Për shkak të fruthit, së paku 1,000 studentë dhe personel në dy universitete në Los Anxhelos të Kalifornisë janë izoluar në karantinë.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka njoftuar se janë regjistruar 700 raste të fruthit në 22 shtete, shifër kjo më e larta në 25 vjetët e fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se të gjithë në vend duhet të vaksinohen, për shkak të rasteve të fruthit që vazhdojnë të përhapen.
Ndërsa, sipas statistikave të fundit, rreth 170 milionë fëmijë në të gjithë botën, nën moshën 10-vjeçare, janë të pambrojtur nga fruthi në një kohë kur sëmundja po njeh shpërthim, transmeton KTV.
Mes tyre, gjysmë milioni në Britaninë e Madhe dhe 2.5 milionë në SHBA.
Rastet e fruthit janë rritur me 300 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me 110 mijë raporte të konfirmuara.
Rastet e fruthit kanë arritur në nivelin më të lartë në Evropë në 20 vjet.
Ndërsa, gjendje e jashtëzakonshme tashmë është shpallur në New York.
Fruthi është sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru.
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2019, në Kosovë janë shënuar shtatë raste të reja me fruth.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit, këtë vit nuk ka epidemi fruthi në Kosovë.