Pak para vdekjes së saj më 31 gusht të 1997-s, princesha Diana kishte marrë papritur udhën drejt Dobrnjes së Bosnjë-Hercegovinës.
Udhëtimi ishte pjesë e një vizite treditore në Bosnjë për t’u takuar me të lënduarit nga minat e vendosura gjithandej në këtë vend gjatë luftës së viteve 1992-1995.
Dobrnjasit thonë se mirësia dhe thjeshtësia e Dianës u kanë lënë përshtypje të mëdha.
Muhamed Suljankiq i kishte humbur që të dyja këmbët kur kishte shkelur në një minë të vendosur në malin afër shtëpisë së tij.
“Ajo thjesht donte të na ndihmonte, pasi që unë i kisha humbur të dyja këmbët. Vendosi dhe ishte punë e kryer. Na ofroi mbështetje financiare për protezat, në mënyrë që të mund t’i rrisja fëmijët. E kuptonte se në çfarë situate të vështirë ishim”, ka thënë Suljankiq.
Vizita asokohe kishte përkuar me ditëlindjen e Suljankiciqit dhe Diana e kujdesshme ia kishte sjellë edhe një tortë, një gjest ky që i la përshtypje të përjetshme.
Pasi që e kuptoi se idhulli i tij kishte vdekur në një aksident rrugor në Paris, Suljankiciq vendosi që ta gjente një mënyrë për ta ruajtur kujtimin për të në familje.
Më pak se një vit pas vdekjes së princeshës ai ia la të bijës së tij të sapolindur emrin Diana.
“Kur vajza ime erdhi në këtë botë dhe erdhi koha për ta regjistruar, i thashë bashkëshortes: ‘T’ia vëmë emrin Diana’. Pse? Sepse doja ta përkujtoja princeshën dhe doja që fëmija im ta mbante emrin e saj”.
Bashkëshortja e tij, Ramiza, është shumë e lumtur që vajza e saj e vetme e ka marrë emrin nga një princeshë zemërgjerë.
Për dallim prej emnakes së saj, Diana Suljankiq mund t’i ikë presionit medial dhe e mban shumë të fshehtë jetën e saj personale, por nëna e saj vazhdon që ta ndajë me miqtë dhe kolegët historinë e emrit të së bijës. Madje në shaka nganjëherë edhe e quajnë “princeshë”.
Ramiza ka edhe një mesazh për princat Harry dhe William, të bijtë e princeshës, dhe për familjet e tyre.
“Mesazhi im për ta është që gjithmonë ta kujtojnë nënën e tyre. Ajo vërtet ka qenë grua e mrekullueshme, një grua zemërgjerë, që u ndihmonte njerëzve. Ishte një grua me një zemër të madhe dhe ata duhet që t’i ndjekin hapat e saj dhe të bëhen si ajo. Ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë atyre dhe familjeve të tyre”.
Vizita e princeshës Diana në Bosnjë ishte udhëtimi i fundit i saji jashtë vendit para se të vdiste në aksidentin fatal.