Familja Abu Assi po i ushqen mijëra palestinezë të zhvendosur që nga fillimi i fushatës së bombardimeve të Izraelit më 7 tetor. Çdo ditë familja gatuan rreth 2 mijë vakte për palestinezët e zhvendosur në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis
Në trotuarin jashtë shtëpisë së Jamil Abu Assit në qytetin jugor të Gazas, Bani Suhail, 31-vjeçari dhe kushërinjtë e tij gatuajnë ushqim në kazanë të mëdhenj.
Jamil Abu Assi dikur gatuante ushqime në shtëpi bazuar në kërkesat e njerëzve. Por pasi një sulm ajror izraelit shkatërroi kuzhinën e tij gjatë ofensivës së vitit 2014 në Rripin e Gazës, ai ndërroi profesionin.
Familja e tij ende gatuan, por tani me synimin për të ndihmuar ata që janë zhvendosur nga sulmet dhe rrethimi i Izraelit në Gaza. Është një mision si kurrë më parë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, një milion palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur brenda vendit që kur Izraeli filloi bombardimin e territorit më 7 tetor. Popullsia e përgjithshme e enklavës së bllokuar është 2.3 milionë. Shumë prej tyre janë zhvendosur në jug të Gazës pas paralajmërimeve të përsëritura nga ushtria izraelite për t’u larguar nga veriu.
Çdo ditë, familja gatuan 2 mijë vakte për palestinezët e zhvendosur në Khan Younis.
Edhe
Një palestinez përballë dy epokave të shkatërrimit
“Unë e filloj mëngjesin tim duke mbledhur drunj, sepse nuk kemi gaz për gatim”, ka thënë Jamil për Al Jazeeran, duke iu referuar bllokadës së plotë të furnizimeve me karburant në Gaza. Por ndonjëherë ka rrezik edhe për të mbledhur drunj, tha ai, duke pasur parasysh afërsinë e qytetit me kufirin me Izraelin.
“Unë nuk dua ta vë veten në rrezik”, tha Jamil.

“Ne përpiqemi të kontribuojmë”
Jamil Abu Assi dhe kushërinjtë e tij kanë ndarë rolet e tyre për të qenë më efikas. Një person ka për detyrë të copëtojë qepët, një tjetër të shtojë përbërësit dhe të përziejë gjellën në tenxhere dhe një i tretë i mbështjell dhe i paketon vaktet.
Shumica e vakteve përfshijnë oriz, thjerrëza dhe freekeh, një drithë e përgatitur nga gruri i gjelbër. Mishi ishte më parë përbërësi kryesor, por tani është më i kufizuar pasi shumë kasapë kanë mbyllur dyqanet e tyre.
Shumë palestinezë që janë zhvendosur në Gazën jugore janë strehuar në shkollat e drejtuara nga Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) duke besuar se ato janë hapësira relativisht më të sigurta. Të tjerët po qëndrojnë me familjet dhe komunitetet nikoqire. Disa prej palestinezëve u larguan nga veriu vetëm me rrobat e tyre, të tjerët me çanta të vogla shpine.
“Shkollat vështirë se janë vende strehimi”, tha Jamil. “Janë varreza për të gjallët, pa gjërat elementare të jetës. Ne përpiqemi të kontribuojmë sadopak në zbutjen e kësaj krize për njerëzit”.
Fushata shkatërruese e bombardimeve të Izraelit pasoi një sulm të papritur të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, duke çuar në vdekjen e 1.400 njerëzve. Bombardimet izraelite të Gazës që atëherë kanë rrafshuar lagje të tëra dhe kanë vrarë më shumë se 5 mijë palestinezë, shumica prej tyre fëmijë e gra.
Megjithatë, për Jamil Abu Assin – si për palestinezët në të gjithë Gazën, Izrael dhe Bregun e pushtuar Perëndimor – agresioni i fundit është pjesë e një historie personale.

“Solidaritet i bukur social”
Abu Assi është një refugjat i gjeneratës së tretë me origjinë nga Jaffa, ku gjyshërit e tij u zhvendosën në vitin 1948 gjatë asaj që palestinezët i referohen si Nakba. Më shumë se 750 mijë palestinezë u dëbuan me forcë nga tokat dhe shtëpitë e tyre, rreth 500 qytete dhe fshatra u shkatërruan dhe mijëra u vranë në një proces spastrimi etnik të kryer nga milicitë hebraike dhe ushtria e shtetit të sapolindur izraelit.
“Gjyshi ynë na tha se të jesh refugjat është shumë e vështirë dhe se kjo nuk do të harrohet kurrë dhe do t’i përcillet çdo brezi”, kujton Jamil Abu Assi. “Dhimbja në zemrat tona nuk do të na bëjë kurrë ta falim Izraelin për atë që ka bërë dhe vazhdon të na bëjë neve”.
Edhe
Vdekje, zhvendosje dhe detyra ushtarake: fëmijët në krizë nga lufta në Lindjen e Mesme
Fëmijët e prekur nga lufta kësaj radhe nuk do të mund të harrojnë kurrë se si kanë luftuar për të mbijetuar pa ushqim, ujë apo energji elektrike, tha ai.
Por mes terrorit dhe traumës së sulmeve dhe rrethimit, një komunitet është bashkuar. Disa njerëz i janë afruar familjes Abu Assi për të parë nëse edhe ata mund të dhurojnë ushqim për palestinezët e zhvendosur.
“Ka një solidaritet të bukur social në qytetin e Khan Younisit”, tha Jamil Abu Assi. “Ne nuk mund të pranojmë që njerëzit e uritur të mos kenë mundësi të sigurojnë ushqim, ndaj ka pasur bashkëpunim organik për të siguruar që nisma të vazhdojë të funksionojë”.
“E sigurt mes njerëzve”
Për të plotësuar nevojat ushqimore të popullsisë së zhvendosur, Jamil Abu Assi ka rritur numrin e kazanëve për gatim dhe ka ndarë punën midis dy ekipeve.
Përgatitja e vaktit fillon në orën 7:00 dhe gatimi vazhdon deri në orën 14:00.
“Ne nuk mund të largohemi nga vendet tona të punës, por u themi atyre që kanë nevojë për ushqim të vijnë nga ora 14:00 deri në orën 17:00”, tha Jamil Abu Assi.
“Disa qytetarë po dalin vullnetarë për të shpërndarë ushqime për të zhvendosurit, me makinat e tyre, gjë që është një gjest i bukur, pasi shumë prej të zhvendosurve nuk kanë mjete transporti dhe as nuk e njohin shumë mirë zonën”.
Disa familje janë mirënjohëse edhe vetëm për orizin - shpesh për vaktin e tyre të vetëm të ditës.
Karama Musallam, një 40-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, po kërkonte ushqim kur hasi në familjen Abu Assi.
Familja e saj, përfshirë vjehrrën e saj 80-vjeçare, u larguan nga shtëpia e tyre në fillim të luftës. Ata janë duke qëndruar në shkollën e UNRWA-së në Bani Suhaila.
Musallami nuk njeh askënd dhe nuk ka të afërm në Khan Younis.
Edhe
Dy vjet: Si e shkatërroi Izraeli Gazën
“Kur dola për të kërkuar ushqim, i gjeta këta të rinj duke gatuar dhe më dhanë dy vakte që mjaftonin për fëmijët e mi”, u shpreh ajo. “Ata më thanë se mund të vija çdo ditë dhe të haja”, shtoi Musllami. “Kjo është arsyeja pse u ndjeva e sigurt mes njerëzve. Ne jemi të gjithë një komunitet”.
Përktheu: Forca Jashari