Këta emaila, të publikuar të martën nga Komiteti për Mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve, zbardhin hollësi të reja se si Trumpi, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe aleatët e tjerë të tij kanë ushtruar presion mbi Qeverinë amerikane për t’i sfiduar zgjedhjet e 2020-s rreth pretendimeve të rreme, ani pse zyrtarët e Sigurisë së Brendshme dhe Drejtësisë, si dhe liderët zgjedhorë republikanë përreth vendit, pretendonin se mashtrime nuk ka pasur. Edhe ish-prokurori i përgjithshëm, William Barr, një besnik i kahershëm i Trumpit, ishte mes atyre që thanë se nuk ekzistonin dëshmi për mashtrime të këtilla
Në javët e fundit të presidencës së tij, Donald Trumpi dhe aleatët e tij kanë ushtruar presion të shtuar mbi Departamentin e Drejtësisë për hetimin e pretendimeve të pabazuara për mashtrime të gjithmbarshme në zgjedhjet e 2020-s, megjithëse ish-prokurori i tij i përgjithshëm deklaronte se nuk kishte dëshmi për një gjë të tillë, kanë treguar disa emaila të porsapublikuar.
Emailat, të publikuar të martën nga Komiteti për Mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve, zbardhin hollësi të reja se si Trumpi, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe aleatët e tjerë të tij kanë ushtruar presion mbi Qeverinë amerikane për t’i sfiduar zgjedhjet e 2020-s rreth pretendimeve të rreme, ani pse zyrtarët e Sigurisë së Brendshme dhe Drejtësisë, si dhe liderët zgjedhorë republikanë përreth vendit, pretendonin se mashtrime nuk ka pasur. Edhe ish-prokurori i përgjithshëm, William Barr, një besnik i kahershëm i Trumpit, ishte mes atyre që thanë se nuk ekzistonin dëshmi për mashtrime të këtilla.
Emailat zbardhin po ashtu shkallën në të cilën Trump kishte punuar për ta rekrutuar prokurorin e përgjithshëm të asaj kohe, Jeffrey Rosen, në fushatën e tij të përpjekjeve të dështuara ligjore për të sfiduar rezultatet zgjedhore, përfshirë sugjerimin për depozitimin e një rasti në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Letrat elektronike dërguar Rosenit përfshijnë teoritë e demaskuara të konspiracionit dhe informatat e rreme rreth mashtrimeve me vota.
Gënjeshtrat e Trumpit për zgjedhjet ndihmuan në grumbullimin e një turme përkrahësish që ia mësynë ndërtesës së Kongresit më 6 janar në përpjekjen e dështuar për ta ndalur certifikimin e fitores së Joe Bidenit. Disa herë, për shembull, aleatët kanë shkruar rreth mashtrimeve potenciale nëpërmjet sistemit të votimit Dominion, një teori kjo konspiracioni që i është nënshtruar padisë një miliard-dollarësh nga kompania e votimit.
Shefi i stafit të Trumpit, Mark Meadows, ka kërkuar në emaila që të hetohen pretendimet për mashtrime me vota të shkaktuara nga satelitët prej Italisë. Ai ishte munduar që ta nxiste Rosenin për t’i hetuar teoritë e konspiracionit dhe kishte shtrënguar prokurorin e përgjithshëm që të takohej me një aleat të avokatit të Trumpit, Rudy Giuliani, i cili po i plasonte konspiracionet e pabaza se Italia po përdorte satelitë dhe teknologji ushtarake për t’i ndryshuar votat.
Këtë gjë Roseni e quajti “çmenduri të pastër”.
Associated Press kishte raportuar vitin e shkuar mbi përpjekjet e bëra nga administrata Trump për të ushtruar presion mbi nëpunësit qeveritarë me qëllim të adoptimit të narrativit të rremë për manipulimet në zgjedhjet e 2020-s. Trump i kishte kërkuar direkt Departamentit të Drejtësisë që t’i hetonte instancat e mashtrimeve. Presidenti republikan kishte kërkuar po ashtu që të emërohej një prokuror i posaçëm për hetimin e këtyre pretendimeve. Ndërkaq, një zyrtar që ka shërbyer si “sytë dhe veshët” e Trumpit në Departamentin e Drejtësisë ishte përpjekur që t’i shtrëngonte pjesëtarët e stafit për të ofruar informata të ndjeshme mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe çështjeve të tjera që do të ishin të vlefshme për Shtëpinë e Bardhë të asaj kohe.
Fare pak kohë pas ngritjes publikisht të dyshimeve për kredibilitetin e zgjedhjeve dhe shkëmbimit të emailave për çështjen, me qindra përkrahës të Trumpit u futën në ndërtesën e Kongresit në Washington, duke i sulmuar policët dhe duke shkaktuar me dhjetëra të lënduar në ngjarjet më kaotike në historinë moderne të pishtarit botëror të demokracisë. Pesë persona kanë mbetur të vdekur, mes të cilëve edhe një polic. Së paku 400 persona janë arrestuar lidhur me këtë kryengritje.
Përktheu: N. LL.