FBI-ja ka paralajmëruar se protesta të armatosura janë duke u planifikuar në Washington DC dhe në të gjitha kryeqytetet e 50 shteteve amerikane para inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar, ka bërë të ditur të hënën një burim federal i zbatimit të ligjit.
E përballur me kërcënimet e veprimeve të dhunshme nga mbështetësit e presidentit në largim, Donald Trump, Garda Kombëtare është autorizuar që të dërgojë deri në 15.000 trupa në Washington ndërsa turistëve u janë ndaluar vizitat në Monumentin e washingtonit.
Komiteti për Inaugurimin e Bidenit ka bërë të ditur të hënën se temë e ceremonisë së 20 janarit do të jetë “Amerika e bashkuar”, ani pse vendi përballet me pasojat e bastisjes së të mërkurës së shkuar në ndërtesën e Capitolit, prej anës së besnikëve të Trumpit.
Një burim i afërt me qarkun e zbatimit të ligjit, duke folur nën kushtin e anonimitetit, ka thënë se paralajmërimet e FBI-së vlejnë nga 16 janari deri më të paktën 20 janar, për kryeqytetet e shteteve dhe për tri ditët deri në Ditën e Inaugurimit në Washington DC.
Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, gjenerali Daniel Hokanson, u ka thënë gazetarëve se pret që rreth 10.000 trupa të vendosen në Washington deri të shtunën dhe ka shtuar se ata do të përqendrohen në mbështetjen e sigurisë, logjistikës dhe komunikacioneve. Ai ka thënë se numri i trupave mund të rritet në 15.000, po qe se një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet lokale.
Edhe
Në prag të inaugurimit presidencial, masa të pashembullta sigurie dhe një shkëputje nga tradita
Të paktën një ligjvënës i ka kërkuar Pentagonit që të bëjë më shumë.
Senatori Chris Murphy, i cili ka thënë se po ia dërgon një letër ushtruesit të detyrës së sekretarit të Mbrojtjes, ka bërë të ditur se ende nuk është e qartë nëse Garda Kombëtare do të jetë e mjaftueshme për mbrojtjen e kryeqyteteve shtetërore dhe se mund të nevojiten gjithashtu edhe trupa të tjerë aktivë.
Agjencitë turistike kanë bërë të ditur se do t’i pezullojnë xhirot në Monumentin e Washingtonit, një obelisk ky që nderon presidentin e parë të shtetit, deri më 24 janar si pasojë e shqetësimeve të sigurisë të ngritura nga kërcënimet për pengimin e inaugurimit.
Në një letër adresuar sekretarit në detyrë të Sigurisë së Brendshme, Chad Wolf, të publikuar të dielën, kryebashkiakia e Washingtonit, Muriel Bowser, ka bërë thirrje për një qasje të re në rrafshin e sigurisë, pas asaj që ajo e quajti “sulm i pashembullt terrorist” i javës së shkuar.
Bowseri i ka kërkuar Wolfit që t’i anulojë të gjitha lejet e tubimit deri më 24 janar.
Edhe
Inaugurimi i Bidenit: 50 shtetet në SHBA në gatishmëri për protesta të armatosura
Sulmi në Capitol, në kundërshtim të certifikimit të fitores së Bidenit në zgjedhjet e nëntorit, ka shtrënguar ligjvënësit që të dërgohen në strehim dhe ka lënë të vdekur pesë persona. Me dhjetëra persona janë akuzuar për dhunë dhe qindra raste të tjera janë në pritje.
Inaugurimi presidencial në Shtetet e Bashkuara rëndom tërheq me qindra mijëra vizitorë në kryeqytetin amerikan, por ceremonitë aktualisht janë kufizuar në mënyrë dramatike shkaku i pandemisë COVID-19. Vetë Trumpi ka thënë javën e kaluar se nuk do të marrë pjesë në këtë ceremoni, vendim ky të cilin presidenti i zgjedhur e mbështeti.