antiemigrim “PEGIDA” pas një kohe kanë mbaruar, edhe pse nuk ishin aq të mëdha sa lëvizja anti-AfD, e cila është duke u rritur akoma.
Prapëseprapë, AfD-ja është duke vazhduar rrugën e saj. Në dhjetor ka shënuar një moment tjetër historik, ku për herë të parë kandidati i saj ka fituar zgjedhjen për kryetar bashkie në qytetin Pirna, në Saksoni.
Tani partia ua ka vënë sytë zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor. Nëse Thonke dhe protestuesit e tjerë duan të shtyjnë jashtë lojës të djathtën ekstreme, ata do të duhet të bindin bashkatdhetarët e tyre jo vetëm të protestojnë, por të dalin në numër të madh për të votuar.
Përktheu: Latra Gashi