Një francez 71 vjeç ka pranuar para gjykatës të martën se për gati një dekadë ai vazhdimisht e ka droguar gruan e tij dhe ka ftuar dhjetëra burra për ta përdhunuar derisa ajo ka qëndruar pa vetëdije në shtrat.
Gruaja, e cila është shkurorëzuar pas arrestimit të tij, ka thënë se ndihet e tradhtuar. Ata ishin së bashku për 50 vjet.
Dominique Pelicot ka thënë në gjyq se ai gjithashtu e kishte përdhunuar gruan e tij, Gisele Pelicot, dhe se 50 burrat që ishin po ashtu në gjyq me të ishin të vetëdijshëm se çfarë po bënin atë kohë, raportoi AP.
“Sot unë e pohoj se, bashkë me këta burra këtu, unë jam një përdhunues”, ka thënë Dominique Pelicot. “Ata dinin gjithçka. Ata nuk mund të thonë ndryshe”.
Dëshmia e Pelicotit shënoi momentin kyç në procesin gjyqësor që ka tronditur botën. Edhe pse ua kishte rrëfyer hetuesve më parë, dëshmia në gjyq do të jetë thelbësore për panelin e gjykatësve për të vendosur për fatin e të pandehurve, që janë nga 26 deri në 74 vjeç.
Gisele Pelicot është bërë heroinë për shumë viktima të përdhunimit dhe simbol i luftës kundër dhunës seksuale në Francë pasi u pajtua që të dilte publikisht për rastin dhe gjyqi të ishte transparent.
Dominique Pelicot të martën nisi dëshminë duke u përpjekur të shpjegonte traumat e fëmijërisë të cilat tha se e bënë shndërruan në atë person.
“Nuk lind pervers, bëhesh pervers”, i ka thënë ai trupit gjykues pasi tregoi se ishte përdhunuar nga një infermier në moshën 9 vjeç dhe se ishte detyruar të merrte pjesë në një përdhunim në bandë si 14-vjeçar.
Pelicot po ashtu tha se për vite babai i tij e kishte abuzuar seksualisht një vajzë që familja e tij e kishin marrë nën kujdes, dhe se vëllai i tij më vonë kishte thënë se babai kishte ftuar edhe të tjerë burra ta bënin të njëjtën me vajzën.
“Nuk dua të flas për këtë, jam i turpëruar nga babai im. Në fund, nuk u bëra më i mirë”, është shprehur Pelicot, që përballet me 20 vjet burgim nëse shpallet fajtor.
Pelicot iu drejtua edhe Giseles duke i kërkuar falje, dhe kur ajo u pyet nëse donte t’i përgjigjet, ajo u largua.
Kur u pyet për ndjenjat ndaj ish-gruas, Dominique Pelicot u përgjigj se ajo nuk e meritoi atë që ia bëri.
“Nga rinia ime kujtoj vetëm trauma, të harruara kryesisht falë saj”.
“Isha i çmendur pas saj. Ajo zëvendësoi gjithçka. Unë shkatërrova gjithçka”, shtoi ai.
Një roje supermaketi e kishte kapur Pelicotin më 2020 duke incizuar fshehurazi përfundi fustaneve të grave, sipas dokumenteve të gjykatës. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe pajisjet elektronike u gjetën mijëra foto dhe video të burrave që kryenin akte seksuale me Gisele Pelicot derisa ajo ishte pa vetëdije në shtrat.
Me ato incizime policia mundi të gjurmonte shumicën e 72 të dyshuarve që po i kërkonte, por jo të gjithë.
Në mesin e pamjeve të Gisele Pelicot, hetuesit gjetën foto të vajzës së tyre, Caroline Darian, dhe dy nuseve të djemve që ishin kapur fshehurazi kur ishin me të brendshme, ose po zhvisheshin për t’u larë.
Derisa nëna qëndroi e qetë gjatë gjyqit, Darian u largua nga aty të martën kur babai po pyetej për fotot e gjetura.
Kur policët e thirrën Gisele Pelicotin në fund të vitit 2020, ajo u kishte thënë se burri i saj ishte “njeri i mirë”. Më pas i treguan disa foto. Ajo u largua dhe u shkurorëzua më pas.