Njësia e Rezervave të Forcave Ajrore “Krahu 403” ka mbledhur të dhëna për stuhinë tropikale “Franklin”.
Të dhënat e mbledhura nga skuadroni i motit, do të përdoren për t’i përmirësuar parashikimet e motit në Qendrën Kombëtare të Uraganeve.
Stuhia tropikale “Franklin” ka goditur Republikën Dominikane të mërkurën.
Së paku dy persona kanë vdekur dhe më shumë se 670 shtëpi janë shkatërruar nga stuhia e fuqishme.
Sipas të dhënave nga skuadroni, që ka hyrë në mes të stuhisë, “Franklin” pritet të forcohet në uragan të shtunën, por nuk përbën shqetësim.
Kjo është stuhia e shtatë në sezonin e uraganeve të Atlantikut.
Ky sezon nis nga qershori dhe zgjat deri në fund të nëntorit.
Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës ka përditësuar parashikimet dhe ka paralajmëruar se sezoni i uraganeve sivjet do të jetë mbi normalen.
Parashikohen deri në 21 uragane sivjet.
Gjashtë deri në 11 stuhi mund të shndërrohen në uragane, ndërkaq dy deri në pesë prej tyre ka shumë gjasa të jenë uragane të fuqishme.