Botë

“E shoh sulmin çdo natë… më vjen në ëndrra”

Ushtarët gjetën një grua të plagosur dhe u përpoqën t’i shpëtonin jetën, por nuk mundën. Ata panë një foshnjë të plagosur aty pranë dhe supozuan se gruaja e vdekur ishte nëna e saj. Ushtarët amerikanë morën foshnjën

Dita e bastisjes u shpalos sikurse çdo tjetër; familja ushqeu kafshët me misër dhe bar në mëngjes dhe për drekë përgatitën patate. Ata nuk e kishin idenë se forcat amerikane dhe afgane po niseshin me helikopterë drejt fshatit të tyre.

Ushtarët kishin në shënjestër tre burra, në dy komplekse, që besohet se ishin luftëtarë të lidhur me al-Qaidan nga Turkmenistani fqinj, sipas përmbledhjes që familja Mast paraqiti në gjykatë. Kur ushtarët u afruan, ata thirrën me zë të lartë, duke u ofruar njerëzve brenda, një shans për t’u dorëzuar, sipas përmbledhjes. Një burrë mbeti i vrarë.

Rahimi, mekanik lokal, tregoi se sapo e kishte zënë gjumi, nën një pemë jashtë shtëpisë së një shoku, kur dëgjoi dikë që bërtiste, “ndalo, mos ik”. Afër tij, në gjumë qe edhe Mohammad Zamani, i cili i kujton trokitjet derë më derë me urdhërat “mos lëvizni” dhe “mos vraponi”. Miqtë qëndruan të qetë.

Më pas u dëgjuan të shtënat me armë zjarri. Sipas përmbledhjes, një qitës filloi të gjuante ndaj trupave sulmuese. Ai u vra, por pati shumë të shtëna: një breshëri të shtënash dhe granatash vazhduan të dëgjoheshin. Avokatët që përfaqësojnë anëtarët e familjes Mast deklaruan se amerikanët pësuan lëndime të shumta.

Joshua Mast nuk ishte i përfshirë në bastisje. Në emailet e depozituara në gjykatën federale, ai tha se foshnja ishte në dhomë me luftëtarët që qëllonin mbi ushtarët. Ai shkroi se babai i saj biologjik hodhi veten në erë me një jelek vetëvrasës, vetëm disa metra larg saj.

Trupat amerikane hapën një vrimë në një mur dhe hodhën granata, sipas përmbledhjes. Pranë shtëpisë së të huajve, familja e fermerit u zgjua nga zhurma, thanë fëmijët e mbijetuar. Djali tregoi se si babai i tij u bërtiste fëmijëve që të shkonin në një dhomë tjetër, por ai nuk e dinte se ku duhej të ikte. Motra e tij e kapi foshnjën.

Shpërthimi që rrëzoi muret e shtëpisë së tyre ishte aq i fuqishëm, sa që edhe sot e kësaj dite, fshatarët besojnë se ushtria hodhi një bombë.

“Largohu nga ky vend”, dëgjoi motra, duke bërtitur të atin. Më pas filluan të shtënat, shtoi ajo. Babai nuk bërtiti më. Ajo e lëshoi fëmijën.

Trupat e copëtuar të babait dhe vëllezërve të saj ishin në dysheme, tha vajza. Motoçikleta e babait të tyre shpërtheu, duke bërë që flakët të përhapeshin dhe të përfshinin familjarët dhe gjithë vendin.

“Kishte ushtarë, kishte bomba… kishte zjarr”, tha motra, me sytë që i përpëliteshin e me zërin që i dridhej.

Ajo dogji shpatullën, dorën dhe kokën. Ajo vrapoi dhe u fsheh mes kafshëve derisa të shtënat u ndalën.

Fqinjët thanë se sulmi zgjati deri herët në mëngjes. Tymi mbuloi qiellin, së bashku me erën e barutit dhe trupave të djegur.

Ushtarët gjetën një grua të plagosur dhe u përpoqën t’i shpëtonin jetën, por nuk mundën, thuhet në përmbledhjen e Mastit. Ata panë një foshnjë të plagosur aty pranë dhe supozuan se gruaja e vdekur ishte nëna e saj.

Ushtarët amerikanë morën foshnjën.

Image
Fëmijët qëndrojnë para një shtëpie të shkatërruar gjatë një bastisjeje natën e 5 shtatorit 2019, nga forcat amerikane, në një rajon të largët të Afganistanit.

Foshnja e humbur

Pasi helikopterët u larguan dhe situata u qetësua, fqinjët thanë se ata dolën nga shtëpitë e tyre dhe ecën mes flakëve. Ata thirrën fqinjët, për të parë nëse kishte të mbijetuar.

Në atë moment ata thanë se dëgjuan britmat.

Katër nga fëmijët e fermerit kishin mbijetuar, të mbuluar me pluhur dhe ata pothuajse nuk njiheshin, shtoi fqinji Rahim. Ata mezi u nxorën nga ajo që dikur ishte shtëpia e tyre, e shndërruar në gërmadha dhe e mbushur me kufoma dhe gjymtyrë të djegura. Ishte e vështirë të thuash se kush ishte gjallë dhe kush ishte i vdekur, tha Rahimi.

Njëri nga djemtë e vegjël ishte plagosur në bark nga një copë metali dhe vajtonte ende se i kishin vrarë familjen, kujton xhaxhai i tij.

Erë e keqe nga trupat, ishte dërrmuese, kështu që fshatarët morën fëmijët dhe i çuan të plagosurit në një spital shtetëror. Djali do të qëndronte atje për një muaj.

“Ishte një skenë shumë e keqe. Nuk kishte mbetur asgjë”, shpjegoi Rahimi. “Shtëpitë u rrënuan dhe secili trup i pajetë kishte mbetur nën gërmadha”.

Derisa fqinjët qanin dhe nxirrnin trupa nga rrënojat, njerëzit vinin nga qytetet fqinje për t’i ndihmuar, kujtojnë fshatarët. Pas një kohe, numri i njerëzve të shtëpisë u bë i qartë, qoftë të gjallë apo të vdekur, përveç njërës. Ata nuk mundën ta gjenin vajzën.

Ata gërmuan në gjithë shtëpinë me lopata dhe duart e tyre. Ata lëvizën mobiliet dhe kontrolluan gjithandej. Ata ishin të shqetësuar se foshnja - vetëm 40-ditëshe - kishte ngecur nën gërmadha dhe ishte thjesht shumë e vogël për t’u gjetur.

Por ajo ishte zhdukur.

Fati i vajzës

Fermeri, gruaja e tij dhe pesë fëmijët e tyre u varrosën me radhë në varrezat e familjes. Fshatarët thanë se më shumë se 100 njerëz erdhën për t’i ndihmuar që të hapnin varret për shkak se toka ishte shumë e fortë dhe e vështirë për t’u gërmuar.

Ata i varrosën të huajt - dhjetëra burra, gra dhe fëmijë - në dy varreza të tjera.

Në fshat, të mbijetuarit vazhduan të kërkonin foshnjën e humbur të fermerit, duke vizituar një bazë ushtarake amerikane, duke shkuar në zyrat qeveritare dhe duke biseduar me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ata dëgjuan se një foshnjë ishte dërguar nga amerikanët në një spital ushtarak.

Për muaj të tërë, derisa vajza po trajtohej në spital nga një frakturë e kafkës, djegie dhe një këmbë të thyer, qeveria afgane dhe Kryqi i Kuq punuan të konfirmonin se kujt i përkiste foshnja. Në fund, ata vendosën se ajo ishte vajza e fermerit.

Departamenti Amerikan i Shtetit shkroi në një email për AP-në, në fillim të këtij muaji, se i besonte gjetjes së Kryqit të Kuq – “përmes një procesi të origjinës familjare dhe verifikimit, se fëmija ishte afgan, e jo “pa shtetësi””. Pra, kur qeveria e Afganistanit kërkoi që fëmija të transferohej e t’i kthehej familjes së saj, SHBA-ja u pajtua.

“Ne e kuptuam në atë kohë se të gjitha procedurat e duhura ishin ndjekur sipas ligjit afgan dhe ne e mirëkuptuam”, shkroi Departamenti i Shtetit.

Familja Mast argumenton se qeveria afgane e lidhi gabimisht fëmijën me familjen, pa testin e ADN-së, fotografitë e saj me këtë familje apo ndonjë dokumentacion që e lidh atë me ta.

Vëllai i Joshua Mast, avokati Richard Mast, veçse është përmendur në një padi federale të ngritur nga familja afgane, që pretendon se familja Mast ka mashtruar kur pretendoi se fëmija ishte “pa shtetësi”, në përpjekjen e tyre për ta birësuar atë. Avokati i Richard Mastit, David Yerushalmi, shtroi pyetjen se pse një fermer i pafajshëm do të “jetonte në të njëjtin kompleks me luftëtarët e huaj e të armatosur rëndë”. Ai tha se nuk ka asnjë provë se jetimi i përkiste fermerit, në radhë të parë.

Por përpjekjet e familjes Mast për të ndaluar qeverinë amerikane që ta dorëzonte foshnjën dështuan dhe fëmija u dërgua te vëllai i fermerit. Meqenëse nuk kishte mundësi të kujdesej për të, ai ia dha djalit dhe nuses, të cilët ishin në gjendje më të mirë, të porsamartuar, të shkolluar e që jetonin në qytet. Ata pranuan me kënaqësi ta rrisnin atë si të tyren.

“Ata janë prindërit e saj” tha xhaxhai për AP-në.

Gjatë 18 muajve të ardhshëm, derisa ajo u rrit në Afganistan, Joshua Mast nuk u dorëzua. Ai e bindi një gjykatë të shtetit të Virginias që t’i jepte të drejtën e birësimit. Gjithçka që i nevojitej ishte ta merrte atë në tokën e SHBA-së.

Më pak se dy vjet pas bastisjes, Mast i ndihmoi çiftin afgan dhe vajzën të iknin nga vendi derisa talebanët morën kontrollin. Disa ditë pasi mbërritën në SHBA, familja Mast bashkëpunoi me punonjësit federalë në një kamp të zhvendosjes së refugjatëve, për të marrë kujdestarinë e fëmijës. Çifti afgan e kanë paditur për ta rikthyer atë, por ajo mbetet në harresë.

Joshua Mast, avokati i tij dhe avokatët që përfaqësojnë çiftin afgan nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Ndërkohë, në Afganistanin e largët, familja e mbijetuar e fermerit është e përhumbur nga gjithçka që panë dhe gjithçka që humbi. Kur kunati e sheh nipin e tij që buzëqesh, ai e mendon se si motra e tij, tashmë e vdekur, do të qeshte kur ai do e ngacmonte.

“Zoti do ta rris”, tha ai, “ai do t’i japë jetë kësaj shtëpie”.

Djali vuan ende dhe e ka të vështirë të jetë larg familjes. Kur u pyet nëse i mbante mend prindërit, ai filloi të qante. Kafshoi buzën dhe largoi shikimin.

Vajza që lëshoi motrën e saj të vogël nga duart ka ende frikë.

Ajo mund të fliste në mënyrë të përsosur para se të vinin ushtarët atë natë, por tani ajo belbëzon.

“Jeta ime është e trishtuar, zemra ime është e trishtuar dhe më mungojnë prindërit e mi”, tha ajo. “E shoh këtë sulm çdo natë… më vjen në ëndrra”.

(Fund)

Përktheu: Forca Jashari