Botë

Gjendet i vdekur një inspektor tatimor në pronën e një tregtari në Francë

Një inspektor tatimor francez është vrarë gjatë një kontrolli në shtëpinë e një tregtari mallrash të përdorura, ka bërë të ditur policia franceze.

Oficerët e gjetën viktimën të shtrirë në dysheme dhe kolegen e tij femër të lidhur për një karrige në pronën e tregtarit në fshatin e vogël verior të Bullecourt, raportoi BBC-ja të martën.

Mësohet se inspektori tatimor 43-vjeçar është qëlluar me thikë për vdekje.

Trupi i tregtarit u zbulua me plagë plumbash në një ndërtesë periferike. Zyra e prokurorit vendas thotë se ai qëlloi veten.

Biznesmeni 46-vjeçar mblidhte artikuj nga shtëpitë private për t'i rishitur ato në fermën që zotëronte, sipas Éric Bianchin, kryebashkiaku i Bullecourt, një fshat me 250 banorë në jug-lindje të Arras.

“Kurrë nuk kam pasur asnjë problem me të”, tha kryebashkiaku për mediat franceze, duke shtuar se ai kishte ardhur në fshat katër vjet më parë.

Megjithatë, telashet u krijuan qartë gjatë diskutimit të tij me ekipin e zyrës së taksave që kishin shkuar në shtëpinë e tij të hënën për të kontrolluar të dhënat e tij.

Kur alarmi u ngrit "nga një dëshmitar" në mbrëmjen e së hënës, shërbimet e urgjencës mbërritën në fermë, duke e gjetur të vdekur inspektorin dhe pronarin e fermës.

Inspektori që u vra "po bënte punën e tij" por "nuk u kthye kurrë", tha ministri francez i llogarive publike Gabriel Attal, i cili vizitoi kolegët e inspektorit të vdekur të martën.