Beteja e Julian Assanget kundër ekstradimit në SHBA tani është në duart e Sekretares së brendshme britanike, e cila duhet të marrë vendimin përfundimtar.
Në një seancë dëgjimore në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit, të mërkurën, gjyqtari që mbikëqyr kërkesat për ekstradim autorizoi që çështja t'i dërgohej Priti Patelit, raportoi BBC-ja.
Themeluesi i Wikileaksit pritet të apelojë në Gjykatën e Lartë nëse Pateli miraton ekstradimin e tij.
Assange kërkohet për gjykim në SHBA për dokumente të zbuluara në vitet 2010 dhe 2011.
Pateli tani duhet të vendosë nëse kërkesa e SHBA-së për Assangen i plotëson kriteret ligjore - duke përfshirë një premtim për të mos e ekzekutuar atë.
“Sigurisht nuk keni zgjidhje tjetër veçse ta dërgoni këtë çështje tek Sekretari i Shtetit. Nuk më takon mua të ngre prova të reja në këtë fazë edhe pse ka pasur zhvillime serioze në këtë rast”, i tha kryetarit të gjykatës Paul Goldspring, avokati i Assanget, Mark Summers.
Assange 50 vjeç është duke u mbajtur në burg që kur është marrë nga ambasada e Ekuadorit në Londër, në vitin 2019. Ai është arrestuar nga policia britanike, pasi Ekuadori tërhoqi statusin e tij të azilantit.
Në maj të vitit 2019, departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti 17 akuza kundrejt tij për shkelje të Ligjit të Spiunazhit.
Ekipi ligjor i Assanget pretendoi se dokumentet e klasifikuara të publikuara nga Wikileaks, të cilat lidheshin me luftërat në Irak dhe Afganistan, ekspozonin keqbërjet e SHBA-së dhe ishin në interes të publikut.