Shirullah Badri ka qenë luftëtar taleban gjatë gjithë jetës. Ai ka paguar çmim të lartë në luftë, duke humbur tre vëllezër krahas familjarëve tjerë e miqve. Gjatë gjithë kohës, ka pasur vetëm një fokus: Të përzë forcat e huaja, sidomos ato amerikane nga Afganistani.
Në natën e 15 gushtit, Republika Islamike e Afganistanit u bë Emiratet Islamike, të udhëhequra nga talebanët. Në këtë epokë, Badri ka një mision të ri: Të ruajë paqen.
Badri, që është në fund të 20-ave, u bë shef i stacionti policor 12 në distriktin e Kabulit.
Nën regjimin taleban, Afganistani do të jetë ndryshe, thotë ai. Nën qeverisjen e shkuar, me përkrahje ndërkombëtare, vjedhjet e kidnapimet ishin të zakonshme. “Në qeverisjen tonë, s’do të lejojmë askënd të përfshihet në korrupsion”, ka deklaruar ai për “Associated Press” që ka publikuar fotografi portret të disa prej zyrtarëve talebanë.
Në Kabul, talebanët po udhëheqin mbi një popullatë që po dëshiron t’i jepet fund krimit e korrupsionit. Por shumë po ashtu frikësohen se tani do të ngrihet sërish versioni i ligjeve islamike që ishin në fuqi në vitet 1990. Kjo nënkuptonte edhe amputim duarsh për hajnat e rrahje të mëdha për ata që rruhen, largim të grave nga jeta publike e moslejim të muzikës dhe ngjarjeve argëtuese.
Në këtë vend, luftëtarët e rinj që dolën nga fushëbetejat tani po patrullojnë në kryeqytetin e Afganistanit.
Disa madje bartin edhe uniformat e lënga nga forcat afgane që mbështeteshin prej SHBA-së.
“Sa të jemi gjallë, do të jemi Emiratet Islamike”, ka thënë Badri.






