Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Forcat franceze likuiduan liderin e Al Kaedës në Mali

Forcat franceze e vranë liderin ushtarak të krahut afrikanoverior të Al Kaedës në operacionin e pjesës veriore të Malit, kumtoi ministrja e Mbrojtjes së Francës, Florens Parli.

Ish-kryeshefi i armatës së Malit, Bah ag Musa, i njohur si Bamuza Diar, është vrarë të enjten në një operacion të forcave franceze, transmeton Koha.mk.

“Besohet se figura e rëndësishme në lëvizjen xhihadiste në Sahel është përgjegjëse për disa sulme mbi forcat ndërkombëtare dhe forcat e Malit”, citohet në kumtesën e ministres franceze Parli.

Bah ag Musa ishte dora e djathtë e liderit të grupit më të njohur xhihadist në Mali – JNIM (Jama`at Nusrat al-Islam val-Muslimin),e cila rregullisht ka sulmuar ushtarë dhe civilë në Mali dhe Burkina Faso.

Sulmi i Francës vijoi pas shumë operacioneve në javët e fundit në të cilat trupat e këtij vendi vranë dhjetëra islamistë.

Franca ka sistemuar më shumë se 5.100 ushtarë nëpër të gjithë rajonin, ndërsa në numër të madh në Mali, ku zbaton aksione kundër militantëve.