Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Flet kryeministri i Irakut, si i shpëtoi atentatit me dron?

Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, i mbijetoi një atentati me dron, që vunë në shënjestër rezidencën e tij të dielën herët në mëngjes. Autoritetet thanë se ai doli i padëmtuar nga ky sulm që paraqet një përshkallëzim mes tensionesh të nxitura nga refuzimi i milicive të mbështetura nga Irani, për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar.

Dy zyrtarë irakianë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se shtatë nga rojat e sigurisë së kryeministrit al-Kadhimi u plagosën në sulmin me dy dron të armatosur, që ndodhi në Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit. Ata folën në kushte anonimiteti, meqë nuk ishin të autorizuar të japin deklarata zyrtare.

“Unë jam mirë dhe në mesin e njerëzve të mi. Falë Zotit”, shkroi kryeministri në Twitter menjëherë pas sulmit. Ai bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje, “për hir të Irakut”.

Më vonë ai u shfaq në televizionin irakian, i ulur pas një tryeze dhe veshur me një këmishë të bardhë, në dukje i qetë.

“Sulmet qyqare me raketa dhe dron nuk ndërtojnë atdhe dhe nuk ndërtojnë një të ardhme”, tha ai.

Qeveria tha në një deklaratë, se një dron i ngarkuar me eksploziv u përpoq të godiste shtëpinë e al-Kadhimit. Banorët e Bagdadit dëgjuan një shpërthim të pasuar me të shtëna të forta armësh nga Zona e Gjelbër, ku ndodhen ambasadat e huaja dhe zyrat qeveritare.

Edhe Kryeministri i Irakut i shpëton atentatit me dron Botë Kryeministri i Irakut i shpëton atentatit me dron

Nuk pati asnjë pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë për sulmin, që ndodhi në mes të një përplasjeje midis forcave të sigurisë dhe milicive shiite pro-iraniane, mbështetësit e të cilëve kanë qëndruar jashtë Zonës së Gjelbër për gati një muaj, pasi refuzuan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të Irakut, në të cilat humbën rreth dy të tretat e vendeve në parlament.

Al-Kadhimi, 54 vjeç, ishte shef i Shërbimit të zbulimit irakian përpara se të bëhej kryeministër në maj të vitit të kaluar. Ai konsiderohet nga milicitë si i afërt me Shtetet e Bashkuara dhe është përpjekur të balancojë aleancat e Irakut si me SHBA-në ashtu edhe me Iranin. Para zgjedhjeve, ai ishte mikpritës i disa raunde bisedimesh midis armiqve rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite në Bagdad, në një përpjekje për të ulur tensionet.