Me një gjuhë e cila zakonisht përdoret për shtetet e dështuara apo vendet autoritare dhe diktaturat, shumë zyrtarë evropianë kanë shprehur shqetësimin e tyre për zhvillimet rreth ndërtesës së Kongresit amerikan dhe brenda këtij institucioni. E përbashkët e këtyre reagimeve ka qenë cilësimi i këtyre pamjeve si “sulm në demokracinë Amerikane” dhe thirrjet që të sigurohet një transferim paqësor i pushtetit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili është në krye të Aleancës së udhëhequr pikërisht nga fuqia amerikane, ka thënë se “skenat nga Washingtoni janë shokuese” dhe ka bërë thirrje që të respektohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Në mënyrë të ngjashme kanë reaguar edhe udhëheqësit tjerë të institucioneve të BE-së.
“Isha thellësisht i shqetësuar duke parë skenat që vinin nga Washingtoni këtë mbrëmje. Mendja ime është tek siguria juaj dhe kolegëve tuaj”, ka shkruar presidenti i Parlamentit Evropian, David Sasolli, dërguar kryetares së Kongresit Amerikan, Nensi Pelosi. “Shpresoj se rendi dhe ligji do të rikthehen shpejtë dhe transferimi paqësorë i pushtetit do të ndodhë, në përputhje me vullnetin e popullit Amerikan” ka shkruar Sasolli.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka quajtur Kongresin Amerikan si “tempull të demokracisë” dhe ka shprehur bindjen se Amerika do ta sigurojë një tranzicion paqësor të pushtetit administratës së Bidenit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, ka thënë se ajo “beson në fuqinë e institucioneve të demokracisë amerikane” dhe ka shtuar se “Joe Biden i ka fituar zgjedhjet dhe pres të punojmë me të si president të ardhshëm të SHBA-ve”
“Kjo nuk është Amerika. Në sytë e botës demokracia amerikane, sot duket nën shtetrrethim. Rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit duhet të respektohen. Ky është një sulm ndaj demokracisë amerikane, institucioneve të saj dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Josep Borrell, shefi i diplomacisë së BE-së.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez po ashtu ka shprehur besim në fuqinë e demokracisë amerikane dhe besimin se Biden si president do ta tejkalojë këtë vështirësi dhe ta bashkojë popullin amerikan. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që menjëherë ta njoh Joe Bidenin si fitues të zgjedhjeve dhe president amerikan.
Ministri i Jashtëm gjermanm Heiko Massm ka shkruar se “armiqtë e demokracisë amerikane do të jenë të lumtur kur të shohin këto imazhe”. Edhe ai ka thënë se Trump dhe mbështetësit e tij së paku duhet të pranojnë vendimin e votuesve amerikanë.