Lufta ruse ka ndryshuar gjithçka në qytetin ukrainas të Kharkivit, përfshirë jetët e fëmijëve. Për shkak të bombardimeve të mëdha në qytetin kufitar janë mbyllur shkollat. Tani kur lufta po hyn në vitin e tretë, pjesë të jetës në Kharkiv janë vendosur në nëntokë. Thellë në metro janë krijuar klasat e veçanta. Të tilla ka në pesë stacione të qytetit.
Autoritetet lokale kanë nisur mësimin nën rrugët e qytetit. Gjatë fundjavave kanë nisur edhe klasat e parashkollorëve.
“Tani kemi 565 fëmijë që kanë mundësi të mësojnë dhe të përgatiten për shkollë në pesë stacione të metrosë”, ka thënë Valerii Shepel – zëvendësdrejtor i Arsimit në Kharkiv.
Vitin e kaluar shkollat u hapën në metronë e Kharkivit, tani prindërit do të mund të sjellin edhe fëmijët në parashkollore dhe në çerdhe. Çerdhet kanë kaluar në hapësirat nëntokësore dhe deri më tani mund të akomodojnë 1 mijë fëmijë. Metroja e Kharkivit ka qenë strehë për mijëra banorë, sidomos në muajt e parë të luftës. Kharkivi është 40 kilometra larg kufirit me Rusinë.