Nga gjuha kërcënuese e Shteteve të Bashkuara nuk do të përfitojë askush, tha të mërkurën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Dy vendet, aleate të NATO-s, janë në mosmarrëveshje për rastin e një pastori amerikan, të burgosur në Turqi nën akuzat për terrorizëm.
Pastori i krishterë, Andrew Brunson, i cili ka jetuar në Turqi për më shumë se dy dekada, akuzohet se ka ndihmuar një grup të udhëhequr nga kleriku mysliman, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për përpjekjen për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Ai është arrestuar qysh në tetor të atij viti.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe zëvendësi i tij, Mike Pence, e kanë kërcënuar Turqinë me sanksione të fuqishme nëse pastori nuk lirohet.
Edhe
Rifillon gjykimi kundër pastorit amerikan në Turqi
Duke folur për gazetarët në Ankara, Erdogan tha se Turqia nuk do të bëjë kompromise sa i përket pavarësisë së gjyqësorit.
“Nuk do t'i japim rëndësi gjuhës kërcënuese”, tha Erdogan.